FOTOGAZETARIA E LUFTËS NË REVISTËN KOMBI

22 korrik 11:25

SHPRESË MULLIQI

Punimi për këtë temë është bërë i motivuar nga dëshira për ta prezantuar vlerën e fotografisë dhe fotografëve si pjesë e rëndësishme e revistës “Kombi” si dhe vlefshmërinë e tyre si burim për ta dokumentuar një ngjarje historike me rëndësi për kombin shqiptar në përgjithësi, e në veçanti për gazetarinë shqiptare, sepse është revista “Kombi” ajo e cila vuri themelet e asaj që njihet si gazetari e luftës. Ky punim, gjithashtu, mëton ta analizojë nevojën historike për ta dëshmuar krimin dhe përmes tij atdhedashurinë, në të njëjtën kohë të ruhen vlerat njerëzore dhe ato profesionale të gazetarëve.

Natyrisht, si pjesë e kësaj ekipe gazetëbërësish, nuk do të jetë e lehtë të krijohet distanca. Mirëpo, kjo nuk është shkencë matematikore kur çdo gjë funksionon sipas disa formulave të paracaktuara sepse, para së gjithash, ne jemi njerëz dhe, siç thotë dhe Stuart Hall në librin “Përkushtimi i fotografëve të lajmit”[1], ndonjëherë ideologjia e mbisundon vizualen, duke bërë përzgjedhjen e atyre pamjeve të cilat janë në funksion të asaj që konsiderohet se është mesazhi të cilin duam t’ia përcjellim opinionit, apo se pikërisht është kjo ajo që opinioni pret nga ne.

Përzgjedhja e momentit, e këtij personi apo atij, e këtij këndi apo atij tjetrit, e këtij incidenti apo atij tjetrit, për ta prezantuar një ngjarje në tërë përbërjen e saj, ka kaluar nëpër një proces të tërë, e që është një procedurë jo vetëm ideologjike por, para së gjithash, profesionale e që, në fund të fundit, ka riprodhuar atë që me të vërtetë ka ndodhur dhe ka sjellë para publikut të gjerë një ngjarje përmes fotografive dhe fjalëve ashtu siç ka ndodhur.

 Histori e shkurtër e fotogazetarisë

Fotografitë nuk janë evidencë e historisë; ato janë vetë historia.[2]

Nëse mëtojmë që këtë profesion ta shohim nga një këndvështrim shumë i ngushtë dhe i thjeshtë, atëherë do të themi se fotogazetari është të rrëfyerit e një ngjarje përmes fotografive. Por, dhe përkundër kësaj, ne nuk duhet të harrojmë se kjo nuk është e tëra, nuk është thjesht vetëm një rrëfim i ngjarjes përmes fotografive sepse, njëkohësisht, është edhe bartje e të së vërtetës. Fotogazetaria ofron informata përmes të cilave lexuesi do ta ketë një pasqyrë të qartë mbi atë se çfarë po ndodhë. Dhe, këtu, mbase dhe nuk do të ishte e tepërt që edhe një herë ta përkujtojmë thënien e vjetër kineze, e cila thotë se “një fotografi vlen sa një mijë fjalë”.

Ndërsa fotogazetaria e luftës është bërë pjesë përbërëse e jetëve tona që nga Lufta e Parë Botërore, kur dhe u bënë fotografitë të cilat dëshmuan tmerret e luftës dhe pasojat që ajo la në shtete dhe kombe të ndryshme.

Rëndësia e fotogazetarisë

 Fotogazetaria çdoherë e më shumë po bëhet videograf, sepse një ngjarje regjistrohet përmes fotografive dhe janë pikërisht fotografitë të cilat e bëjnë apo e shkatërrojnë një gazetar apo revistë. Detyrë e fotogazetarisë është që të mësohet e vërteta, e vërtetë kjo të cilin që të dyja palët duan ta përvetësojnë, por që mund të bëhet publike vetëm përmes gazetarisë së paanshme, ashtu që lexuesi mund vetë të gjykojë se cila është e vërteta.

Etika dhe fotogazetaria

Ideja e fotogazetarisë si profesion është e vjetër vetëm disa dekada. Prandaj dhe është përmendur fare pak mbi etikën e fotogazetarisë në librat të cilat iu dedikohen studentëve të gazetarisë. Në të vërtetë, gjatë gjithë periudhës së botimit të teksteve për gazetari, vetëm një libër i është kushtuar tërësisht etikës së fotogazetarisë, libri Etika dhe praktikat në gazetari i Albert Henning[3], ku, mes të tjerash, thuhet se fotografët pa hezitim mund të konsiderohen gazetarë dhe se pak redaktorë duhet të kalojnë nëpër shkollat apo përgatitjet në të cilat kalojnë fotografët, për ta përzgjedhur një temë. Kjo nënkupton se fotografët janë ata të cilët, përveç qëllimit të fundit, fotografisë, duhet të kenë parasysh edhe një mori faktorësh kur marrin pamje nga një vendngjarje, gjatë një interviste, në një reportazh, sepse një pakujdesi e vogël mund të shkatërrojë gjithçka. Në këtë kontekst duhet të përmendet edhe një autor tjetër, Wilson Hicks, i cili shumë vite më vonë, në librin Fjalët dhe fotografitë, insiston se fotografët dhe fotografitë duhet të kenë po të njëjtin respekt si fjalët dhe shkrimtarët, edhe pse në një pjesë të librit, ku flet për etikën në fotogazetari, thotë se ka disa situata në të cilat “mbindërtimi, riaranzhimi dhe udhëzimi janë të nevojshme[4], gjë e cila sot edhe mund të konsiderohet si joetike dhe mund të sjellë deri te diskutimet e shumta.

Mirëpo, mbi dhunimin e etikës dhe gazetarisë, edhe përkundër shumë debateve dhe diskutimeve, mbetet akoma për t’u thënë, ndërsa në këtë punim do të ndalemi në disa prej shembujve të cilët mund të gjenden edhe në fotogazetarinë botërore. Në këtë kontekst mund të përmendim “150 vjet të fotogazetarisë” të revistës “Times”, në të cilën ekspertët shkruajnë se ka me qindra fotografi të paharrueshme ku janë shënuar “ngjarje të mëdha, imazhe të luftës dhe paqes, të varfërisë dhe të triumfit, janë ato të cilat kanë ngelur në mendjet dhe zemrat tona”.[5] Dhe, si për ironi, tetë nga dhjetë fotografitë të cilat kanë gjetur vend në këtë libër, kanë probleme etike, ku njëra prej fotografive “të paharrueshme” është bërë edhe më e paharrueshme përmes manipulimit kompjuterik. Pastaj, shembulli tjetër është ai i fotografit të Luftës Civile, Alexander Gardner, i cili i ka lëvizur trupat e viktimave[6] për të ilustruar, në imazhe të ndara, ushtarët e Konfederatës dhe ata të Unionit.[7]

Këtu do të ndalemi për ta ilustruar këtë pjesë me përvojën e revistës “Kombi” dhe të gazetarëve të saj. Fotoreporterët e revistës “Kombi” (e që ishin vetë gazetarët e redaksisë apo bashkëpunëtorët), jo rrallë kanë hasur në pamje përmes të cilave është testuar profesionalizmi i tyre. Nuk duhet harruar se kushtet në të cilat është punuar si dhe pajisjet të cilat janë përdorur në terren lënë shumë për të dëshiruar por, megjithatë, ata nuk janë sfiduar as edhe një herë të vetme që të bëjnë intervenime të tilla të cilat do ta ndryshonin autenticitetin e imazhit, edhe historinë e ngjarjeve.

Gjatë gjithë periudhës sa është botuar kjo revistë të gjitha fotografitë e prezantuara kanë qenë autentike, të marra me pëlqimin e bashkëfolësve, apo në raste të dëshmive të masakrave, kanë qenë brenda kufijve të shijes së mirë, gjegjësisht kanë dhënë imazhe të cilat konsiderohej se mund të plasoheshin në opinion pa i lënduar familjarët e viktimave apo dhe pa cenuar dinjitetin e viktimës, sikur dhe kërkohet me kodin e gazetarëve të Kosovës, apo dhe atë të Shoqatës së Fotogazetarëve.[8] Madje, përpos në një rast të vetëm, për të cilin do të flasim në një pjesë të këtij punimi, nuk ekziston madje asnjë ndërhyrje më e vogla në përpunimin e fotografisë.

Siç edhe mund të shihet në fotografinë[9] në vend të editorialit, si pjesë e një reagimi të bërë pas deklaratave të pamatura dhe skandaloze të Jiri Dienstbier, i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për Ballkan, një dromcë e të bërave të makinerisë vrastare serbe është prezantuar përmes tri fotografive, pa intervenuar në asnjërën prej tyre, arrihet qartë dhe saktë të përcillet mesazhi si protestë, dhe të thuhet saktësisht ajo që është synuar me atë rast, por gjithnjë, duke pasur parasysh faktin se e vërteta (në këtë kuadër, pra as fotografia me pamje nga një ngjarje) nuk duhet të retushohet, si dhe nuk mund të bëhet lojë me viktimat e krimit. Kjo më së miri ilustrohet në fotografinë e mesit, të dytën pra, e cila është bërë ashtu që flet mjaft mbi barbaritë serbe gjatë luftës së Kosovës, por që fytyrat e viktimave, megjithatë, nuk fokusohen sikur që nuk fokusohen as pjesët e tjera (të gjymtuara) të trupit të viktimave.

Ajo që mund të dalë nga kjo është se ishte qëndrim i redaksisë së revistës “Kombi”, që gazetarët e saj të arrinin çdo kund ku ishte e mundshme të arrihej në rrethana të luftës, që të fotografohej gjithçka – çdo viktimë, çdo njeri i zhvendosur, çdo kokë bagëtie e vrarë apo çdo godinë e bombarduar apo e djegur. Por, parimet e vërtetësisë duhej që t’i respektonim deri në fund, pa marrë parasysh dëshirën për të qenë i pari me një informatë, apo që ta përcjellim të vërtetën deri te publiku mbi atë që po ndodhte apo, në fund të fundit, edhe për t’i shënuar faqet e historisë përmes fotografive.

Përvojat e fotogazetarëve të luftës

 Edhe pse, nga sa u tha më lart, shihet se përkushtimi i redaksisë së revistës “Kombi” dhe i gazetarëve të saj ishte që para opinionit të plasonin vetëm të vërtetën, megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk kishte dilema të kohëpaskohshme mbi atë se çfarë duhet të fotografohet dhe çfarë të përzgjidhet për botim.

Gazetari Emin Emini, mes të tjerave, thotë se “kisha shpesh dilema etike mbi atë se a duhet ta fotografojë një imazh dhe nëse po, a duhet patjetër ta bëjë publike? Ishte e vështirë sepse në faqet e revistës së vetme që sillte pamje dhe rrëfime autentike nga tërë Kosova e përfshirë në flakë, po shkruhej historia. Dhe histori ishin edhe ato fotografi tronditëse si kjo e Reçakut[10], pas publikimit të të cilave u ngre e gjithë bota demokratike në këmbë për ta ndalur terrorin, apo jo?”[11]

Ndërsa gazetarja e kësaj reviste, Donikë Shahini, ende jeton çastet e udhëtimeve të saj anekënd trevave shqiptare në kërkim të lajmit dhe për t’i mbështetur deklaratat e shumta politike mbi terrorin që po ushtrohej mbi popullatën shqiptare. “Ndonjëherë dhe ishte e vështirë të mendoj se duhet ta marr mbi vete përgjegjësinë për përzgjedhjen e imazheve të cilat do ta ilustronin shkrimin. Ajo që nuk diskutohej fare ishte fakti se secili gazetar i ‘Kombit’ kishte për obligim të fotografohej në vendin e ngjarjes dhe me personazhet të cilat intervistoheshin sepse ishte edhe kjo që na dallonte nga të tjerët të cilët shkrimet dhe fotografitë e publikuara i huazonin nga agjencitë e huaja të lajmeve sikur të mos ishin nga Kosova[12]!”

Këtu duhet pasur parasysh edhe një fakt se fotoreporterët e agjencive të ndryshme të lajmeve së pari asnjëherë nuk shkonin në zona ku kishte veprime luftarake, por edhe nëse ndonjëherë situata mund t’i gjente në një zonë të “nxehtë”, ata nuk e gëzonin besimin e luftëtarëve guerilë shqiptarë sepse gjithmonë ekzistonte mundësia që ndonjëri prej reporterëve të huaj të punonte për një apo më shumë shërbime të inteligjencës dhe fotografitë mund të arrinin edhe në duar të shërbimit serb të inteligjencës.

Janë me qindra filma të zhvilluar nga pronari i “Foto Nikon”, Isë Hetemi, që nuk janë botuar në faqet e revistës “Kombi” por që, në fakt, kanë lënë shenjë në historinë e re për faktin se janë ekspozuar në foajeun e Parlamentit Evropian, në ekspozitën e fotografive të Haqif Mulliqit të hapur më 29 maj 1998. Në lidhje me këtë ekspozitë, në një bisedë me gazetaren Donikë Shahinim Jaak Vandemeulebrck, deputet i Parlamentit Evropian, do të deklarojë se “mezi priste që të hapej kjo ekspozitë, sepse anëtarët e Parlamentit do të mund të shihnin çfarë ka bërë regjimi serb në Kosovë”.[13] Më poshtë, po në të njëjtën intervistë Vandemeulebruck do të shtojë: “Kur e pamë këtë ekspozitë të zotit Haqif Mulliqi, si dhe ia lexuam reportazhet nga vendluftimet me plot deklarata dhe rrëfime rrëqethëse që shpijnë deri në trishtim, atëherë më duket se të gjithë anëtarët e Parlamentit sikur krijuan një bindje tjetër për shqiptarët e Kosovës si dhe për gjithë atë që ndodhte atje”.[14]

 Fotografitë e revistës “Kombi” të cilat e shënuan historinë e luftës së Kosovës

Puna e fotogazetarëve të revistës “Kombi” kishte edhe çaste të tilla ku fotografitë dhe shkrimet të cilat bëheshin për këtë revistë ishin të parat që shënonin ngjarjet e një rëndësie të veçantë për historinë kombëtare. Madje, ndonjëherë, për fat të keq, ato jo vetëm që shënuan të parat një ngjarje, duke e krijuar edhe një vizion për to por, fatkeqësisht, doli të ishin edhe fotografitë e fundit të personazheve që kishin një domethënie për një ngjarje të caktuar, për luftën e Kosovës, apo edhe për historinë tonë kombëtare në përgjithësi. Të këtilla janë, ta themi, fotografitë e Hamëz Jasharit, i cili (kam nderin ta them edhe me këtë rast) autores së këtij punimi i krijoi mundësinë e papërsëritshme që ta bëjë intervistën e vetme që kanë dhënë ndonjëherë vëllezërit Hamëz dhe Adem Jashari. Në fakt, intervista fillimisht ishte botuar brenda një reportazhi të gjatë, i cili kishte të bënte me sulmin e 22 janarit mbi familjen Jashari, me mbititullin shumë ekskluziv: “Rrëfimi i luftëtarit të lirisë, Hamëz Jashari nga Prekazi i Ulët”.[15] Titulli i këtij shkrimi ishte: “Terrorist është ai që sulmon të vrasë e jo ai që mbrohet. Ne vetëm mbrojtëm pragun tonë nga një sulm terrorit”.[16]

Mbase e veçantë tjetër e këtij reportazhi është edhe fakti se në këtë artikull të gjatë sillen edhe fotografi ekskluzive të pikave prej nga kanë qëlluar snajperët serbë gjatë sulmit të 22 janarit, si dhe mure të goditura nga predhat dhe projektilët e armëve të terroristëve serbë që sulmuan këtë familje.[17] Po ashtu, është e një rëndësie të veçantë, do të thoshim, edhe fotografia në të cilën shihen fotogazetarët e “Kombit” (autorja e këtij punimi) dhe Minire Fetahu me Selvete Hamëz Jashari e plagosur në këtë sulm dhe e vrarë vetëm pas pak javësh në sulmin e tretë të forcave terroriste serbe, dhe me Iliriana Rifat Jasharin. Mendojmë se kjo fotografi edhe si e këtillë e ka vlerën e saj ngaqë besojmë se kjo do të ketë qenë fotografia e fundit e Selvete Jasharit, e cila, pa e shëruar mirë plagën e parë, u vra nga forcat serbe. Ndoshta edhe më i rëndësishëm mund të gjykohet fakti tjetër se këtë fotografi[18] e ka realizuar heroi i kombit Hamëz Jashari.

Gazetaret e revistës “Kombi”. Fotografi e realizuar nga Hamëz Jashari

Se sa kanë punuar në terren fotogazetarët e “Kombit” dhe se cili do të jetë roli i tyre për prezantimin e historisë së luftës së Kosovës, mbase çdo lexues i vëmendshëm i kësaj reviste në atë kohë (ndërsa lexuesit ishin të shumtë ngaqë revista arrinte tirazh marramendës për kohën deri në 80 mijë kopje[19]) ka mundur ta paramendojë, mbase që nga numri i gjashtë i kësaj reviste i cili doli në shitje pak ditë pas ngjarjeve të 5 dhe 6 marsit në Prekaz. Në fakt, në këtë kohë, që nga data 5 mars në Prekaz, bashkë me disa prej luftëtarëve të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të qëndrojë kryeredaktori i revistës, Haqif Mulliqi[20], i cili para opinionit publik të Kosovës solli një numër jashtëzakonisht të madh të fotografive të cilat e dokumentonin luftën heroike të Jasharëve, por edhe shkallën e terrorit serb, në një aksion që kishte për qëllim t’i paraprinte fushatës tjetër ushtarake kundër Drenicës dhe pjesës së Kosovës që kufizohej me të: Llapush, Ortakoll etj. Madje, që në ballinë të numrit 6 të “Kombit”, lexuesi, përmes fotografive që flasin shumë, do të ketë mundësi të depërtojë në realitetin e asaj që po ndodhte atje.

Në faqet vijuese të revistës, “Kombi”[21], bashkë me rrëfimet e familjarëve dhe dëshmitarëve të ngjarjes së 5, 6 dhe 7 marsit të 1998-s (Bahtije Jasharit, Agron Jasharit, Naile Jasharit, Syleme Jasharit, Sevdie Jasharit, Sala Jasharit dhe Artan Jasharit)[22], sjell edhe pamje të familjarëve të terrorizuar të Jasharëve që ia kishin dalë ta shpërthenin rrethimin dhe ishin vendosur në fshatin Ashlan.[23]

Mendojmë se është e një rëndësie të veçantë ta sjellim në këtë pjesë deklaratën e H. Mulliqit mbi atë se përse “Kombi” ishte, të thuash, e vetmja revistë apo gazetë shqiptare që botohej në Kosovë, e cila nuk i publikoi fotografitë e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe Jasharëve të tjerë të vrarë: “Thjesht”, thotë ai, “ne e kishim bërë një vlerësim në redaksi bashkë me Haki Mulliqin, Emin Eminin, Milazim Krasniqin, Shpresë Mulliqin, Donikë Shahinin, Musa Kurhaskun, Skënder Sadikun etj.) dhe e kishim marrë një si vendim që fotografitë e të vrarëve të mos botoheshin për dy arsye. E para, lufta kishte marrë hov dhe nuk donim që pamje të tilla të kishin ndikim psikologjik te njerëzit të cilët ishin të gatshëm të shkonin në luftë dhe të vetëmohoheshin. Dhe, e dyta, ne nuk kishim dëshirë që publikut t’i shërbenim para fotografitë e luftëtarëve siç ishin Ademi dhe Hamza. Ata, në Drenicë dhe rreth saj, ishin ngritur në mite dhe legjenda dhe ne nuk donim që përmes fotove t’i shpërfytyronim dhe ta thyenim atë mit. Personalisht mendoj se Beogradi ishte i interesuar ta thyente mitin për Hamëz dhe Adem Jasharin dhe ta minimizonte luftën e tyre titanike, të Davidit kundër Goliatit”.[24] Fotografitë e Jasharëve të vrarë, të ekspozuar në oborrin e një shitoreje të materialit ndërtimor në Tushillë të Skenderajt, që i kishim ne, i ka bërë Bekim Shyti.[25]

Ngjarjet i mbulonin ngjarjet

 Nëse do t’i referohemi edhe një herë në këtë punim numrit 6 të revistës “Kombi”, do të shohim se në fundshkurt dhe në fillimmars të vitit 1998 kishin ndodhur shumë ngjarje epike dhe tragjike në të njëjtën kohë. Kështu, ta zëmë, po në numrin 6 të “Kombit” reporterët dhe fotogazetarët e kësaj reviste do të sjellin, së bashku me shkrimet e faktuara, edhe një serë fotografish që kishin të bënin me rastin e dy masakrave të bëra më 28 shkurt të vitit 1998 në Likoshan të Drenasit dhe në Qirez të Skenderajt, fshatra këta që ndërmjet vete i ndante një përrua i vetëm. Bashkë me rrëfimin e saj, “Kombi” sjell fotografinë e plakës Dinore Ahmeti[26], së cilës pushtuesit serbë i vranë në Likoshan 11 anëtarë të familjes, më pas edhe fotografinë e Sefer Nebihut[27] nga Qirezi, të cilit në aksionin kriminal të policisë serbe iu vranë djemtë Gjemshiri dhe Iliri si dhe reja Rukija, shtatzënë në muajt e fundit para lindjes. “Kombi” në këtë artikull botoi edhe imazhe të barbarisë serbe dhe vendet ku ishin vrarë Rexhep dhe Naser Gjeli[28], por as kësaj radhe “Kombi” nuk botoi pamjet e njerëzve të vrarë siç ishin katër vëllezërit Sejdiu nga Qirezi, apo kufomat e njëmbëdhjetë anëtarëve të masakruar të familjes Ahmeti, të cilët u sollën nga morgu i Prishtinës, madje të paekzaminuar, e mbi të cilët viheshin re gjurmët e torturës çnjerëzore që i kishin bërë serbët mbi këta civilë të paarmatosur.

Po në këtë numër, bashkë me shkrimin përcjellës, autorja e këtij punimi, bashkë me fotoreporterin Emin Emini, në shkrimin me titull: “Familja e Avdullah Nikës nuk e di përse ka ndodhur vrasja”[29] sjellin edhe pamje me familjarët e Avdullah Nikës nga Gllanasella e Drenasit, i cili u masakrua nga serbët në vendin e tij të punës, në Çikatovë të Vjetër, në punktin për shpërndarje ndërkombëtare të energjisë elektrike.[30] Këto pamje dhe biseda u realizuan vetëm një natë para se të sulmoheshin Likoshani dhe Qirezi, fshatra këta në fqinjësi të parë të Glllanasellës.

Po në këtë numër, gazetari i “Kombit”, Zymber Kelmendi, bashkë me artikullin e tij me titull “Pamja rishtuese në rrethojën e fabrikës së municionit: koka të prera të qenve si simbol i kërcënimit të paramilitarëve serbë ndaj shqiptarëve”[31], sjell edhe pamje nga Prekazi vetëm një ditë para se të sulmoheshin Jasharët, me ç’rast kishte shkruar për zhdukjen e Idriz Idrizit nga ky fshat.

Mbase një prej karakteristikave të “Kombit”, pas fillimit të shtrirjes së luftës në Kosovë, është se në ballinë, ku jo rrallë janë sajuar kolazhe të fotografive që ishin një dëshmi e asaj që kishte ngjarë ndërmjet dy numrave, por edhe një si udhëzues për lexuesit mbi atë se çfarë përmbante numri vijues i revistës. Shembull mbase mund të jetë numri 7 i revistës “Kombi”, i datës 31. 3. 1998, i cili sjell shumë të dhëna mbi atë se ç’po ngjante në Kosovë në atë kohë, ndërsa tek lexuesit e shtonte besimin në shkrimet e revistës si dhe i arsyetonte pritjet e mëdha se reporterët, fotoreporterët dhe gazetarët e “Kombit”, të cilët, për asnjë herë të vetme nuk kishin kërkuar asnjë lloj leje pune nga policia serbe, po arrinin gjithandej për të sjellë storie mbi luftën që po merrte krah e, gjithashtu, edhe për barbarët serbë të cilat ishin paralajmërim se Beogradi kishte filluar ta humbiste toruan tok me Kosovën e cila tashmë ishte futur seriozisht në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë.

E veçanta tjetër që solli ky numër i “Kombit” kishte të bënte me faktin se lufta në Kosovë tashmë ishte zgjeruar edhe në Rrafshin e Dukagjinit dhe se, rrethimi i hekurt që po i bëhej Drenicës tashmë po humbiste kuptimin. Në këtë numër lexuesit, përveç një shkrimi të gjatë dhe të detajuar të bërë nga Haqif Mulliqi, me titull: “Agron dhe Gazmend Mehmetaj ranë duke mbrojtur 80 nxënësit e shkollës së Gllogjanit”[32], fotoreporterët e revistës sjellin edhe pamje nga beteja e Gllogjanit e 24 marsit 1998.

Në këtë numër, përveç shumë fotove të tjera, publikut i sollëm para sysh edhe fotografinë e nxënësve të shkollës së Gllogjanit të cilët fillimisht u morën peng nga ana e policisë serbe[33], me ç’rast, për t’u dalë në ndihmë atyre, ranë në altarin e lirisë edhe dy dëshmorë nga ky fshat i Dukagjinit, Agron dhe Gazmend Mehmetaj.[34] Gjithashtu, mund të konsiderohet mjaft kurajoze edhe fotografia e kryeredaktorit të kombit, Haqif Mulliqit, i cili ishte ndër njerëzit e parë që u fut në këtë fshat pas tërheqjes së forcave serbe (bashkë me Aqif Shehun, Astrit Haraçinë dhe Kujtim Petërshanin), i cili fotografohet me një pancir të policit serb në duar, duke e parashtruar pyetjen shumë ironike: “Panciri po, po ku mbeti polici”?[35]

Mendojmë se në këtë mes mund të sjellim edhe një fakt interesat. Kryeredaktori i “Kombit”, në natën e 25 marsit, bashkë me bashkëpunëtorët e vet nga Gjakova, u fut në morgun e Spitalit të Gjakovës që t’i fotografonte kufomat e shqiptarëve të vrarë. Kjo nuk ishte ndërmarrje e thjeshtë, ngaqë morgu, që i kishte dritat e fikura, ndodhej pikërisht në mezhdë me kazermën e ushtrisë serbe në Gjakovë, ndërsa për t’u orientuar duhej ndezur dritat. Kur u ndezën dritat, në morg (në dysheme) ishin të shtrirë dy djem të rinj, të shpuar nga projektilët e pushkëve serbe. Kryeredaktori i “Kombit” i bëri disa fotografi, por ato nuk u botuan asnjëherë në revistë. “Nuk doja. Nuk kisha dëshirë që familjarët e ngushtë t’i shohin ato foto. Dhembja e tyre ishte edhe ashtu e madhe”.[36]

Por, e veçanta ishte se, më pas, pikërisht me ato dy fotografi, Sokol Dobruna[37] me disa të tjerë shkuan në Skivjan të Gjakovës ku jetonte një familje nga Gllogjani. Aty u kuptua se fjala ishte për Agron dhe Gazmend Mehmetajn.

Ky numër i “Kombit” sjell edhe pamje të tjera të bëra gjatë vizitës së janarit në shtëpinë e Jasharëve, siç është ajo e përmendur më sipër me vajzat e mëdha të familjes; më as edhe një fotografi të tërë familjes së vrarë të Hamëz Jasharit; pamje nga ajo se si është dukur shtëpia më 28 janar (foto e bërë nga autorja e këtij punimi) si dhe pamje e të njëjtës shtëpi, të shkatërruar gjatë sulmit dhe rezistencës së 5 dhe 6 marsit (e punuar nga Donikë Shahini).[38]

Këto ilustrime nga Prekazi bëhen brenda intervistës së plotë të Hamëz Jasharit, që po vinte tashmë para publikut dhe të cilën heroi e kishte dhënë enkas për revistën “Kombi”. Kjo intervistë e rëndësisë së madhe, e bërë nga autorja e këtij punimi, mban titullin: “Jam i gatshëm në çdo moment ta pres vdekjen”.[39]

Pamje shumë ekskluzive në këtë numër të “Kombit” vijnë nga gazetarja Donikë Shahini e cila në reportazhin: “Ata u vranë dhe u masakruan, nga pesë deri në shtatëdhjetepesë”.[40] D. Shahini besojmë të ketë qenë gazetarja e parë që është futur në ambientet e shtëpive të familjes së Shaban Jasharit, pas 5, respektivisht 6 marsit. Ajo në këtë ekspeditë ishte e shoqëruar nga një gazetar japonez dhe një tjetër italian, të cilët ia mundësuan që, si përkthyese e tyre, të futej te Jasharët.

Numri 9 i revistës “Kombi”, bashkë me një foto nga një ceremonial varrimi, sjell edhe kryetitullin e shënuar me shkronja të mëdha: “KJO ËSHTË LUFTË”.[41]

Në brendësi të gazetës kemi shkrime që sjellin pamje të cilat dëshmojnë se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte një nismë e cila popullin e këtij vendi[42] duhej ta shpinte drejtë lirisë, pa ndonjë alternativë tjetër.

Një fotografi për të gjitha kohët

Në periudhën për të cilën po shkruajmë nuk ishin të paktë gazetarë të huaj të cilët improvizonin intervista me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fakt, i mjaftonte një gazetari të huaj që ta takonte një fshatar me një pushkë të vjetër në krahë dhe ta merrte një opinion nga ai lidhur me luftën, UÇK-në, Adem Jasharin, politikën serbe në Kosovë etj. Shtypi ndërkombëtar kishte përplot shkrime të këtilla, por asnjë pjesëtar të UÇK-së të identifikuar me emër dhe me mbiemër. Kështu, mbase këmbëngulja e redaksisë së “Kombit”, apo edhe fati e deshi që, pas intervistës historike me Hamëz Jasharin, pikërisht në faqet e “Kombit” të botohet një intervistë superekskluzive me tre luftëtarët e lirisë: Ilaz Kodrën, Sami Lushtakun dhe Jakup Nurën.[43] Këta tre luftëtarë, tashmë ishin eprorë të lartë të UÇK-së, por njiheshin edhe si tre luftëtarë të orëve të para dhe bashkëluftëtarë të komandantit Adem Jashari.

Intervista me Sami Lushtakun, Iliaz Kodrën dhe Jakup Nurën, që u realizua nga H. Mulliqi, u botua në numrin në vijim të “Kombit”.[44] Një fotografi impozante e Sami Lushtakut u botua në ballinë të revistës. Revista u shit për më pak se 40 minuta në gjithë Kosovën me një tirazh prej 70 mijë kopjesh. Më 17 maj 1998 në shtypshkronjën “Koha” u rishtyp edhe një tirazh i plotë i revistës, ngaqë nevojat ishin marramendëse. Ndërsa drejtori i “Kombit”, Haki Mulliqi, kujton sot me sa vijon: “Tirazhi në fjalë arriti në 150 mijë kopje, por jam i sigurt se, po të kishim mjete, revista mund të arrinte një tirazh prej të paktën 400 mijë kopjeve”.[45]

Në ditët në vijim, në demonstratat që organizoheshin në Prishtinë, ballina e revistës, tok me portretin e Sami Lushtakut, u gjet në duart e demonstruesve. Ata e thërrisnin emrin e luftëtarit S. Lushtaku, i cili pas një kohe do të emërohej komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Drenicës.

Reporterët dhe fotoreporterët e “Kombit” ishin të palodhshëm dhe vepruan në të gjitha zonat e luftës: Haqif Mulliqi në zonën e Drenicës, të Llapit, të Shalës dhe të Karadakut; Emin Emini në zonën e Drenicës dhe atë të Shalës; Donikë Shahini në zonën e Drenicës dhe atë të Dukagjinit, Shpresë Mulliqi në zonën e Drenicës dhe atë të Dukagjinit dhe të Shalës; Musa Kurhasku në Zonën e Dukagjinit dhe atë të Pashtrikut; Izedin Krasniqi në zonën e Shalës; Afrim Mustafa në zonën e Nerodimes etj. Me një fjalë, në tërë Kosovën. Por asnjëherë nuk e humbën ekuilibrin, pavarësisht nga ajo që panë apo edhe që regjistruan me syrin e kamerës. Pavarësisht nga barbaritë e armiqve të Kosovës që po ndeshnin në çdo pëllëmbë të Kosovës ku qëndruan, qoftë në mesin e luftëtarëve, apo edhe në atë të refugjatëve që dergjeshin maleve të pamëshirshme të Kosovës. Me një fjalë, asnjëherë nuk e humbën dinjitetin. Madje, siç u theksua më lart në këtë punim, ata, bashkë me pjesën tjetër të redaksisë, me opinionistët e shquar Milazim Krasniqi, Teki Dervishi, Ekrem Kryeziu, Nexhmedin Spahiu, Melazim Koci, Bajram Kelmendi etj., të thuash krijuan një politikë redaksionale joviolente, por gjithsesi përcëlluese për “të vërtetat” e armiqve të Kosovës. Ata nuk e zbukuruan të vërtetën, por e evidentuan të atillë çfarë ishte, e vrazhdë, e dhembshme apo edhe e lavdishme. Qëllimi parësor ishte që t’i ruanin njerëzit e gazetës, por edhe personazhet e artikujve që të mos identifikoheshin.

Po u lëshuam një shikim më të hollësishëm të tërë numrave që stafi i “Kombit” i realizoi për një vjet e gjysmë luftë, atëherë do ta shohim se asnjëherë nuk u dekonspiruan, e asnjë detaj të vetëm vendet ku gazetarët e kësaj reviste zhvilluan biseda me personazhe aq të rëndësishme për luftën dhe të ardhmen e Kosovës. Asnjëherë nuk u bë asnjëlloj montimi, hiç rastin e korrektimit të një fotoje të gazetarit Afrim Mustafa i cili, gjatë kohës kur, diku në malet e Kaçanikut po e zhvillonte bisedën me komandant “Bardhin”, tashmë dëshmorin e kombit, meqë në kokë e kishte kapelën me emblemë, ajo iu mbulua që të mos kishte ndonjë pasojë.[46]

Kontributet e këtyre gazetarëve, qoftë në gazetarinë e shkruar apo edhe në fotogazetari, janë të një vlere të jashtëzakonshme jo vetëm për historinë e gazetarisë sonë. Ato janë dëshmi të një të vërtete të padiskutueshme. Të një të vërtete të cilën, më mirë se cilitdo gazetar tjetër i Kosovës, e ngrinë dhe e përjetësuan pikërisht këta reporterë dhe këta fotoreporterë të revistës e cila u financua nga një familje e vetme dhe u mbështet nga një staf burrash dhe grash të guximshëm dhe të dijshëm në shtjellimin e mjeshtërisë së gazetarisë.

Për këto arsye më 21 mars 1999 drejtori dhe botuesi i kësaj reviste, Haki Mulliqi, si dhe kryeredaktori i saj, Haqif Mulliqi, u dënuan në vlerë prej 400 mijë markash gjermane nga një gjykatë serbe e Prishtinës, sipas padisë së ministrit të atëhershëm të Informatave të Republikës së Serbisë, ndërsa presidentit të saj të sotëm, Aleksandar Vuçiq.[47]

Natyrisht se përgjegjësit e “Kombit” u shprehen publikisht se nuk e kanë ndërmend t’i paguanin ato mjete të dënimit, ndërsa do të mbahet mend deklarata e kryeredaktorit të kësaj reviste, Haqif Mulliqi, i cili, në një intervistë dhënë “Radios 21”, gazetarit Florin Kelmendi, do të shprehet: “Këtë revistë e kemi nxjerrë jo t’i përfillim dhe respektojmë ligjet e Serbisë, por t’i refuzojmë, kontestojmë dhe përmbysim ato. Ndaj, e them botërisht se ne, kurrën e kurrës nuk do t’i paguajmë asnjë metelik të vetëm Serbisë për gazetën tonë e as për punën e gazetarëve tanë”.[48]

Revista “Kombi” është një prej mediumeve të pakta që lindi, u zhvillua dhe u rrit me luftën e Kosovës. Shkrimet dhe fotografitë që zunë vend në këtë revistë janë pjesë e dokumentimit të asaj që ka ndodhur në këtë vend të luftës dhe përpjekjes për mbijetesë të popullit të Kosovës dhe të ushtrisë së saj – UÇK-së. Ndaj mendojmë se kushdo që do t’i qaset më seriozisht sot apo nesër studimit dhe vlerësimit të luftës së Kosovës, vështirë se do t’ia dalë që ta anashkalojë revistën e “Kombit” dhe të mos i shprehë mirënjohje stafit të saj të vyer, të guximshëm dhe të shkëlqyer. Por, asnjëherë nuk duhet harruar se e tëra kjo u bë në kushte dhe rrethana të papandehur për sigurinë e një gazetari apo një fotoreporteri. Me mjete të cilat është vështirë sot t’i imagjinojmë se në çfarë niveli teknologjik ishin. Por, megjithatë, kjo revistë ndodhi bashkë me stafin e saj i cili punën e vet tërësisht ia kishte përkushtuar çështjes së atdheut.

5. Konkluzion

E ardhmja e fotografisë, edhe në gazetarinë tonë, sikundër gjithandej në gazetarinë botërore, ka shënuar dhe do ta shënojë edhe në të ardhmen një pjesë të madhe të përditshmërisë sonë. Por, sido që të jetë, mendojmë dhe besojmë se detyra e një fotoreporteri gazetaresk, një fotografi të një gazete, apo edhe një gazetari me aparat fotografik në dorë, pavarësisht prej përvojës së tij në fotografibërje, asnjëherë nuk do të matet me cilësinë e kamerës fotografike, as me milionat e pikave që do t’i përmbajë apo nuk do t’i përmbajë një fotografi, por me faktin që do të ndërlidhet me profesionalizmin e një fotoreporteri apo gazetari – pra, të qenit në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Në fakt, në filozofinë e gazetarisë kjo është detyra e vetme e një fotoreporteri. Ndërsa, për të gjithë ata që nuk e dinë, të qenit reporter lufte, apo edhe fotoreporter lufte është më shumë sesa një guxim. Është edhe më shumë se mision. Është, thjesht, dëshmi e të qenit gazetar dhe fotoreporter profesionist dhe me karizëm.

Besojmë se edhe ky punim e dëshmon qartë se të këtillë ishin gazetarët dhe fotoreporterët e revistës e cila me tërë qenien iu përkushtua të vërtetës së luftës së Kosovës, pra revistës së përdyjavshme “Kombi”.

Po e përfundojmë këtë shkrim me një mendim të eurodeputetit Jaak Vandemeulebrck i cili, në maj të vitit 1998, duke parë përmbajtjen dhe angazhimin e stafit redaktues dhe të reporterëve të kësaj gazete, shprehet: “Pra, siç edhe mund të shihet dhe nga fjalët e eurodeputetit, revista ‘Kombi’ me fotografitë e veta lufton në dy fronte: në atë të të drejtës si dhe në atë të dokumentimit të saj”.[49]

Fusnotat:

[1] Caroline Brothers, War and Photography, a cultural history, Routledge, 1995, f. 11

[2] John Tagg (1988: 65)

[3] Albert Frederick Henning, Ethics and practices in journalism, New York, R. Long & R. R. Smith, inc., 1932

[4] Po aty

[5] Revista Times, 150 vjet të fotogazetarisë, 1989, f. 4

[6] Paul Martin Lester, Fotogazetaria një qasje etike, kapitulli i gjashtë Manipulimi i fotografive: http://commfaculty.fullerton.edu/lester/writings/chapter6.html, shikuar me 21.06.2009

[7] Wikipedia: Biografia e Alexander Gardner,

http://en.wikipedia.org/wiki/Alexander_Gardner_(photographer, shikuar me 21.06.2009

[8] Kodi i Etikës, uebfaqja e Shoqatës së Fotogazetarëve,

http://www.nppa.org/professional_development/business_practices/ethics.html, shikuar me datën 21.03.2019

[9] Kombi, datë 28 tetor 1998, f. 2

[10] Kombi, nr. 16, datë 27 janar 1999, f. 15

[11] Emin Emini, intervistë dhënë enkas për këtë punim

[12] Po aty

[13] Kombi, nr. 11, datë 15.06.1998, f. 18

[14] Po aty

[15] Ballina e revistës Kombi, nr. 4, dt. 02.02.1998

[16] Kombi, nr. 4, fq. 11

[17] Kombi, nr. 5, f. 12 dhe 13

[18] Kombi, nr. 4, dt. 02.02.1998, f. 12

[19] Konfirmim i këtij tirazhi nga ana e drejtorit të revistës Kombi, Haki Mulliqi

[20] Gjashtë rrathët e tmerrshëm të ferrit serb, Kombi, nr. 6, f. 8 dhe 9, datë 13 mars 1998

[21] Kombi, nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 10, 11 dhe 12

[22] Po aty

[23] Po aty

[25] Bekim Shyti, komandant i Njësisë Speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës, ndërsa në pjesën e fundit të luftës, pas ristrukturimit të UÇK-së, komandant i Gardës së UÇK-së në ZOSh

[26] Kombi, nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 14

[27] Kombi nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 15

[28] Kombi, nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 14 dhe 15

[29] Kombi, nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 28

[30] Po aty f. 28

[31] Kombi, nr. 6, datë 13 mars 1998, f. 29

[32] Kombi, nr. 7, datë 31 mars 1998, f. 5, 6 dhe 7

[33] Po aty f. 5, 6 dhe 7

[34] Po aty f. 5, 6 dhe 7

[35] Kombi, nr. 7, datë 31 mars 1998, f. 7

[36] Haqif Mulliqi, deklaratë

[37] Sokol Dobruna, veprimtar dhe ish i burgosur politik, më pas pjesëtar i UÇK-së

[38] Kombi, nr. 7, datë 31 mars 1998, f. 7

[39] Kombi, nr. 7, datë 31 mars 1998, f. 9, 10 dhe 11

[40] Kombi, nr. 7, datë 31 mars 1998, f. 12, 13

[41] Kombi, nr. 9, datë 30.04. 1998

[42] Shih faqet 3, 6, 10, 11 të Kombit, nr. 9

[43] Artikulli Kjo që po ndodh në Kosovë praktikisht është luftë, Kombi, nr. 10, datë 16 maj 1998, f. 10, 11, 12

[44] Kombi, nr. 10, datë 16.05.1998

[45] Haki Mulliqi, drejtor i Kombit, deklaratë

[46] Kombi, nr. 19, datë 21 mars 1999, f. 18

[47] http://www.ex-yupress.com/yualbpress.html

[48] Radio 21, emisioni i lajmeve, datë 21 mars 1999

[49] Kombi, nr. 11, datë 15.06.1998, f. 18

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vizituar Qendrën…