
Galatasaray e kërkon Çalhanoglun, Interi kërkon 40 milionë euro
Hakan Çalhanoglu mund të largohet nga Interi. Fantazisti zikaltër, një prej figurave kyçe në sukseset e fundit të klubit italian, është në qendër të interesimit nga Arabia Saudite, por edhe nga gjiganti turk, Galatasaray.
Sipas raportimeve të “Sportmediaset”, kampionët në fuqi të Turqisë janë gati t’i ofrojnë mesfushorit një kontratë të majme prej 10 milionë euro në sezon. Pas arritjes së marrëveshjes me Leroy Sane dhe përpjekjeve për të mbajtur Victor Osimhenin, Galatasaray po përgatit një skuadër konkurruese për sezonin e ri dhe e sheh Çalhanoglun si një përforcim strategjik.
Nga ana tjetër, Interi është i gatshëm ta lërë të lirë lojtarin për një shumë prej 40 milionë eurosh.
Çalhanoglu, i cili është ndër lojtarët më të paguar në skuadër dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2027, nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer në vendlindje përpara përfundimit të karrierës. Tani, një mundësi konkrete ndodhet mbi tryezë.