
Gazmend Syla: Rrëfimi im për Banjskën
Shkruan: Gazmend Syla
Të dielat janë ditë për të fjetur më gjatë, paradite.
Kështu do të duhej të ishte edhe më 24 shtator të vitit 2023.
Por, ja që mëngjesin e asaj dite nuk e kisha të shkruar ta kaloja në gjumë.
Isha zgjuar diku rreth orës 5. Sigurisht, në nja 15 minuta të kësaj kohe, kisha kontrolluar telefonin. Pastaj, kisha provuar të fle prapë.
Por, gjumi im kishte fluturuar gjetiu.
Meqë nuk po kthehej, e kapa sërish telefonin.
E pashë që dikush më kishte shkruar. Kur e hapa, kuptova se ishte Gazmir Rraci. Ai e kishte marrë vesh paraprakisht se unë kisha qenë “online” më herët.
“Hey Gaz a ka ndodh naj sen nveri a”, më kishte pyetur ai. “Po mthonë që një polic është vra e dy të plagosur në Zveqan”.
Unë u shokova. Dhe, ta them të drejtën, u frikësova shumë. Mendja menjëherë më shkoi te shumë të afërm të mi që janë policë e të cilët punojnë në jug e në veri, deri në Jarinje e Bërnjak.
Duke mos dashur t’i besoj këtij lajmi, fola me Gazmirin. Atij i kishte treguar një mik i tij, siç më tha. Me gjasë, Gazi, për mikun e tij, ishte i vetmi njeri që kishte lidhje me mediat e i cili mund ta tregonte lajmin gjithandej. Asokohe Gazmiri ishte analist në Klan Kosova. Mbase për këtë më shkroi mua.
Pasi fola me të, nisa të thërras njerëz që njihja për ta konfirmuar ngjarjen.
Telefonata e parë dështoi. E arsyetova atë që e thirra. Ora ishte vetëm 6 e pak minuta.
Edhe e dyta qe shterpe.
E thirra një të afërm tjetër, polic. Ai ma konfirmoi.
“Niva që një të dekun e kanë qu në spital në Mitrovicë (jug) se kanë kërku ndihmë me transportu”, më tha.
“Pse, a e di cka ka ndodh?”, e pyeta unë.
“Po luftojnë në një kishë”, më tha.
Ta them të drejtën, nuk është se po i besoja këtij rrëfimi. Më dukej e pamundur të kishte luftë. Edhe më hiq, në një kishë. Nëpër mendje më shkoi mendimi “kush dreqin do të çmendej e të luftojë në një kishë?!”.
“Po nihen tu gjujt”, vazhdoi ai
Kur më tha kështu, nisa ta besoj.
“A po dihet ku?”, e pyeta.
“Në Banjskë”, më tha.
E dija që në Banjskë ka një manastir të madh, por jo një kishë.
“A po dihet pse a qysh ka nis kjo punë?”, vazhdova unë.
“O sen s’di ma shumë njeri tash, vec po të tham që hallakamë po shkon”, shtoi ai. “Edhe boll mvete ma”.
E kuptova se e teprova. Njeriu i kishte njëmijë obligime e unë po ia vargoja pyetjet.
Bëra një komunikim tjetër me Gazmirin. I thashë që mora një konfirmim se ka të vdekur, të plagosur dhe që ka luftë, përnjëmend.
Provova të marr informata shtesë, sërish. E thirra një tjetër person. Edhe ky ma konfirmoi luftën në Banjskë.
“Skam ma vakt për ty”, ma preu ai, teksa unë po insistoja të dija më shumë.
Më vonë do ta merrja vesh se e kisha thirrur në një moment ekstrem delikat për krejt çfarë po ndodhte në Banjskë.
Kur e kreva me të, thirra një mik timin që punonte në spitalin e Mitrovicës, duke mos ditur a është në punë a jo. Por, shpresoja se të paktën do të ishte zgjuar, meqë duhej të niste orarin në 7.
“Tu shku në punë urgjent jam. Na thanë që një ka dek, ka edhe të lënduar”, më tregoi ai shkurt. “Ishalla ndalet me qikaq”.
Kësaj lutje iu bashkova edhe unë, sigurisht.
Por, kjo që po ndodhte, ishte gjë e madhe, fatkeqësisht. Mbase, ndër më të mëdhatë e pasluftës. Dhe unë po rastisja të isha ai që i kisha krejt këto informacione, falë Gazmirit dhe njohjeve të mia me njerëzit në Mitrovicë.
Duke qenë kështu, e kisha obligim edhe profesional, duke qenë gazetar dhe menaxher në një media të madhe, t’ua transmetoja njerëzve lajmet e pamira.
Fillova të mendoj qysh t’ia bëjë. I pari veprim ishte të shoh nëse dikush nga kolegët e portalit të Klan Kosovës është në punë. Ora ishte diku rreth 6 e 30. M’u lajmërua Albert Bajrami, që ndodhej rrugës për në redaksi.
Me të u morëm vesh ta publikojmë lajmin, meqë shumë burime e konfirmonin atë që po ndodhte në Banjskë.
Gjëja tjetër që duhej të bëhej, ishte të nisnim transmetimin e jashtëzakonshëm në televizion. Pooor, ora nuk ishte ende as 7. Plus, ditë e diel. Kujt t’i shkruaj e kë ta thërras?!!!
Duhej një ekip i tërë për nisur transmetimin. Disa telefonata më dështuan. Njerëzit flinin dhe nuk kishin asnjë faj që nuk përgjigjeshin. U shkrova direkt mesazhe disa përgjegjësve të departamenteve që duhej të dilnin në punë.
Më pastaj shkrova në një grup të përbashkët, për t’i njoftuar të gjithë se duhet të nisim, sa më parë të jetë e mundur, një transmetim të jashtëzakonshëm.
Paraprakisht kisha kontaktuar gazetarin Haris Ademi. Duke qenë se është nga Mitrovica, guxova të mendoj se kishte shkuar për pushim fundjave atje. Harisi u përgjigj, fatmirësisht nga Mitrovica. U morëm vesh të shkonte menjëherë në spital për të konfirmuar gjithçka ka kishte ndodhur. Harisi e bëri menjëherë.
“E vërtetë është, një polic ka vdekur”, më njoftoi ai sapo kishte mbërritur në spitalin e Mitrovicës së Jugut.
Pastaj u dakorduam të provonte të shkonte kah veriu. Raportimet e tij të njëpasnjëshme ekskluzive, do ta merrnin dhenë, pas pak.
Sfida tjetër ishte ta gjeja një moderator për një transmetim special, pasi pa një të tillë, nuk bën. E thirra Vullnet Krasniqin.
“Menjëherë po nisem”, më tha.
Vullneti erdhi shpejt nga Vushtrria.
Fati e deshi që edhe tjerët të shohin mesazhet që i kisha shkruar. Të gjithë erdhën dhe transmetimi filloi. Erdhën edhe ata që nuk e patën obligim. Të gjithë donin të ishin në punë, atë ditë.
Ishte shumë herët, po mua më dukej se ishim vonuar shumë. Klani nuk u ndal gjithë ditën. Informoi për gjithçka ndodhi në Banjskë e përreth dhe gjithçka u tha për Banjskën.
Mund të ishte bërë edhe më mirë, sigurisht. Por, mendoj që ishte një mbulim kryevepër në aspektin profesional se si mbulohet një ngjarje, gati si luftë.