Filozofia dhe etika politike e Rexhep Qosjes

24 qershor 2022 | 17:18

Prof. ass. dr. SABRI KIÇMARI

  1. Hyrje

Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1985 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen në një orë letrare. Me një mjekër të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Kishte diçka sokratiane në këtë skenë. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.

Sociologu francez Pierre Bourdieu duke analizuar ambientin social në një shoqëri në mesin e katër formave të kapitalit e definon edhe kapitalin kulturor. Ai e dallon kapitalin kulturor nga ai ekonomik, social dhe simbolik. Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale shoqërore në Kosovë të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore se sa akademik Rexhep Qosja. Në krijimin e këtij kapitali vleror, profesor Qosja është ndeshur me kundërshti, arrogancë të pushtetit, përndjekje dhe dhunë të hapur psikologjike. Rezistenca e tij ndaj të padrejtës, robërisë dhe pabarazisë e ka shndërruar atë në simbol të dinjitetit intelektual ndër shqiptarë.

Figura karizmatike e Rexhep Qosjes është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë. I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, në Krahinën e Malësisë, ku mbaroi klasët e para të fillores dhe pastaj gjysmëmaturën në Gusi, si djalë i ri u vendos fillimisht në Mitrovicë dhe pastaj në Prishtinë. Prishtina dhe Vuthaj do ta përcjellin gjatë gjithë jetës së tij si ambiente jetësore, me gjithë dallimet e mëdha të tyre. Çdo verë profesori do të shkojë në Vuthaj, për të shijuar ajrin e pastër të bjeshkëve dhe për të përjetuar dashurinë e pamasë të malësorëve, kurse në kohë pune e semestrash do të kalojë në mesin e studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe veprimtarëve për liri.

Profesor Qosja ka shkruar disa dhjetëra libra me studime letrare, kritikë letrare, romane, tregime, drama, recensione, vështrime, trajtesa, artikuj, sprova dhe punime politikologjike. Disa nga librat e tij janë botuar në gjuhë të ndryshme si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe gjuhë të tjera. Të njohur më së shumti e ka bërë libri i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Ky nuk është një roman i thjeshtë. Ai është paraqitja e një tabloje të zymtë të jetës së shqiptarit në Kosovë. Në të ai përshkruan jetën e rëndë nën kontrollin policor të regjimit të Lidhjes Komuniste. Ndeshja morale në mes të Danjollit të Sherkës, si shërbëtor i pushtetit, dhe Xhezairit të Xhikës, ka karakter moral, politik dhe human. Përshkrimi i gjendjes së zymtë nën robëri, përcjellë një mesazh politik vleror për lexuesin që do të mund të përmblidhej në një thirrje për veprim: Kjo gjendje nuk durohet më! Këtë gjendje duhet ndryshuar! Sistemi diktatorial, me sytë e tij që vrasin, duhet zhbërë, duke punuar për të krijuar sistemin e lirisë individuale dhe kolektive.

Shkrimtari ynë i njohur Isamil Kadare duke ja paraqitur këtë vepër publikut francez ka shkruar: “Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare”.

Por, Rexhep Qosja nuk është vetëm romansier, dramaturg dhe studiues i letërsisë. Ai është edhe një ndër politikologët tanë më të mirë. Në veprat e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Çështja shqiptare – Historia dhe politika”, “Fjalor Demokratik”, “Paqja e përgjakshme”, “Shpërngulja e shqiptarëve”, “Demokracia e shpërdorur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur”, “Rilindja e dytë” etj., Qosja na shfaqet si një mendimtar origjinal në lidhje me një numër idesh dhe fenomenesh politike dhe shoqërore. Pikërisht këtë dimension të krijimtarisë së tij do ta trajtojmë në këtë punim.

  1. Politika dhe morali sipas Qosjes

Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve).

Profesor Qosja preferon një politikë me bazë etike, e përmbledhur në dy parime: “Parimi i parë: morali i shtetit pashmangshëm kushtëzon moralin e shoqërisë dhe, parimi i dytë, politika e moralshme historikisht është treguar më e leverdishme dhe natyrisht shumë më frytdhënëse si në përpjesëtime kombëtare ashtu edhe në përpjesëtime botërore se sa politika e pamoral.”

Duke i analizuar rrethanat e krijuara pas luftës në Kosovë, Qosja konstaton se “populli shqiptar po “kalon një krizë të shtrirë shpirtërore dhe morale”. Ai e shpreh hapur zhgënjimin e tij për gjendjen morale të shoqërisë shqiptare: “Deri kur dija dhe ndershmëria politike do të jenë pengesë, kurse mosdija, banaliteti dhe mashtrimi – përparësi?” Kjo krizë, sipas tij, shpërfaqet në formën e “keqpërdorimit të padenjë të lirisë”. Qosja thërret për kthim tek vlerat, idetë, parimet dhe virtytet. Në këtë kontekst Qosja është shumë i ashpër ndaj mungesës së etikës te politikanët: “Është dobësuar shumë njeriu në politikën tonë dhe është dobësuar shumë njeriu në politikanin tonë. Më i shpeshtë se politikani i përgjegjshëm dhe zemërhapur është politikani i tjetërshfaqshëm e pa skurpuj. Më i shpeshtë se politikani i qëndruar, është politikani makiavelsit a i hallakatur, që vazhdimisht e sheh kanibalin para dyerve dhe nxit përçarje e urrejtje në opinion”.

Rexhep Qosja në projektet e tij teorike synon ta krijojë njeriun e ri shqiptar, të bazuar në idetë e Naim Frashërit për moralin: një njeri të ditur, me karakter, të qytetëruar, i cili bashkon dijen me natyrën, mendjen me nderin, aftësinë me përgjegjësinë, që i kupton nevojat e vendit, e kuptimëson jetën dhe shoqërinë. Pra me një njeri të tillë “në të cilin janë bashkuar mendja e karakteri, cilësia mendore dhe cilësia shpirtërore, natyra dhe kultura, mund të tejkalohet kriza shpirtërore e morale.” Dhe, një njeri të tillë ideal mund ta krijojë politika, shkenca dhe arsimi përmes shtetit të së drejtës, sistemit demokratik dhe sistemit arsimor të orientuar drejt shkencës.

  1. Ideja e lirisë dhe demokracisë

Krijimtarinë politikologjike të Rexhep Qosjes e përshkon mendimi i qartë për vlerat politike. Ai angazhohet për liri, barazi, demokraci dhe vetëvendosje si parime themelore të humanizmit njerëzor. Ai nuk beson në demokraci pa liri, as në barazi pa demokraci. Barazia e popujve nuk realizohet përmes diktateve të popujve të tjerë. Aty ku synohet të vendoset demokracia përmes gjendjes së jashtëzakonshme, aty nuk ka as liri dhe as demokraci: “Demokracia nënkupton lirinë dhe barazinë e popujve dhe të njerëzve. Pa barazi të popujve në bashkësinë shumëkombëshe, nuk mund të flitet për barazi të qytetarëve”.

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediet serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit.

Janë me dhjetëra artikuj dhe punime tjera në të cilat ai e trajton vlerën e lirisë. Liria për të “është kuptimi i jetës së njeriut. Por, siç është provuar shumë herë gjatë historisë, sidomos gjatë shekullit të kaluar, liria në varfëri, në pushtime dhe në diktaturë nuk e kuptimëson jetën e njeriut. Liria është vërtetë liri vetëm në demokraci”. Sipas tij njeriu ka lindur për të qenë i lirë. Ai është i bindur se të gjitha pushtet që këtë të drejtë natyrore të njeriut “e gulçojnë, e cenojnë, e kufizojnë me dhunë pashmangshëm do të vdesin prej dhunës”. Ideja e lirisë është motori shtytës i lëvizjes drejt historisë.

Kur po ushtrohej trysni e madhe ndaj shkrimtarëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e instrumentalizimit politik në procesin e shtypjes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, Rexhep Qosja ishte i pari shkrimtar shqiptar që hapur, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në vitin 1985, do të fliste për mungesën e lirisë në Kosovë, do të mbronte gjuhën shqipe, identitetin kombëtar shqiptar dhe do të demaskonte dhunën që ushtronte shteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Ai do të deklaronte: “Do të flas në gjuhën serbokroate, jo që të mos më quaj kush shkrimtar “autoqefal”, sepse besoj se gjuhë autoqefale s’ka në këtë botë dhe jo që të më dhurohet ndonjë duartrokitje, se e di përpara, duartrokitje për këtë diskutim nuk mund të pres, por që të më marrin vesh të gjithë. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar – shkrimtar a shkencëtar – shqiptar domethënë të jesh, porsi personazhi i Franc Kafkës, Jozef K., njeri që vazhdimisht pret ta thërrasin. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar sot, më në fund, domethënë: të jesh çka nuk je e të mos jesh çka je”.

Pas fjalimit të tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë do të fillonte një tiradë akuzash kundër tij. Këtij presioni kundër lirisë së tij individuale dhe kundër lirisë së popullit shqiptar, Qosja do t’i përgjigjej para shkrimtarëve jugosllavë: “Detyrë morale e shkrimtarit nuk është që të flasë siç i pëlqen dikujt, por siç është e vërteta. Unë jam këtu në parlamentin e mendjes – që të them të vërtetën, e jo në kishë – që të rrëfehem”. Në këtë fjali, në fakt, përmblidhet e gjithë esenca e etikës politike të Rexhep Qosjes.

Për të realizuar idenë e lirisë Rexhep Qosja nuk e përjashton edhe përdorimin e luftës. Pra, ai është humanist, por jo pacifist. Një popull mund të pësojë disfatë në luftë, por ai është më mirë të humb duke zhvilluar betejën, se sa pa hyrë fare në betejë. Prandaj, lindja e UÇK-së e gëzon fort profesorin. Në të ai e sheh mundësinë për të realizuar lirinë. Ajo është subjekti që e sfidon Serbinë. UÇK është për Qosjen “ushtria e popullit: ajo është e pazhdukshme, ajo pavarësisht prej disfatave që në çaste të caktuara do të mund të pësojë, do të ringjallet prej hirit të vet – si Feniksi.” Ai e adhuron krenarinë, qëndresën, vendosmërinë, qëllimet liridashëse dhe gatishmërinë për flijim të luftëtarëve tanë. Ishin këta ushtarë lirie që i dhanë shtytje zhvillimit të historisë në drejtimin e duhur: në shpërbërjen përfundimtare të burgut të popujve të quajtur Jugosllavi.

  1. Ideja e bashkimit kombëtar

Profesor Qosja e fillon librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” me një konstatim interesant: “Gjeografia e ka bashkuar popullin shqiptar me Evropën, por historia shumë kohë e ka ndarë prej saj. Megjithëse për nga pozita gjeografike është Evropë, për nga historia ai ishte gjatë i detyruar të jetë Azi.” Ky fakt ka bërë që shqiptarët të perceptohen në mënyrë të njëanshme edhe nga Lindja edhe nga Perëndimi. Për Lindjen ata janë më shumë perëndimorë se sa lindorë, kurse, për perëndimin, shqiptarët janë më shumë lindorë se sa perëndimor. Ky kontekst paragjykues ka sjellë edhe momente tragjike në historinë shqiptare.

Si duhet të sillen shqiptarët në këtë kontekst gjeostrategjik dhe kulturo-historik? Qosja mendon se duhet të sillen të tillë siç janë, pa u munduar të dëshmohen më perëndimorë se perëndimorët, por edhe pa pasur drojë nga elementet e trashëguara religjioze dhe kulturore nga lindja. E rëndësishme për të është që ata të maksimalizojnë fuqinë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore: të bashkohen në një shtet.

Në fakt Rexhep Qosja në rrafshin ideor ka diçka të përbashkët me ish kancelarin Helmut Kohl. Të dy i lidh ideja e bashkimit. Më 28 nëntor 1989 kancelari gjerman Helmut Kohl pati paraqitur Programin 10-Pikësh për Bashkimin e Gjermanisë para Bundestagut Gjerman. Me këtë Plan kancelari gjerman nuk i befasoi vetëm opozitën dhe miqtë e tij ndërkombëtar, por edhe shumë nga anëtarët e partisë së tij. Në fjalën e tij para Bundestagut ai pati thënë: “Rruga drejt bashkimit nuk është shtruar në tavolinën e gjelbër ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminësh… Ne mundemi, nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim…Se si do të duket një Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë gjë e duan, për këtë jam i sigurt”.

Ndryshe nga HelmutKohli, Qosja ishte vetëm në një fazë të shkurtër kohore aktiv politikisht. Por, struktura teorike dhe argumentuese e Rexhep Qosjes në librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” është në të njëjtën linjë me Programin e Helmut Kohlit për bashkimin e Gjermanisë. Në këtë kuadër ai e sheh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën e popujve të bashkuar: “Çështja e shqiptarëve mund të zgjidhet në mënyrë të tërësishme e jo të pjesshme, të përhershme dhe jo të përkohshme, në Evropën e popujve të bashkuar, sepse në Evropën e popujve ata, si popull i ndarë, do të bëheshin të bashkuar.”

Akuzave se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të krijonte Shqipërinë e Madhe, Qosja i përgjigjet me një argument të fort polemik e logjik: “Rusia me mbi 17 milionë e 75 400 km2 dhe me rreth 150 milionë banorë nuk quhet Rusi e Madhe; as Gjermania e bashkuar me 357 mijë km2 dhe me rreth 80 milionë banorë nuk quhet Gjermani e Madhe, as Kina me 9 milionë e 551 mijë km2 dhe me rreth 1 miliardë e 200 milionë njerëz nuk quhet Kinë e Madhe, ndërsa Shqipëria e Bashkuar, e përbëre prej Shqipërisë së sotme dhe prej tokave shqiptare në ish Jugosllavi që kanë vazhdimësi gjeografike me të dhe në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme apo shumicë e madhe, që do të kishte gjithsej 55 mijë km2 dhe rreth 7 milionë banorë do të quhej Shqipëri e Madhe! Jo. Shqipëria e bashkuar, e përbërë prej dy gjysmave të popullit të ndarë shqiptarë, nuk mund të quhet Shqipëri e Madhe: ajo do të ishte Shqipëria natyrore.”

Qosja është i qartë në dallimin në mes të identitetit shtetëror dhe atij kombëtar. Identiteti kombëtar kosovar, i tillë siç propagandohet si identitet i ri, i ngjan shumë idesë për identitetin kombëtar jugosllav ose identitetin kombëtar sovjetik. Bazë e një logjike të tillë është sentenca se shteti përcakton identitetin kombëtar, përkatësisht se shteti e krijon kombin dhe jo kombi shtetin. Natyrisht që në këtë rast kemi të bëjmë me një ngatërrim të identitetit shtetëror me identitetin kombëtar. Sipas Qosjes qëllimi i krijuesve të kësaj ideje është krijimi i një ideologjie “kundër konceptit një popull, një kulturë, një gjuhë letrare, një komb”. Ai e quan këtë një “ideologji kundër historike me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej: ideja e bashkimit kombëtar”.

Njësoj si Kohli, edhe Qosja zgjidhjen e tij e bazon në të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Dhe, Rexhep Qosja i ka mbetur besnik pikëpamjes së tij deri në fund. E përsëriti këtë gjë edhe në fjalën e tij në Akademinë kushtuar 85-Vjetorit të Lindjes së tij, më 25 qershor 2021, në Prishtinë: “Sot ne jemi komb me dy shtete që pashmangshëm do të bashkohen një ditë. Atë ditë mund të mos ta dimë sot, por e dimë sigurt se do të bashkohen një ditë jo edhe shumë të largët”.

  1. Praktika politike

Si shumica e intelektualëve në Kosovë, edhe Rexhep Qosja ka qenë i angazhuar politikisht. Por, ai nuk ka pasur asnjë rol drejtues partiak gjatë sundimit të sistemit njëpartiak të Lidhjes Komuniste të Kosovës, përkatësisht Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Në kuadër të procesit të diferencimit ideopolitik atij i jepet vërejtje partiake për shkak të mosdënimit të demonstratave studentore të vitit 1981.

Pas gjysmës së viteve 1980 Rexhep Qosja shndërrohet në një lloj institucioni më vete politik: simpatizohet deri në adhurim nga të rinjtë veprimtarë të idesë së Republikës së Kosovës dhe urrehet deri në kërcënim nga aktivistët e Lidhjes Komuniste të Kosovës. I reduktohet publikimi dhe stigmatizohet politikisht vepra e tij letrare.

Më 30 maj 1989 Rexhep Qosja mban takim me delegacionin e Parlamentit Evropian. Takimi zhvillohet në dhomë të hotelit. Atë ditë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës organizoi demonstrata në Llap dhe Prishtinë. Në Llap u vra Ali Ajeti gjatë përleshjes me policinë. Qosja argumenton fuqishëm kundër dhunës që ushtrohet ndaj demonstruesve dhe kundër sistemit të shtypjes që sundonte në Kosovë. Si rezultat Parlamenti Evropian përmes një Rezolute e dënoi dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë vitit 1998 Qosja, më në fund, vendos të angazhohet politikisht duke marrë drejtimin e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike. Si kryetar partie merr pjesë në Konferencën e Rambujesë. Ai insiston që në Rambuje të mos shkohet pa përfaqësuesit e UÇK-së. Ishte i bindur se ushtarët e UÇK-së e kanë sjell Kosovën në Rambuje: “Kosova ishte në gjunjë dhe ata e ngritën në këmbë. Ne ishim të përkulur, tepër të përkulur, e ata na drejtuan. Na shikonim përtokë, e ata na e kthyen nderin dhe dinjitetin. Ne ishim objekt në politikë, e ata, me vetëflijimet e tyre, me luftën e tyre, na bënë subjekt.” Ai luan rol parësor në përafrimin e delegacionit të Kosovës dhe në mandatimin drejtues të delegacionit. Ai ndikon që të ketë sjellje racionale dhe politikisht korrekte.

Nga Rambuje Qosja na ka sjellë një material me vlerë për diplomacinë dhe artin e negocimit përmes shënimeve të tij të mbajtura gjatë Konferencës së Rambujesë, të botuar në formë libri me titullin “Paqja e përgjakshme”. Në këtë ditar ai mban shënime për takimet, bisedimet dhe përjetimet e tij gjatë Konferencës së Rambujesë. Ai mbron pikëpamjen se Marrëveshja e nënshkruar prej tij dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të Kosovës në Rambuje ka pasur rol të dyfishtë, historik dhe tragjik, njëkohësisht: ajo është Marrëveshje që e ka çelur derën e lirisë, por e ka çelur edhe derën e tragjedisë. Dhe: “Paqja që do të sjellë ajo Marrëveshje paqësore do të jetë paqe e përgjakshme”.

Me udhëheqësit e procesit negociotar argumenton bindshëm dhe racionalisht.

Ai insiston në të drejtën për vetëvendosje përmes referendumit: “Referendumi është institucion demokratik, i krijuar në filozofinë politike të Perëndimit për zgjidhjen e çështjeve siç është e jona. Argumentet teorike dhe praktike e mbështesin të drejtën tonë për referendum”.

Përgjatë zhvillimit të Konferencës së Rambujesë, persiatjet filozofike, politike dhe etike të Qosjes janë tepër racionale, në një kohë iracionale. Ai shkruan se në Rambuje kanë shkuar të sjellin paqe për Kosovën, por jo paqe pa liri. Në këtë kontekst, më 11 shkurt 1999, i deklaron Ministrit të Jashtëm Britanik Robin Cook: “Ne kemi ardhur këtu me dëshirën dhe me shpresën që Kosovës t’ia çojmë paqen. Paqja i duhet Kosovës më shumë se çdo gjë tjetër. Por, çfarë paqeje? Që të jetë e qëndruar, e përhershme, paqja duhet të jetë e drejtë. Kosovës i duhet, pra, paqe e drejtë”.

  1. Për demonstratat e vitit 1981

Qosja bën pjesë në mesin e intelektualëve në Kosovë që nuk i kanë dënuar demonstratat e vitit 1981. Për këtë ai i nënshtrohet një presioni të madh politik përgjatë procesit të diferencimit ideopolitik që udhëhiqej nga Lidhja Komuniste e Kosovës. Qosja zgjedh heshtjen si mënyrë të reagimit të tij ndaj trysnisë së Lidhjes së Komunistëve. Ai mbrohet me heshtje. Dhe, heshtja e tij flet. Vite më vonë ai shkruan: “Ekzistojnë filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe e fjalës së folur, por ekzistojnë edhe filozofia dhe estetika e fjalës së heshtur dhe e mendimit të heshtur”.

Në gjysmën e dytë të viteve 1980 profesor Qosja shkruan se udhëheqjet politike të pas vitit 1981 kanë rënë në provimin politik historik. Ata i kanë pranuar formulat kundërshqiptare edhe pse nuk kanë besuar në to. Pra, i kanë bërë dëm popullit të tyre, për hir të karrierës së tyre. Me këtë rast ata janë gjendur të izoluar nga populli. Kanë filluar të konsiderohen si kolaboracionistë: “Për të qenë tragjedia morale e këtyre udhëheqjeve edhe më e madhe, ata jo vetëm se ashtu janë izoluar plotësisht prej popullit, kur e kur duke u vënë edhe kundër popullit, por njëkohësisht, janë përpjekur ta detyrojnë edhe popullin që të flasë e të veprojë kundër vetes. Kjo ishte vetëvrasje politike dhe morale e udhëheqjeve tona politike.”

  1. Apostull i lirisë

Rexhep Qosja i ka kritikuar shumë të tjerët. Kjo natyrisht i ka kushtuar jo pak shqetësime në jetën e tij krijuese, politike dhe shoqërore. “Morfologjia e një fushate” paraqet vetëm fillimin e një numri të madh polemikash e kritikash të tij drejtuar personaliteteve politike, shoqërore, kulturore dhe krijuese. Por, Rexhep Qosja ka ditur edhe të veçoj personalitete të çmuara të historisë, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Një nga shkrimet me të çmuara politikologjike të tij është Fjala e tij në shënimin e 60-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Edhe varianti më i zgjeruar i kësaj fjale, botuar në veprën e dhjetë të kompletit të veprave të Adem Demaçit në formën e pasthënies, përmban një fjali që përmbledh rolin e veprimtarisë së Adem Demaçit: “Para vetes dhe para botës ne ende nuk kemi mundësi të dalim e të mburremi as me dëshmi të zhvillimit teknik, as me dëshmi të zhvillimit ekonomik. Para vetes dhe para botës sot mund të dalim e të mburremi, para së gjithash, me qëndresën madhështore politike e morale të Adem Demaçit. E, kjo ishte vepër që lëvizte ndërgjegjen tonë dhe, duke lëvizur ndërgjegjen, e lëvizte historinë”.

Adem Demaçin Qosja e portretizon si apostull të lirisë, drejtësisë shoqërore dhe pavarësisë së popullit të vet. Në kohën kur i drejton këto fjalë, më 26.02.1996, vendi vuante keq nën thundrën e pushtuesit. Jeta e Demaçit është përshkuar nga gatishmëria e tij për vetëmohim. Sipas Qosjes në rast se Demaçi nuk do të karakterizohej me një shkallë të lartë altruizmi, ai do të ishte “një krijues i madh i letërsisë shqipe.” Pra, do të kishim një krijues të madh letrar, por nuk do të kishim një simbol kombëtar, i cili e flijoi veten për lirinë, ardhmërinë dhe dinjitetin e kombit të tij: “Letërsia shqipe do të mbesë pa një krijues të dalluar, por historia shqiptare do të fitojë një apostull të madh të lirisë”.

Qosja e përshkruan Demaçin si njeri me ideal të lartë por edhe me iluzionin se Kosova mund të çlirohet nga Serbia. Iluzioni nuk e ul rëndësinë historike të idealit të Adem Demaçit. Duke qenë intelektual që e kupton saktë politikën dhe historinë Demaçi sheh përtej së tashmes. Jetëshkrimi i Adem Demaçit është jetë – porosi prej së cilës inteligjencia shqiptare mund të nxjerrë mësime të vlefshme morale.

  1. Debati me Kadarenë

Rexhep Qosja ka zhvilluar polemika të ashpra me një numër personalitetesh letrare, politike dhe publicistike. Ai mospajtimin e definon si “tharmin e demokracisë”, kurse polemikën si “kushtin e lirisë”. Sipas Qosjes “polemika, liria dhe krijimtaria janë në raporte të ndërsjella dialektike. Prej natyrës së raporteve të tyre varet edhe fuqia e së vërtetës.” Pra, qëllimi i polemikës është të ndahet e vërteta nga gënjeshtra, e sakta nga e pasakta, e mira nga e keqja, e drejta nga e padrejta, e bukura nga e shëmtuara, përparimtarja prej prapambetjes. Polemika është nxitje e veprimit shpirtëror, e cila i vë në lëvizje imagjinatën, intuitën dhe ndjenjat e njeriut.

Një nga debatet e tij tematike dhe shumë interesante është debati me shkrimtarin tonë Ismail Kadare. Debati ka vlerë të rëndësishme sociologjike, politikologjike dhe filozofike, pasi që fokusohet në identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Debati fillon me shkrimin e Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve.” Ky shkrim ishte një lloj replike me tezat e mbrojtura nga Qosja në shkrimin e tij “Ideologjia e shpërbërjes.” Qosja i përgjigjet Kadaresë me shkrimet e tij “Idetë raciste të Kadaresë” dhe “Realiteti i shpërfillur.” Ndryshe nga Kadareja, Rexhep Qosja mbron pikëpamjen se identiteti kombëtar shqiptar ngërthen në vete të dy qytetërimet: atë perëndimor dhe lindor. Kadareja shkruan se “një identitet i ndarë është një komb i ndarë.” Ai shfaqë drojën se “përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa”.

Në përgjigjet e tij Qosja tregohet mjaft i ashpër. Ai e akuzon Kadarenë se po dëshiron të mohojë identitetin mysliman të shqiptarëve, se ai e përbuzë ndikimin e fesë. Fetë, sipas tij, janë “përbërës shumë i rëndësishëm i identitetit”. Ai e vë në fokus faktin se jeta e individit përshkohet nga një multidimensionalitet identitesh, por të gjitha këto identitete të veçanta “bashkohen në atë të përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.”

  1. Përfundim

Rexhep Qosja thërret me zë për rikthim drejt vlerave etike. Ai e orienton thirrjen e tij sidomos ndaj veprimtarëve, intelektualëve dhe qytetarëve. Dhe këtë gjë e bënë në një mënyrë tepër të rrallë: “Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur në nderim të heroit të rënë në luftë, ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten. Nuk po kërkoj aq shumë prej shokëve e miqve të Fehmi Lladrovcit. Nuk po kërkoj aq shumë prej nesh. Mos të hedhim në zjarr asnjë nga ato që duam. Por, le të hedhim në zjarr të këqijat tona të sotme. E, kemi çka të hedhim. Korrupsionin! Krimin e organizuar! Nepotizmin! Luksin! Privilegjet e zyrtarëve!”.

Veprimtari, intelektuali dhe qytetari vetëm do të duhej të aprovoj një mesazh të tillë. Për hir të së sotmes dhe sidomos të ardhmes së kombit tonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të premten…