Gareth Bale flet për karrierën e tij te Reali, marrëdhëniet me Ronaldon dhe për flamurin ‘famëkeq’

10 dhjetor 2025 | 16:43

Pak lojtarë do të kenë karriera po aq të suksesshme sa Gareth Bale, pak do të jenë po aq të suksesshëm sa Bale te Real Madrid, dhe edhe më pak prej tyre do të jenë aq të përçmuar në të njëjtën masë e në të njëjtën kohë.

Pavarësisht dy golave në finalet e Ligës së Kampionëve, “Santiago Bernabéu” nuk u nxeh kurrë për Bale në të njëjtën mënyrë si për disa nga heronjtë e tij.

Bale u kthye në një “armik” të medias në kryeqytetin spanjoll, të cilët ishin të etur të theksonin se ai kishte dështuar të integrohej në kulturën spanjolle dhe, drejt fundit të karrierës, e qortuan për faktin se po e çonte deri në fund kontratën e tij të majme në vend që të kërkonte më shumë minuta diku tjetër.

Duke folur në një intervistë për “GQ”, Bale shpjegoi se ai nuk ishte gati për vëmendjen jashtë fushe, aq sa ishte për atë brenda saj.

“Sigurisht, shumë lojtarë shkojnë te Madridi për t’u bërë Galaktikë, por unë shkova atje për të luajtur futboll, ndaj ajo që arrita si një lojtar uellsian jashtë vendit ishte vërtet e pabesueshme. Gjithmonë isha aty në momentet e mëdha. Pjesa tjetër, megjithatë… Unë në fakt nuk luaja aq shumë golf.”
“Por, për shkak se njerëzit besojnë atë që lexojnë, ata krijuan një personazh që nuk jam. Ndoshta kam faj që nuk mbroja veten, dhe në disa mënyra isha pak naiv – kjo është ndoshta fjala e duhur – duke shkuar në Madrid pa e ditur sa e rëndë është të jesh Galaktik”.

Bale vazhdoi duke shpjeguar se ai ndiente se përshkrimi që i bënte media ishte larg realitetit të asaj që ai ishte.

“Thjesht nuk mendoj se media spanjolle e di kush jam. Ndoshta kjo është faji im që nuk i lashë të më njihnin, por unë nuk e lashë askënd të hyjë, që ishte ajo që doja. Futbolli im dhe jeta ime ishin dy gjëra krejt të ndara. Nuk do ta ndryshoja kurrë këtë.”

Për pjesën më të madhe, Bale thotë se arriti të distancohej nga stuhia mediatike në Madrid.

“Për pjesën më të madhe, gjithmonë qëndrova larg. Nuk i kontrolloja asnjëherë rrjetet e mia sociale sepse mund të kesh 100 postime, 99 të mrekullueshme dhe një të keqe – dhe te ajo një do të përqendrohesh. Kur isha 16 vjeç te Southampton, lexova një artikull të keq. Ishte thjesht një raport ndeshjeje, por e mbaj mend shumë qartë – më ndikoi në paraqitje sepse humba pak vetëbesim. Por nga ajo përvojë e keqe mësova të qëndroja larg sa më shumë të mundesha, sepse e dija çfarë mund të të bëjë mendërisht dhe fizikisht.”

Tani i tërhequr nga futbolli, pas një huazimi te Tottenham Hotspur dhe një aventure të shkurtër te Los Angeles FC, Bale tha se nuk ishte në kontakt të rregullt me ish-bashkëlojtarët.

“Nuk jam vërtet në kontakt me shumë prej tyre – disa nga djemtë e Uellsit – por gjithmonë jam marrë mirë me të gjithë. Nuk kam pasur kurrë probleme me askënd. Asnjëherë s’kam pasur ndonjë debat të madh. Ndonjëherë media fliste për mua dhe [Cristiano] Ronaldon, por ne nuk kemi pasur kurrë problem, debat, sherr – asgjë.”

Ndoshta flamuri që i dha fund karrierës së tij te Real Madrid, Bale festoi kualifikimin e Uellsit në Kupën e Botës 2022 para një flamuri ku shkruhej: “Wales. Golf. Madrid. In that order.”

“Ajo parrullë është gjëja e vetme për të cilën u ndjeva i padrejtë. Së pari, askush nuk dinte sa shumë golf luaja në të vërtetë. Nëse të pyes tani sa golf mendojnë se luaja, me siguri do të thoje tre apo katër herë në javë, apo diçka të tillë?”

Bale kishte një reputacion në Spanjë sikur ishte po aq i interesuar për golf sa për futboll, por ai tregon se zakonisht luante vetëm një herë në dy ose tre javë në ditët e lira.

“Ne sapo kishim kaluar në Europian, kështu që isha duke festuar, e gjithë skuadra ishte aty, pastaj dikush vuri flamurin [me sloganin] para meje. Çfarë duhet të bëja? Nuk mund ta hidhja në tokë flamurin e vendit tim sepse kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të bëja. Në fakt, nuk e preka fizikisht asnjëherë flamurin, gjë që për mua ishte e rëndësishme sepse po mendoja: nuk jam unë duke e bërë këtë – thjesht po festoj me shokët e mi. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi.”

“U masakrova nga mediat spanjolle. U ndjeva i padrejtë sepse gjithçka vinte nga keqinformimi. Sigurisht që nuk e vë golf para vendit apo klubit tim dhe fizikisht nuk kam bërë asgjë gabim. Kur e shikoj tani, them: është si është. S’kam çfarë të bëj. O qesh, o qan. Kështu që qesha.”

Rasti i Baleit ka shërbyer për disa si një histori paralajmëruese për t’u bashkuar me Real Madrid, sidomos për ata që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar: se është më e dobishme “të luash lojën” me median në Madrid sesa ta injorosh atë. Mbërritja e Jude Bellingham e pa atë të përpiqej të fliste pak spanjisht dhe të tregonte një qëndrim të ngrohtë, ndërsa fjalët e para të Trent Alexander-Arnold si lojtar i Real Madridit ishin në spanjishte pothuajse perfekte. /Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listat e kandidatëve…