
Foda optimist për Ligën e Kombeve
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka dalë sot në konferencë për shtyp, ku ndër të tjera foli edhe për Ligën e Kombeve, e cila do të nisë në muajin shtator.
Trajneri gjerman thotë se ekipi Dardan do të japë maksimumin, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë.
“Jemi të gatshëm për Ligën e Kombeve dhe shpresojmë që të performojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi optimistë, por do ta japim maksimumin në fushën e lojës, ndonëse do të jetë vështirë”, tha ai fillimisht.
Tutje, Foda foli edhe për ndeshjen miqësore të muajit të ardhshëm, duke e cilësuar si test para Ligës së Kombeve.
“Ndeshja ndaj Norvegjisë do të na ndihmojë shumë. Do të shohim se ku jemi, pasi ky është testi i fundit përpara përballjeve të Ligës së Kombeve”, shtoi ai.
Kosova do t’i nisë ndeshjet e Ligës së Kombeve në muajin shtator, derisa është shortuar në grup me Qipron, Rumaninë dhe Lituaninë.