FSK në operacion kërkimi në Ujman – Ekspertët: Mos i përdorni ushtarët për politikë, ata s’kanë as sigurim jetësor

29 korrik 2025 | 19:42

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë sot në një operacion kërkimi për gjetjen e trupit të të riut që ra të dielën në liqenin e Ujmanit.

Ky angazhim shkaktoi reagime të shumta. Nga partia në pushtet u theksua se FSK tashmë ka nisur të veprojë edhe në veri të vendit. Ndërkohë, nga KFOR-i u bë e ditur se FSK ka zbarkuar në atë zonë me autorizimin e tyre.

Por, sa është e drejtë të politizohet një veprim i tillë kur kemi të bëjmë me një tragjedi njerëzore?

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë se politika duhet të qëndrojë larg ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë.

“Sa më pak që politika e prek FSK-në dhe sa më larg t’i mbajë duart nga Ushtria dhe Policia, aq më të shëndetshme do të jenë ato. Nuk është lajm që FSK po merr pjesë në kërkim, lajm është që të gjendet trupi në liqen”, tha ai.

Sipas Veselit, operacioni në Ujman është i rrezikshëm dhe nuk duhet të krenohemi me FSK-në vetëm kur na nevojitet politikisht, por duhet të krijohen kushte të qëndrueshme për ta.

“Nuk duhet të krenohemi me ushtarët vetëm kur na duhen politikisht. Sot jemi krenarë me ata ushtarë që po marrin pjesë në këtë operacion. A e dini sa i rrezikshëm është ky veprim? Jeta e tyre është në rrezik, ndërkohë që ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor”, theksoi ai.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e vlerëson si legjitim dhe të koordinuar me KFOR-in operacionin e zhvilluar në Ujman.

“Ky operacion, me pjesëmarrjen e FSK-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me misionin e KFOR-it, paraqet një angazhim profesional dhe në përputhje me misionin kushtetues të FSK-së për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. FSK ka mandat të qartë për kërkim-shpëtim, reagim emergjent dhe asistencë në raste fatkeqësish natyrore. Pjesëmarrja e KFOR-it dëshmon për transparencën dhe koordinimin ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Megjithatë, Shala paralajmëron se deklaratat politike lidhur me këtë operacion mund të krijojnë tension artificial dhe të keqpërdoren nga Serbia.

“Deklaratat politike që e paraqesin këtë si ‘zbarkim të FSK-së në veri’ mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të deformojnë natyrën e operacionit. Kjo retorikë mund të shfrytëzohet nga aktorë destabilizues, sidomos nga qarqe të lidhura me Beogradin zyrtar, për të ngritur akuza të rreme për provokim apo shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Shala.

Ai shtoi se është me rëndësi të nënvizohet që veprimet janë kryer në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Çdo hap i ndërmarrë nga FSK është zhvilluar në bashkërendim dhe me mbështetje të plotë nga NATO dhe KFOR, duke shmangur çdo keqinterpretim të njëanshëm”, përfundoi ai.

/Gazeta Blic/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Blerta Deliu Dhurata Hoxha, ish ministre e drejtësisë, është…