
Flick për Yamalin: Nuk mjafton veç talenti…
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve.
E ndër temat që i ka prekur trajneri gjerman ishte edhe ajo e yllit të ri të gjigantit katalunas dhe të futbollit evropian, Lamine Yamal, shkruan “Gazeta Express”.
Flick e përmendi talentin e jashtëzakonshëm të 18-vjeçarit, por insistoi se talenti nuk mjafton nëse nuk bëhet punë e madhe nga lojtari që përfundoi në pozitën e dytë në garën për Topin e Artë.
“Ai është i jashtëzakonshëm, por ka edhe lojtarë të tjerë të jashtëzakonshëm në ekip. Ai është 18 vjeç dhe gjithashtu duhet të përqendrohet në angazhimin e tij. Për t’u ngjitur në nivelin tjetër, një ose dy hapa më lart, duhet të punosh shumë; vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm” paralajmëroi Flick.
“Nuk ka të bëjë vetëm me të luajturit me topin, por edhe me mbrojtjen. Kjo është ajo që presim nga të gjithë lojtarët, jo vetëm nga ai. Ai është një lojtar i shkëlqyer me topin dhe kjo është ajo që bën diferencën”, shtoi trajneri gjerman.
Përfaqësuesi spanjoll konsiderohet sot si njëri prej futbollistëve më të mirë në botë.