 
                    Gashi: Të hënën votohet për stabilitetin financiar të vendit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Ligjin për buxhetin e Kosovës për 2021.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook ka shkruar se votimi i këtij ligji nënkupton stabilitet financiar për vendin në kohën kur pritet shpallja e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Postimi i plotë i Gashit:
Nesër në ora 11:00 është në procedurë Ligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare shumë me interes për Kosovën.
Këto ligje tashmë nuk janë ligje për një qeveri apo për një koalicion qeverisës; nesër votohet për stabilitetin financiar të vendit.
Është përgjegjësi e secilit deputet dhe grup parlamentar që përtej interesit politik ditor, ta vendos stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
Muajt në vazhdim do të karakterizohen nga një krizë e thellë institucionale – kërkohet përgjegjësi dhe pjekuri politike nga ne!
LDK është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë!
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        