Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit

29 prill 10:46

Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari

Hyrje

Sa herë e marr në dorë librin e Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, e shfletoj dhe ndiej një trandje shpirtërore. Shpjegimi i saj fillimisht ka të bëjë me një ndjenjë përgjegjësie të shoqërisë, shtetit dhe kombit tonë, që edhe pas rreth njëzet vjetësh nuk arritëm të zbulojmë se çfarë ka ndodhur me fatin e tij jetësor. Por, edhe më shumë ndiej tronditje për mënyrën se si është sjellë shoqëria jonë me të sa ishte mes nesh. I burgosur për shkak të arsyetimit të kërkesës për Republikën e Kosovës në vitin 1981, i shmangur në mënyrë brutale nga politika pas vitit 1990, i burgosur sërish në vitin 1994 nga regjimi pushtues serb, i pakuptuar nga ambienti ynë konservator, i ndarë nga dy bashkëshortet dhe fëmijët e tij, guximi i tij intelektual, dija e tij politike dhe niveli i tij kulturor do të bëheshin pengesë serioze për statusin e tij në shoqëri.

Përvoja personale e Ukshin Hotit është shumë interesante për ta studiuar jetën dhe veprimtarinë e tij. Ai ka lindur në Krushë të Rahovecit, shkollimin e mesëm e kryen në Rahovec, studimet për shkencë politike në Zagreb dhe Beograd, kurse shkon për studime postdiplomike në ShBA: në Universitetet e Çikagos, Harvardit dhe Uashingtonit. Ai ishte sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Kosovës dhe anëtar i forumeve federative, republikane dhe krahinore që merreshin me politikë të jashtme në ish-RSFJ.

Nga një nivel i tillë i lartë në ambientet shkencore dhe politike e zbresin në burg për shkak të bindjes së tij dhe mbrojtjes hapur të kërkesës për Republikë. Ai nuk thyhet në burg dhe argumenton edhe para hetuesve drejtësinë e kërkesës për Republikë. Pas daljes nga burgu fillon persekutimi i tij i dytë, tani i natyrës shoqërore: insistohet në “përshtatjen” e tij.

Ai stigmatizohet nëpër xhamitë dhe odat e fshatrave përreth në Rahovec, Therandë e Prizren dhe më pas nëpër tërë Kosovën, bile edhe në diasporën shqiptare. Akuzohet për gjithçka. Përvoja dhe niveli i tij politik konsiderohen pengesë nga rrethet vendimmarrëse politike të Lëvizjes Paqësore. Është krejtësisht e pakuptueshme kjo mënyrë e stigmatizimit të tij. Krijohet përshtypja se kishte drojë nga etika e tij politike, përvoja institucionale dhe dija politike e akademike.

Të paktën kështu mund të konstatojmë nga ato që shkruan ai. Këtë lloj linçimi publik, ai e shpjegon si formë të presionit mbi të, për të mos menduar ndryshe nga establishmenti. Nuk kemi informacione të mjaftueshme për të analizuar nëse kontestet e tij familjare kishin natyrë politike. Ai ishte i bindur për këtë. Fjalia më sfiduese për secilin studiues të veprës së tij është pyetja e tij e sinqertë: “Mos ishte vallë Gorbaçovi ai që ma mbante peng Andinin?” (Hoti 1996: 101).

Ukshin Hoti ishte i sinqertë kur në vitin 1981 del në mbrojtje të idesë së Republikës së Kosovës. Ishte plotësisht i vetëdijshëm se nuk po bënte asnjë vepër penale, as sipas ligjeve të atëhershme. Nëse kishte thyer linjën politike të Lidhjes Komuniste, ai mund të dënohej politikisht, por jo penalisht. Dhe, kur ndeshet me egërsinë e sistemit, vendos të qëndrojë i paepur.

Sakrifikon për të drejtën, për të mirën dhe për të vërtetën si Sokrati. Konsekuencat e këtij vendimi do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së mëpastajme. Madje, më keq se kaq. Fati i tij do të mbetej një mister, i pazbuluar deri më sot. Ai e shoqëron ndërgjegjen e pavrarë të një regjimi pushtues gjakatar, por edhe moralin tonë politik e shoqëror. Dhe, Ukshin Hoti mbetet i tillë siç ishte: madhështor dhe i paarritshëm.

Disa shqetësime në lidhje me politikën tonë të jashtme, të cilat i kam shprehur publikisht pas përfundimit të mandatit tim të dytë, pas dhjetë vjetësh shërbim si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Austri (mbi pesë vjet 2008-2013) dhe Australi (afër pesë vjet 2013-2018, me akreditim jorezident edhe në Zelandën e Re, Vanuatu dhe Ishujk Cook), dhe kthimit tim në Prishtinë, ndikuan tek unë që të kuptoja edhe më mirë atë për të cilën ka shkruar Ukshin Hoti këtu e një çerek shekulli më parë: ostracizmin, mungesën e etikës dhe papërgjegjësinë e politikës sonë. Dhe, duke rilexuar Ukshin Hotin, për ta kuptuar më mirë ambientin tonë politik dhe shoqëror, e ndiej fort mungesën e tij në Prishtinë.

Do të dëshiroja shumë, tepër shumë, që ai të ishte në mesin tonë, ta analizonte rënien përtokë të etikës politike dhe t’i shfaqte hapur mendimet e tij të çmuara, se si dhe pse u zvetënua politika jonë në këtë nivel të ulët etik dhe intelektual.

  1. Koncepte origjinale për politikën

Filozofia politike e Ukshin Hotit karakterizohet me koncepte origjinale në lidhje me idenë e lirisë, republikës, demokracisë (autentike), kombit, bashkimit të kombit, barazisë, legjitimitetit, moralit, sundimit, paqes, luftës etj. Mendimi i tij për politikën është filozofik e shkencor. Ai ka qenë një lexues i pasionuar i klasikëve të filozofisë dhe i mendimtarëve bashkëkohorë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në mendimet e tij teorike ka një ndërthurje në mënyrë të jashtëzakonshme të mendimit tradicional filozofik me sistemet teorike të Kohës së Re dhe pikëpamjet e teoricienëve bashkëkohorë.

Nga fusnotat e librave të Ukshin Hotit e kuptojmë se ai ishte një lexues i rregullt i revistës amerikane “Foreign Affairs” dhe i autorëve bashkëkohorë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe personaliteteve politike të kohës. Ai citon George Kennanin, Hans Morgenthaun, George Orwellin, Henry Kissingerin, por edhe Mao Ce Dunin, Trumanin, Richard Nixonin etj. Me të drejtë Moikom Zeqo shkruan se libri i Ukshin Hotit “është një pasqyrë morali për secilin nga ne, një monument sigurie dhe vetëdijeje” (Zeqo 1995: 4).

Sipas Ukshin Hotit, “njeriu antik i kohës së Aristotelit, në polisin (qytet-shtetin) e tij e gjente formën e ekzistimit të mundshëm, më të sigurt, formën e realizimit të tij si njeri” në mënyrë spontane, përderisa Hegeli e ngre “spontanitetin e tillë të konvergimit të njeriut me shtetin” në nivelin e “aktit të vetëdijshëm, dhe njeriu (i Hegelit), do ta realizojë veten në organizimin e shtetit ideal borgjez” (Hoti 1995: 6).

Hoti përshkruan paanshëm idealizmin e Marksit për shuarjen e shtetit. Marksi shpresonte se shteti “do të shuhet në ‘perandorinë e lirisë’ të ‘çliruar nga detyrimi i punës (mbretëria e domosdosë)’ dhe njeriu i realizuar në këtë mënyrë nuk do të ketë nevojë për politikë” (Hoti 1995: 6). Hoti kishte konsideratë edhe për konceptin e Maks Veberit, i cili nocionin e politikës e ndërlidh me pushtetin.

Bazuar në këto koncepte klasike filozofike, të sjella në kujtesë, Ukshin Hoti e kupton politikën si një dimension të veprimit njerëzor që ka të bëjë “me rregullimin e punëve shoqërore (ta hetojë raportin midis aparencës dhe qenësisë së gjërave në dobi të emancipimit)” (Hoti 1995: 9). Ai shkruan se politika “është lëndë me të cilën merret shkenca politike” (Hoti 1995: 9). Pra, në këto dy formulime përfshihen dy dimensionet themelore të politikës: politika si veprimtari dhe si shkencë. Lexuesi mund të konstatojë se Hotit i janë të njohura dy dimensione të politikës: politics dhe policy ose issue (Hoti 1995: 10). Në ndërkohë shkenca politike bashkëkohore ka shtuar edhe një dimension të tretë që është “polit”, i cili ka të bëjë me dimensionin e sistemit politiko-institucional.

Edhe pse Hoti nuk i shpjegon më tutje në detaje, e shohim të udhës që të shfrytëzojmë këtë rast, për ta vazhduar mendimin më tej, duke konstatuar se këto tri dimensione përcaktojnë, në të vërtetë, tri çështje bazë të politikës bashkëkohore. Dimensioni i parë i quajtur si politics (procesi politik) ka të bëjë me këto fusha të politikës: veprimin politik, procesin politik, interesat, pushtetin, konfliktet, kompromiset etj. Dimensioni i dytë i quajtur si polity (struktura politike) ka të bëjë me rregullimin politik, kushtetutën, normat bazë, institucionet dhe rregullat e tjera normative-kushtetuese. Dimensioni i tretë i quajtur policy (përmbajtja politike) përmban në vete qëllimet politike, detyrat, programet, planet dhe strategjitë (Böhret /Jann /Konenvet 1988: 7).

Hannah Arendt ka shkruar se njerëzit merren me politikë për shkak se kanë nevoja dhe interesa. Politikën e komandojnë interesat, jo emocionet. Atë e udhëheq arsyeja, jo instinkti. Në këtë linjë edhe Ukshin Hoti politikën e kupton “si aktivitet për rregullimin e pozitës së njeriut në shoqëri” (Hoti 1995: 11). Dhe, ai ka plotësisht të drejtë kur konstaton se jo secili që merret me politikë mund ta njohë atë: “Sikurse që në poezi çdo vjershëtar nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë çdo njeri që merret me të nuk bëhet automatikisht edhe njohës i saj dhe, aq më pak, njohës i shkencës mbi politikën” (Hoti: 1995: 14).

  1. Morali dhe e vërteta

Në 20-vjetorin e zhdukjes së tij pa gjurmë, mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse merrej Ukshin Hoti me politikë? Pse nuk shihte punën e vet? Pse nuk i mjaftonte atij katedra e Universitetit?

Përgjigjen në këtë pyetje na e jep vetë, duke e krahasuar politikën me artin. Ai shkruan: “Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të kënaqen shumë njerëz, me ndonjë vepër të bukur politike mund të shpëtojë një popull apo më shumë sish si dhe anasjelltas, me veprën e falsifikuar mund të dëmtohet blerësi, ndërsa me politikën e falsifikuar mund të dëmtohen popujt” (Hoti 1995: 11). Pra, në këtë fjali mund ta gjejmë burimin e motivit etik të veprimit politik të Ukshin Hotit: shpëtimin e një populli përmes veprimit politik.

Ukshin Hoti nuk e ndan moralin nga politika. Politika për të edhe si shkencë dhe edhe si aktivitet politik duhet ta marrë parasysh “aspektin moral të çështjeve të caktuara, qoftë si norma të stabilizuara morale gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore, qoftë si norma të kodifikuara të së Drejtës Ndërkombëtare Publike” (Hoti 1995: 12). Pra, ai synon një raport të drejtë në mes të moralit dhe politikës. Duket se Hoti është në të njëjtën linjë me sociologun amerikan Amitai Etzioni, sipas të cilit, “morali bazohet në ndërveprimin kompleks të tre faktorëve: ndërgjegjes individuale, zërit moral të bashkësisë dhe shtetit” (Etzioni 1995: 48).

Hegeli në “Fenomenologjinë e frymës” e absolutizon të vërtetën përmes thënies së tij programatike: “E vërteta është e tëra” (Hegel 1999: 19). Edhe Ukshin Hoti tregohet i pakompromis kundër “afirmimit të gënjeshtrës në vend të së vërtetës, në kontekst të luftës për progresin e njëmendët të shoqërisë dhe jo në kontekst të ruajtjes së pozitave të pamerituara në shoqëri” (Hoti 1995: 14). Bazuar në idenë e Hegelit, Ukshin Hoti sintetizon mendimin se “intelekti do të duhej t’i shërbente popullit dhe jo vetëm vetes, dhe gjithsesi më pak egoizmit individual” (Hoti 1995: 15). Kjo është përgjigja e tij në pyetjet e shtruara në fillim.

  1. Lufta e ftohtë dhe detanti

Në librin “Lufta e ftohtë dhe detanti”, i cili është botuar në vitin 1976 nga Qendra Krahinore për Arsimin Marksist në Prishtinë, Ukshin Hoti përshkruan doktrinën dhe instrumentet e politikës ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë, karakterin e kësaj lufte, investimet në armatim të dy superfuqive të kohës, rolin e ShBA-së, të BRSS-së dhe të Kinës gjatë Luftës së Ftohtë, politikën e detantit, uljen e tensioneve dhe koekzistencën paqësore si dhe Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sot OSBE.

Hoti analizon me një precizitet të admirueshëm raportet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare: në vendet e Evropës Lindore pushteti gradualisht kalon në duart e partive komuniste, ndërsa në vendet e tjera, në të cilat ishin të pranishme njësitë amerikane dhe britanike, mbahen zgjedhjet e lira demokratike. ShBA-ja dhe Britania e Madhe dalin nga lufta si superfuqi, Franca e humbi statusin e fuqisë së madhe, Bashkimi Sovjetik depërton në krye të ranglistës së fuqive të mëdha, Gjermania dhe Japonia vihen nën kontroll të fuqive fituese të LDB. Bota ndahet në sfera të interesit politik, ekonomik dhe ushtarak.

Hans Morgenthau në librin e tij “Politika ndërmjet kombeve” ka numëruar këto elemente të fuqisë së një kombi: gjeografia, burimet natyrore (ushqimi, lëndët e para), kapaciteti industrial, përgatitja ushtarake (teknologjia, udhëheqja, sasia dhe cilësia e forcave të armatosura), popullsia, karakteri kombëtar, morali kombëtar, diplomacia, cilësia e qeverisë (Morgethau 2011: 137). Në akord me pikëpamjet e Hans Morgethaut për elementet e fuqisë së një kombi, Hoti numëron si atribute të një fuqie të madhe shtetërore madhësinë e territorit shtetëror, numrin e banorëve, shkallën e zhvillimit ekonomik dhe orientimin politik. Republika Popullore e Kinës, sipas tij, e luan rolin e fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, jo pse i plotëson atributet e lartpërmendura, por vetëm me numrin e madh të popullsisë dhe madhësinë territoriale. Kjo gjendje në vitin 2019 ka ndryshuar. (Vijon)

Image result for ukshin hoti

Lajme të sponsorizuara