GAP-i: Kosova me 96 mijë e 995 biznese aktive

20 shtator 2023 | 14:08

Gjithsej janë analizuar 96 995 biznese aktive nga 227 mijë e 759 biznese të regjistruara në Kosovë prej vitit 2000 deri në mars 2023, prej tyre 78.7 për qind janë në pronësi të burrave, 18 për qind në pronësi të grave, 2.3 për qind janë në bashkëpronësi të paktën të një gruaje, ndërsa për 1 për qind tjetër nuk dihet gjinia e pronarëve.

Përveç kësaj, në raportin “Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë” të Institutit GAP është thënë se në Kosovë janë 33 mijë e 3 biznese të shuara nga viti 2000 deri në mars 2023. Prej tyre, 64 për qind janë në pronësi të burrave, 12 për qind janë në pronësi të grave, 0.3 për qind janë në pronësi të paktën të një gruaje dhe për 23.7 për të bizneseve nuk dihet gjinia e pronarëve/eve.

Ky raport identifikon profilet e bizneseve në pronësi të grave dhe atyre të pakicave etnike, duke analizuar praninë e tyre në Kosovë sipas madhësisë së biznesit, vendndodhjes gjeografike dhe sektorit ekonomik në të cilin ato operojnë. Për më tepër, raporti analizon jetëgjatësinë e bizneseve në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave.

“Raporti tregon se bizneset mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve në pronësi të grave në Kosovë. Nga bizneset e analizuara, 5 253 prej tyre janë në pronësi të individëve të pakicave etnike në Kosovë 30 për qind serb, 28 për qind turq, 10.5 për qind boshnjak, 2.7 për qind  goran, 2 për qind ashkali, 1.7 për qind rom, 1.7 për qind egjiptian, 0.1 për qind malazez, ndërsa 22 për qind e tyre nuk janë të kategorizuar. Nga numri i përgjithshëm i bizneseve në pronësi të pakicave etnike, 79 për qind janë në pronësi të burrave dhe 21 për qind të grave”, është thënë në raportin e GAP-it.

Ndërsa bizneset në pronësi të grave me jetëgjatësinë më të madhe operojnë në sektorët janë: tregtia më shumicë dhe pakicë (6.71 vjet), transport dhe magazinim (6.53 vjet).

Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP  ka rekomanduar që Qeveria e Kosovës të ofrojë një përkufizim të saktë të asaj që konsiderohet “biznes aktiv” dhe të ofrojë mekanizma për mbledhjen e të dhënave të besueshme në mënyrë që të shmangen mospërputhjet e të dhënave, si në këtë rast ku shifrat e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk përputhen. Të kuptuarit e profileve të bizneseve në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave mund të ndihmojë qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe programe që mbështesin në mënyrë adekuate këto kategori të bizneseve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervista e fundit e Egli Takos, në “Mos i Bjer…