
Fushë-Kosova: Komuna që u rrit bukur, por ndërtoi pa rend e pa rregull
Pas luftës, Komuna e Fushë-Kosovës është shndërruar në një nga zonat më të zhvilluara urbanistike në vend, me ndërtesa të larta dhe pamje moderne. Ajo është rritur ndjeshëm jo vetëm në aspektin infrastrukturor, por edhe në numër banorësh. Sot, aty jetojnë njerëz nga e gjithë Kosova dhe Lugina e Preshevës, të tërhequr kryesisht nga çmimet e përballueshme të banesave, në krahasim me kryeqytetin Prishtinën.
Por, përtej pamjes së jashtme dhe zhvillimit në dukje, fshihet një realitet shqetësues: kaosi urbanistik dhe mungesa e kontrollit institucional. Pyetjet kryesore që lindin janë: si janë dhënë lejet e ndërtimit? A është respektuar ndonjë standard teknik? Ku ka qenë Inspektorati i Komunës, Drejtoria për Urbanizëm dhe kryetari i komunës?
Në shumë lagje të Fushë-Kosovës, ndërtesat janë lejuar të ndërtohen në mënyrë të pakontrolluar, ku distanca mes tyre është aq e vogël, sa banorët mund të komunikojnë me njëri-tjetrin nga ballkon në ballkon apo dritare në dritare. Në rrugën “Hajrulla Zymi”, pamjet e siguruara nga gazeta “Epoka e re” tregojnë qartë këtë absurditet urban: ndërtesa që ngjiten njëra me tjetrën, duke cenuar privatësinë dhe sigurinë e banorëve.
Ky është rezultat i një neglizhence të thellë institucionale, ku standardet urbane janë anashkaluar, e qytetarët janë lënë në mëshirën e interesave të ngushta të investitorëve dhe vendimmarrësve lokalë.
Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht në Fushë-Kosovë. Nevojitet hetim dhe ndëshkim për të gjithë ata që kanë abuzuar me përgjegjësitë e tyre — nga zyrtarët që kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin, deri te ata që kanë mbyllur sytë ndaj këtij kaosi.