Fryma lirike si etyd dhe vlerë e shtuar në poezinë shqiptare

22 shkurt 2024 | 19:53

(Referim rreth vëllimit poetik “Në gjumoren e shpirtit” të autorit Bilall Maliqi)

“Në gjumoren e shpirtit” është vëllimi më i ri poetik i autorit të njohur Bilall Malliqi. Konteksti “gjumore”, ka kuptim definitiv përjetësie (antitezë e plotë me gjendjen letragjike), qëndresë e fortë dhe qëllim në vetvete, për të qëndruar gjërat në mënyrën më perfekte, të bukura, muzikale dhe një peisazh i zgjedhur, të cilin sa më shumë duket sikur e ke zhbiruar, aq më intrigues bëhet, e të shtyn përherë drejt labirinteve, për të kërkuar e zbuluar enigmat që e rrethojnë. Jo pa qëllim ka zgjedhur këtë titull, pasi në profilin e tij krijues, prej më shumë se 25- vitesh, ai vjen para lexuesit si shembëlltyrë që ka prekur larminë e gjithë tematikës jetë, kryesisht nga Lugina e Preshevës, për të mbrritur më pas në Kosovë e Shqipëri dhe më tej në arenën ndërkombëtare, si poet i mirëfilltë dhe gjurmë e kohës që ne përjetojmë. Padyshim që aktiviteti letrar i tij prek dimesione të reja, të cilat vijnë nga tradita më e lashtë gjer tek modernja e sotme, ndërthurje këto që Bilalli i ka pasqyruar dhe i afron dhe për brezat që do vijnë më pas. Lexuesi është mësuar me skematikën letrare të vargjeve që ndjekin rrjedhshmëri dhe rimë, lakonizimet e përmbylljeve poetike, të cilat zgjojnë kërshëri dhe e bën individualitetin e tij më përfaqësues.

Përvoja e krijuar por dhe njohja me zhvillimet më të reja e plotësojnë më së miri personalitetin krijues, shto këtu dhe si drejtues dhe përfaqësus i shoqatës letrare, mundësi dhe mendësi që kanë dhënë shtytje për të operuar me më shumë sukses në vlerat estetike letrare.

Për më tepër le të ndalemi tek prurja më e re, vëllimi poetik i autorit.

Leximi i poezive krijon atë hapësirë dhe përshkon boshtin lirk të shpirtit krijues, si gjurmë e thellë përjetimi dhe vizion i bukur, i cili të rrëmben dhe të shëtit në peisazhe nga ato metafiziket gjer tek ndjesia estetike, dhe e gjithë kjo muzë, fuqi shprehëse dhe elokencë për vetë dashurinë njerëzore.

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”- Friedrich Nietzsche

Pra endemi mes gjendjes dhe gjërave, kapërcejmë retrospektivën e vetë egzistencës dhe humbasim ndjesisë më të thellë, të cilat përmes gjetjeve dhe strukturave paraqesin tablon më të bukur, referencë për të ngjitur shkallët e Olimpit dhe mozaik fjalësh për të përjetësuar ndjenjën më esenciale.

“Kësaj mesnate

Akrepat e orës pikonin kohë “

Duke ndjekur imagjinatën, por dhe formën krijuese që kërkon të sjellë poeti, udhëtimi i shpirtit shkon përmes mesnatës, atje ku një yll shkrepëtin qiellin dhe një dritë shfaqet pas një reje, e gjitha kjo si një vegim, apo kujtesë që risjell kohën dhe shpalos çastet e mallëngjimit.

“Akrepat u zhveshën nga nata

Për t’u parë lakuriqësia e ditës

Nata ruan tonat buzëqeshje

Përderia dita zbulon një dashuri”

Sensi i kohës mbetet po aty, tek mistzmi që pret rishfaqjen e agimit, dhe e gjitha kjo në kuptimin figurativ si kristalizim i asaj ëndrre të bukur që nuk do kish mbarim, por dhe si ditë e re që zbulon të njëjtën dashuri.

I gjithë vëllimi poetik ruan formë skematike të njëjtën, lirikën e thellë dhe ovacionin, si pjesë përbërëse dhe thelb i pasionit, për të shkruar, deshifruar dhe shpalosur shpirtin romantik

“Rrugën deri te ti

Ma dëftuan në ëndërr

Nëntë Perëndeshat “

Elemnti mitik nuk mund të mungojë në poezinë e autorit, por vjen si formë shtjellash dhe imagjinatë e përtejsubkosheincës; si perëndeshë os muzë (kuptimi ciklik i 9- muzave në këtë rast) duke i dhënë jehonë në skajin më të largët, jo vetëm hapësirës lirike, por dhe gjithë poezisë, si një e tërë e plotësuar në ornamente dhe fluiditet shpirti!

“Në gjumë

Dhe në zgjimin e zgjuar

Në kopshtin tim

Në mesin

E luleve të (pran)verës

Je Ti

Si një trëndafil i kuq”

Këto vargje çelin siparin e javës, ku në formë kalendarike fillon me ditën e parë, ditë që nis me zgjimin e zgjuar të një tjetër stine, të asaj që sjell një trëndafil të kuq dhe aromatizon tërë jetën (ka gjithë elemnetet sentimentale; kopshtin e shpirtit, mesin e luleve, simbolikën e dashurisë) që në prag fillim hap të gjitha dyert dhe përshkon jo vetëm me hapa tokësore por thuajse hyjnore.

Dhe në mbyllje të kësaj poeme, por dhe të gjithë librit poeti lirik shprehet:

“E diela ngadalë

Zhveshi lëkurën e natës

Edhe ëndrrat u tretën

Dita e agimtë

Mveshi petkun e pushimit

(Ti)… në cilën pikë

Zbraz shikimin e përlotur

Apo më kërkon diku

Natyrës së peizazheve të qeta”

Evidentimi i çdo dite për të arritur gjer tek e Diela i përshkon të gjitha gjendjet, si të natyrës ashtu dhe ndjesitë e përbrendshme, ku në unison të plotë dhe referim me kohën shkrihet një me muzgjet, për t’u rizgjuar pambarimisht të nesërmes dhe falur kaq shumë emocione.

Vëllimi poetik “Në gjumoren e shpirtit” vjen si kulm estetik, shpreh ngjyrimin më të bukur të fjalëve, prek me frymë imazhet e shfaqura dhe për më tepër shton një vepër më shumë në fonetekën e pozisë lirike shqiptare.

Agron Shele, shkrimtar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Lewandowski dhe Victor Osimhen shënuan në barazimin 1-1 mes…