GAP-i: Komunat e Kosovës janë të mbingarkuara nga borxhet përmbarimore

30 maj 2025 | 11:00

Instituti GAP ka publikuar të premten raportin “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”, ku ka nxjerr në pah përmasat shqetësuese të barrës financiare që po rëndon mbi komunat e Kosovës si pasojë e obligimeve gjyqësore dhe përmbarimore.

Sipas raportit, gjatë periudhës 2022–2024, komunat kanë paguar mbi 163 milionë euro për këto obligime, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e tyre dhe aftësinë për të realizuar projekte zhvillimore. Në disa raste, komunat janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, ndërsa të tjera kanë pezulluar apo hequr dorë nga investime kapitale të planifikuara.

GAP-i ka theksuar se shpenzimet përmbarimore janë rritur ndjeshëm në të gjitha komunat, pavarësisht madhësisë së tyre, duke dëshmuar se problemi është përhapur në të gjithë territorin.

“Obligimet përmbarimore nuk kanë rrjedhur vetëm nga kontrata kolektive në arsim, por edhe nga marrëveshje të ngjashme në shëndetësi. Gjithashtu, gjatë periudhës së fundit ka ndikuar edhe një vendim i Qeverisë së Kosovës i vitit 2008, i cili parasheh pagesë shtesë për të punësuarit në sektorin e arsimit, bazuar në nivelin e kualifikimit. Përveç shërbyesve publik në arsim dhe shëndetësi, kompenzime nga gjykata po kërkojnë dhe realizojnë edhe shërbyesit civilë, veçmas për përvojën e punës, shujta, pagesë mbi bazë të inflacionit dhe shpenzime për transport. Gjatë vitit 2024, një pjesë e konsiderueshme e komunave kanë pasur shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake apo investimet kapitale”, ka njoftuar GAP-i.

Po ashtu,  sipas GAP-it, komunat janë duke u përballur edhe me një rritje të vazhdueshme dhe të lartë të obligimeve të reja (detyrime kontigjente) të paraqitura në gjykata, që arrijnë rreth 208 milionë euro.

“Këto përfaqësojnë  pretendime financiare që qytetarët dhe palë të tjera kanë ndaj komunës, e që kryesisht ndërlidhen me projekte kapitale. Përballja me barrën e obligimeve përmbarimore kërkon një reagim të koordinuar ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror. Meqenëse shumica e këtyre obligimeve burojnë nga vendime, kontrata dhe ligje të filluara nga niveli qendror, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë përsipër ekzekutimin e pagesave rreth vendimeve gjyqësore; të bëhet rishikimi i Ligjit për Pagat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës; dhe qartësimi i statusit të vendimit të Qeverisë të vitit 2008 lidhur me kualifikimet e mësimdhënësve. Po ashtu, për çdo vendim apo ligj të ardhshëm që mund të krijojë barrë financiare për komunat, ato duhet të përfshihen në të gjithë procesin e negociimit dhe përmbajtjes së tyre”, ka njoftuar GAP-i

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Etrit Berisha ka shkruar një tjetër kapitull të artë në…