GAZETAT, LIBRAT, LEXIMI…

26 nëntor 2023 | 13:26

Shkruan: Bedri Halimi

Kosova tashmë sa vite është vendi i vetëm ne Evropë që nuk ka gazeta ditore të shtypura në letër. Asnjë gazetë nuk shitet nëpër kiosqet e Kosovës. E në këtë drejtim, as revistat që kanë qenë dikur, nuk shtypen më, me ndonjë përjashtim kur shtypet si libër në formatin B5.

Parashtrohet pyetja: përse nuk shtypen gazetat në Kosovë, kur shtypen në secilin shtet si psh: Gjermani, Angli, Itali, Francë, Spanjë…madhe edhe në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri…

Sigurisht botohen, sepse shiten, e shiten sepse lexohen apo jo?

Po në Kosovë, përse nuk botohen? Sepse nuk shiten. E nuk shiten sepse nuk lexohen apo jo?
Po kështu qëndron pak a shumë çeshtja edhe për librat. Në vende të ndryshme, libri shitet, sepse lexohet. Prandaj edhe shtypet, bile shtypet me tirazh të lakmueshëm.

Po në Kosovë? Po, botohen libra. Edhe autorialë, edhe libra të përkthyer nga autorë të huaj. Janë në shitje pra edhe librat e përkthyer e botuar nga autorë të huaj të botuar nga botues të ndryshëm në hapësirën shqiptare. Librat janë të ndryshëm, që i përkasin artit, kulturës, shkencës. Madje gjinive të ndryshme të artit, kulturës, letërsië… Por megjithatë shitja e librit në Kosovë është më e vogël në krahasim me vendet tjera në hapësirën shqiptare. Përse ndodh kjo? Sepse libri lexohet shumë pak. Me përjashtime kuptohet.
Përse lexohet kaq pak? Dikush thotë nga kriza sicio ekonomike, dikush thotë nga mungesa e kulturës së leximit… e dikush thotë madje se s’kam nevojë të lexoj asgjë, sepse të gjitha i kam në google në telefon a kompjuter.

Po kështu edhe rreth lajmeve, mjaftohen ta lexojnë titullin e lajmit dhe pastaj vet ja gjejnë përfundimin.
Pa dyshim se kjo gjë është e keqe, sepse telefona e kompjutera para se të kemi ne në Kosovë, ka pasur çdo shtet i Evropës. Dhe megjithatë ata pos telefonit që e kanë, edhe lexojnë, libra e gazeta. Përse lexojnë? Sigurisht nga se janë të vetëdijshëm se leximi në telefon nuk ju mjafton. Lajmet me të dhënat për libra të ndryshëm për artin, kulturën e shkencën që mund të lexojnë në telefona e kompjuterë, janë vetëm të dhëna empirike, janë vetëm njoftime elementare dhe grishje, pra thirrje për të lexuar më thellë në libra e artikuj përkatës.

E disa nga njerëzit tanë, jo vetëm që nuk lexojnë libra e gazeta, por në bazë të ndonjë fjale a fjalie që e ka lexuar në telefon celular, jo vetëm që i vetëmjafton ajo “dije”, por madje e merr guximin edhe të komentoj nëpër shkrime e analiza të postuara në rrjete sociale. Madje komentimin e bën me aq kompetencë, sa që i gjë të meta edhe shkrimtarit, historianit, sociologut… S’ka gjë që komentin e bën me shumë gabime gjuhësore.

Dhe jo vetëm kaq. Disa nga këta, që kanë “dije të tepërta” nga mosleximi i tepërt i librave dhe “leximi i tepërt” i titujve nëpër portale, komentojnë edhe nëpër profile të huaja, madje edhe ku fare nuk është frends.
Prandaj kjo shtresë njerëzish, janë njerëz që mendojnë se i dinë të gjitha, në të gjitha fushat. E dihet mirë nga shkenca se ai që paraqitet se i di të gjitha në të gjitha fushat, në fakt nuk di asgjë të qëndrueshme në asnjë fushë të artit, kulturës e shkencës.

Njani kish pas thanë: të kisha pas miell, po bajsha petulla, por tlyen nuk kam! Pra i mungon edhe mielli, edhe tlyeni. E petullat me ujë nuk bahen, sepse prap s’ka miell. Edhe sikur ta kishte bile miellin, prap petulla nuk mund të bënte, sepse i mungon tlyeni. Prandaj tentimi i tij për të bë petulla në ujë, i shkon huq, sepse i del quall.

Uroj, që të lexojmë më shumë: Libra, sa më shumë libra, natyrisht pastaj edhe gazeta. Sepse kështu do të dimë së pari çka është mielli e çka është tlyeni.
Së dyti, do të dinim se si përfitohet mielli e si përfitohet tlyeni.

Së treti, do të dinim si të bënim petulla, por gjithsesi duke e lexuar recetën diku, apo duke e parë ndonjë mjeshtër (mjeshtre) duke bërë petulla. Sepse qualli i petullave do edhe pak kripë, sepse përdryshe petullat bëhen bajate, apo jo?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia e ka zmbrapsur një sulm të madh ukrainas, i…