Gazeta kroate: Vajzë që spiunonte për Serbinë, kishte qasje direkte në zyrën e kryeministrit të Kosovës

28 gusht 2025 | 00:12

“Vajza kishte lidhje direkte me zyrën e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por gjithashtu edhe me zyrën e kryeministrit të Kosovës”, ka thënë analisti ushtarak nga Kroacia, Ivica Mandiç, duke folur për skandalin që ka shpërthyer atje rreth lidhjes romantike që kishte një pilot kroat me një serbe në Kosovë, e cila dyshohet për agjente serbe.

Gazeta kroate Vevernji List, që po e publikon në pjesë skandalin, ka shkruar për një agjente me inicialet A.M., e cila, “ishte e rekrutuar nga shërbimet serbe”, shërbime që inkurajonin punësimin e serbëve në organizata ndërkombëtare në Kosovë.

“Ata i përdornin për të siguruar informacione dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër ish anëtarëve të UÇK-së”, shkruan gazetarja kroate Sandra Veljkoviç.

Shkrimi i gazetës kroate gjithashtu thotë se e dyshuara është sociologe dhe se ajo kishte një lidhje me pilotin kroat me të cilin kanë shkëmbyer edhe informacione të ndjeshme.

“A.M., partnerja e pilotit kroat, ishte e lidhur me organizata ndërkombëtare në Kosovë, siç janë EULEX dhe UNMIK. Sipas burimeve, ajo ka mbajtur kontakte me individë nga jeta politike dhe ka bartur informacione te liderët e Listës Serbe”, shkruan gazeta.

Ky rast spiunazhi, që po hetohet nga organet kroate, fillimisht u bë i ditur kur u raportuar për arrestimin e pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe para rreth një muaji në Split të Kroacisë.

Arsyet e arrestimit fillestar nuk ishin bërë të ditura, por piloti ishte liruar fillimisht, kurse e dashura e tij ishte detyruar të largohet nga Kroacia.

Gjithsesi, më vonë, pas kërkimit në telefonat e tyre hetimet u zgjeruan dhe hetuesit panë se kishte pasur shkëmbim të informacioneve të ndjeshme në drejtim të politikanëve serbë, të cilat piloti ia kishte bartur të dashurës së tij, gjatë qëndrimit në Kosovë, ku kishte shërbyer si pjesëtar i kontingjentit kroat, pjesë e KFOR-it.

Dyshja më pas ishte arrestuar përsëri.

Sipas informatave që tashmë posedojnë organet kroate, e dyshuara A.m., gjithashtu ka punuar për misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku kishte për detyrë të asistonte në aranzhime të ndryshme të organizatave si EULEX e UNMIK.

Dyshohet se ajo kishte lidhje të afërta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, ajo edhe i ka shantazhuar.

A.M., shton burimi i gazetës kroate, ishte bashkë edhe me shumë zyrtarë serbë dhe drejtorë të organizatave të ndryshme në udhëtime zyrtare. VoxKosova

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burim Ramadani ka folur për Jana Arsovsken, bashkeautoren e punimit…