Gashi: Reagimi i Dejona Mihailit për Bedri Hamzën shpërfaq hipokrizinë dhe injorancën e saj
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, e ka quajtur hipokrite Dejona Mihailin e Vetëvendosjes, e cila ka reaguar pas zgjedhjes së Bedri Hamzës në krye të PDK-së.
Në këtë kontekst, Gashi ka thënë Hamza ka vënë në pah jo vetëm simpatitë e oponencës, por edhe brishtësinë e argumenteve të tyre përballë një projekti politik që synon t’i mbijetojë kohës.
“Pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar i PDK-së, Dejona Mihaili reagoi duke shpërfaqë simfoninë e hipokrizisë, e zhytur në moçalin e injorancës dhe veseve të saja provinciale! Ky reagim, në thelb, më sjell një ndjenjë qetësie, sepse zbulon prapa perdeve një të vërtetë të lashtë politike se dhimbja e kundërshtarëve është shpesh dëshmia më e pastër e forcës së një figure. Në botën e ideve, çdo ndryshim i rëndësishëm provokon tronditje, dhe kjo tronditje hedh dritë mbi frikën e atyre që e ndiejnë se një vizion i qëndrueshëm po rikthehet në qendër të skenës. Kryetari Hamza, me trashëgiminë dhe vlerat që përfaqëson brenda PDK-së, bëhet lakmuesi që nxjerr në pah jo vetëm simpatitë e oponencës, por edhe brishtësinë e argumenteve të tyre përballë një projekti politik që synon të mbijetojë kohën”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali e ka quajtur Konventën e PDK-së “episod humoristik” dhe se, sipas saj, situata me Enver Hoxhajn është bërë si “dekor për të mos u dukur brutaliteti i Sami Lushtakut”. “Konventa e PDK është episod humoristik. Ndërsa personalitetet e pakta që i kanë mbetur si prof. Enver Hoxhaj, janë dekor për të mos u dukur brutaliteti i Sami Lushtakut. Bedri Hamza ka humbur dy palë zgjedhje. A do ta lejojë Sami Lushtaku që ta kthej Ramiz Lladrovcin në PDK? Kaq është tema. Memli nuk pati takat”, ka shkruar Mihaili.



