
Gërvalla takon ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut
12 korrik 2025
| 19:05
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut 2025, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski.
Gjatë takimit, të dy homologët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me rëndësi strategjike, përfshirë infrastrukturën ndërkufitare dhe avancimin e projekteve të përbashkëta.
Palët theksuan domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh institucional për përshpejtimin e zbatimit të këtyre projekteve.
Po ashtu, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të organizatave rajonale, si dhe ri-konfirmuan përkushtimin e dy vendeve ndaj integrimit në BE.