Gërxhaliu: Kosova duhet të nxjerrë pako fiskale për diasporën
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se është shqetësuese që për diasporën flitet vetëm në aspektin financiar.
Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Gërxhaliu ka deklaruar se diaspora është ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë.
“Çështja e diasporës më prekë thellë në zemër, sepse kam vepruar me vite të tëra në diasporë. Është shqetësuese kur në Kosovë flitet për diasporën vetëm në dimensionin financiar. Diaspora meriton një qasje pak më ndryshe, në rend të parë nga aspekti financiar, psikologjik dhe në aspektin e edukimit. Mbi të gjitha, duhet të kuptohet se shqiptarët në diasporë janë ambasadorët e zemrës për Kosovën por, për fat të keq, Kosova ata po i trajton vetëm si burim financiar”, është shprehur ai.
Gërxhaliu ka theksuar se diasporës i bëhet nënçmim edhe sa i përket ndihmës financiare që sjell në Kosovë.
“Një nënçmim tjetër që i bëhet diasporës është kur thuhet se, sipas të dhënave të Bankës Botërore, diaspora ka dërguar 560 deri në 600 milionë euro”, është shprehur Gërxhaliu. Në këtë kontekst, Gërxhaliu ka thënë se kontributi i diasporës është më i madh se 600 milionë euro. “Si OEK mendojmë se minimumi i kontributit të diasporës është 1 miliard e 600 milionë euro, pasi ata dërgojnë para në tri forma. Në formën e drejtpërdrejtë përmes institucioneve financiare, në formën indirekte përmes dërgesave jozyrtare dhe në formën kur ata qëndrojnë vetë në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu ka thënë se është e pandershme kur paragjykohet puna dhe kontributi i diasporës. Ai ka theksuar se, krahas pakos fiskale, në Kosovë duhet të miratohet edhe një pako e tillë fiskale vetëm për diasporën.
“Është shqetësuese kur djersa e diasporës, e cila dedikohet për Kosovën, paraprakisht është e gjykuar dhe e eksportuar përmes parasë së gatshme nga jashtë. Besoj se nëse flasim për pako fiskale ose ndryshime fiskale për ta mbështetur prodhimin vendor, atëherë duhet ta kemi si çështje urgjente një pako fiskale që duhet të jetë e dedikuar vetëm për diasporën. Paraja e tyre duhet të jetë në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës, në funksion të shkollimit, të transferimit të dijes dhe sistemit ‘know-how’ dhe, mbi të gjitha, në funksion të përmirësimit të bilancit të pagesave, pasi nuk i bëhet nder Kosovës nëse edhe më tutje vazhdohet me avazin e eksportit të parasë së gatshme”, është shprehur Gërxhaliu.
Diaspora mund të ishte aksionarja më e mirë në projektet madhore
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka folur edhe për mundësinë e diasporës që të jetë aksionare në projektet madhore në Kosovë.
Ai ka thënë se me fuqinë ekonomike që ka diaspora do të mund të përfshihej në projektin e termocentralit “Kosova e re”.
Në këtë kontekst, Gërxhaliu është shprehur i bindur se vetëm diaspora do të mund ta ndërtonte një termocentral të tillë.
“Është një temë mjaft interesante sepse nëse analizoni paratë e deponuara të diasporës në Zvicër, Austri dhe Gjermani, janë afër 3 miliardë euro të deponuara, kurse ne me vite të tëra flasim për një projekt siç është ‘Kosova e re’, në vlerë mbi një miliard eurosh. Tash shtrohet pyetja se kush do të duhej ta iniciojë një debat të mirëfilltë që aksionare e këtij projekti madhor të jetë diaspora, e cila ndoshta ka mundësi që komplet financimin ta bëjë vetë, vetëm që fillimisht i është dashur ta organizojë formën e krijimit të investitorëve ose të një platformë organizative”, ka vlerësuar Gërxhaliu.
Kryetari i OEK-ut ka pohuar e diaspora do të mund të ishte aksionare edhe në projekte të tjera të cilat janë jetike për zhvillimin e vendit. “Këtu nuk është vetëm ‘Kosova e re’. Kemi të bëjmë edhe me Brezovicën dhe projekte të shumta të cilat vërtet diaspora do të kishte mundur të jetë aksionare kryesore”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se Kosova do të kishte fuqi tjetër ekonomike sikurse t’i ketë partneritet investues në mes të Qeverisë së Kosovës dhe diasporës.
Albulena S. MAVRAJ