Filozofia çlirimtare e romanit “Gjarpijt e gjakut”

26 korrik 2022 | 09:39

Shkruan: Lulëzim ETEMAJ

Jo – atyne që janë trima
me ngrehë gishtin e krimit,
por- atyne që janë trima
me zgjatë dorën e pajtimit.

Kjo është motoja e romanit “Gjarpijt e gjakut” (titulli i origjinalit), romanit të parë të Adem Demaçit, njëherit romanit të parë shqiptar në Kosovë. Ai është botuar në vitin 1958, fillimisht në numrin 1 dhe 2 të revistës letrare “Jeta e re”, nën përkujdesin shembullorë të Esad Mekulit, njërit nga mbështetësit më të guximshëm të penave të reja të letërsisë shqiptare që, për shkaqe politike, po hidhte hapat ngadalshëm në Kosovë.
Romani i Demaçit, “Gjarpijt e gjakut”, pararendëse i ka vitet e egra të dhunës dhe represionit të pushtuesit mbi shqiptarët, posaçërisht të policisë së drejtuar prej Aleksander Rankoviqit, i cili eskalon sidomos gjatë viteve 1956 dhe 1957 të aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve, për t’i detyruar ata që të shpërnguleshin në Turqi. Si pasojë e torturave barbare, humbën jetën 100 persona, ndërsa me pasoja fizike dhe psiqike mbetën për jetën 30 000 të tjerë. Me numrin prej 41 800 shqiptarëve të shpërngulur vetëm në vitin 1958, 54 000 në vitin 1956 dhe 57 710 në vitin 1957, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm vetëm gjatë këtyre tri viteve arrinë shifrën prej 153 510 vetave [1].
Kjo kohë e rëndë, kohë të cilën po e jetonte populli i shtypur shqiptar, është bërë objekt i trajtimit specifik, krejt origjinal, duke iu nënshtruar pasqyrimit artistik, psikologjik e filozik të Demaçit, duke e bërë kështu romanin “Gjarpijt e gjakut” të jetë tejet i veçantë- roman metaforë, për nga struktura e tij estetike. Roman që, sado që duke qenë i veshur me shije me petkun letrar, ishte në të vërtetë një mesazh i fortë politik kombëtar, drejtuar bashkëkombasve, mesazh që ngërthente thirrjen, klithmën, për të braktisur konfliktet mes tyre, veçanërisht gjakmarrjen, dhe bashkuar të gjitha energjitë kundër pushtuesit të vendit.
“Jo- atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por- atyne që janë trima me zgjatë dorën e pajtimit”. Ky është mendimi bosht i romanit, të cilin e bartë Mustafa, si personazh, i cili, në të vërtetë është vetë Adem Demaçi. Demaçi, që duke parë se si gjarpërinjtë e gjakut, gjarpërinjtë e gjakut tonë së bashku me gjarpërinjtë e sistemit të pushtuesit, duke ia marrë gjakun, po e varfëronin dhe rrezikonin jetën e shqiptarëve, substancën dhe mbijetesën tonë kombëtare në trojet tona shekullore, duke qenë i pakromis, fton fuqishëm popullin, posaçërisht rininë shqiptare, për t’i dhënë fund vëllavrasjes: “Mëshoju edhe pak, mëshoju e naljau turrin këtyne gjarpnojve t’gjakut, qi po mundohen hala me ecë e me i përlye me marre kto malet tona, me e flliqë këtë dhe tonin!…-Ndalni!….Ndalni!…Shtypjauni kryet!… ” [2].
Ky mendim bosht i romanit, përkatësisht filozofia çlirimtare e tij, i siguroj Demaçit mirëpritje të matur në qarqet letrare të kohës, kurse nga ana e lexuesve të shumtë, posaçërisht tek rinia, e cila po e ndjente më shumë se çdokush tjetër përcëllimën e vapën ekzistenciale, që Bucinën e kishte bërë tokëllimë, kurse barin e kishte zverdhë dhe njerëzit, shqiptarët, i kishte “teshur në shpirt”, ardhja e tij ishte pritur si ardhja e shiut prej kupës së qiellit, të cilit i ishin lutur në gjuhën shqipe, herë më zë e herë në heshtje, duke drejtuar sytë e lodhur prej tij.
“Gjarpijt e gjakut” është romani që i shqiptoi dënimin vendimtar gjakmarrjes, njëkohësisht paraqet akuzë kundër shoqërisë, e cila nuk po ndërmirrte asgjë për çrrënjosjen e saj. Kështu ai ishte lexuar edhe prej pushtetit. Prej pushtetit politik dhe prej të gjitha policive të tij, përfshirë edhe policinë ideore. Dhe, për pasojë, autorin Adem Demaçi e burgosin po këtë vit, më 19 nëntor, ndërsa vitin tjetër, në muajin shkurt, e nxjerrin para Gjyqit të Qarkut në Prishtinë dhe “në emër të popullit” e dënojmë me 5 vite burgim të rëndë.
“Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi” [3], deklaron Demaçi para këtij gjyqi antishqiptar në mbrojtje të pikëpamjeve të tija politike dhe të të drejtave të ligjshme të shqiptarëve të Kosovës.
Ky deklarim i Adem Demaçit para gjykatës në Prishtinë paraqet në të njëjtën kohë hapjen botërisht të siparit të burgjeve dhe të rezistencës së tij të pathyeshme politike kombëtare kundër pushtuesit, me epilogun tashmë të ditur: 28 vite burgim të vuajtura; gjarpijt e gjakut, kokështypur; dhunë, terror e gjenocid të ushtruar nga Serbia në Kosovë kundër shqiptarëve dhe luftë mbinjerëzore çlirimtare e UÇK-së, luftë që solli çlirimin, lirinë, shtetin e Kosovës dhe perspektiva të reja të përmbushjes së idealit të heroit Adem Demaçi – bashkimit kombëtar.
__________________________

[1] Hakif Bajrami, Shpërngulja e shqiptarëve në Anadoll 1951-1966, “Epoka e re”, 15 janar 2015, faqe 11.
[2] Adem Demaçi, Gjarpijt e gjakut, “Jeta e re”, Prishtinë, 1958, faqe 80.
[3] Selatin Novosella, Demaçi, aromë atdheu, SHBPK, Prishtinë, 2014, faqe 12, 13.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar policin Enver Zymberi i cili…