Finalja e parakohshme Real – PSG

08 korrik 2025 | 15:01

Real Madrid-PSG do të jetë padyshim finalja e parakohshme e Botërorit për Klube, duke qenë se të mërkurën në New York do të vihen përballë dy skuadrat pretendete për ngritjen lart të trofeut.

Nga njëra anë kampionia e Evropës PSG, që edhe ndaj Bayernit tregoi se vijon sezonin shpërthyes me ekipin e Luis Enriques që nuk po njeh rival dhe nga ana tjetër Reali i Xabi Alonsos. Megjithëse është ende herët për ta quajtur të tillë, duke qenë se tekniku spanjoll ka shumë pak javë që është në krye të mbretërorëve, skuadra e Real Madrid mbetet gjithnjë një emër i madh i futbollit botëror, një skuadër që është në gjendje të mposht këdo e në çdo kohë. Por një sfidë brenda sfidë do të jetë padyshim takimi me të kaluarën e tij nga sulmuesi francez Kylian Mbappe.

7 sezone tek parisienët janë mjaftueshëm për t’i dhënë një peshë të fortë emocionale Mbappes teksa do të sfidojë ish skuadrën e tij për herë të parë. Së fundmi mësohet se Kylian Mbappe ka tërhequr padinë penale për ngacmim moral dhe tentativë shantazhi ndaj ish-klubit të tij, PSG, të paraqitur më 16 maj. Sipas “L’Equipe”, lojtari i Real Madrid ka vendosur të ulë tensionet ligjore për t’u fokusuar te futbolli.

Megjithatë, ai vazhdon procesin në gjykatën e punës në Francë, ku kërkon rreth 55 milionë euro nga PSG-ja për paga dhe bonuse të papaguara. Marrëdhëniet mes palëve janë tashmë dukshëm të përmirësuara. Ndërkohë Real Madridi, megjithëse ka mbërritur deri në gjysmëfinale të Botërorit për Klube po mendon për sezonin e ardhshëm.

Në veçanti, klubi i Florentino Perez i ka kërkuar federatës spanjolle të shtyjë ndeshjen e tij të parë në La Liga 2025/2026 kundër Osasunës. Java e parë e kampionatit spanjoll është planifikuar për datat 16 dhe 17 gusht, me ndeshjen Real Madrid- Osasuna që ishte caktuar fillimisht për të martën më 19 gusht, pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube. Por kjo nuk mjafton: tani “Los Blancos” kanë kërkuar që ajo të shtyhet madje deri në tetor, në mënyrë që të kenë një javë shtesë pushimi pas lodhjeve të turneut në Amerikë. Pritet shumë shpejtë të mësohet edhe se cila do të jetë përgjigja e federatës spanjolle.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thirrur për të enjten…