Gërxhaliu: Kosova është projekt i diplomacisë ndërkombëtare, të përfillet ideja e ‘Mini-Shenzen’-it

04 korrik 2020 | 10:22

Sekretari gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, Safet Gërxhaliu, ka komentuar idenë e të dërguarit special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell rreth mundësisë së krijimit të zonës ekonomike “Mini-Shenzen” në mes të këtyre dy shteteve.

Gërxhaliu ka thënë për “Epokën e re”, se Kosova është projekt i diplomacisë amerikane e evropiane dhe se çdo ide e dhënë nga ShBA-ja duhet të përfillet.

“Duhet të kuptohet se Kosova si shtet i pavarur është produkt i diplomacisë ndërkombëtare. Në këtë drejtim është jo korrekte të thuhet se Kosova do të ishte këtu ku është pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar, në veçanti të ShBA-së dhe BE-së. Prandaj duhet që të gjitha aktivitete të jenë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë që janë edhe sponsorizuesit e pavarësisë së Kosovës. Ne duhet të dialogojmë jo vetëm me Serbinë, por dhe vendet tjera, pasi vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe argumentues mund t’i zgjidhim problemet e të kaluarës dhe ta ndërtojmë të ardhmen. Problemi në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk është vetëm problem bilateral, por edhe rajonal dhe ndërkombëtar, pasi derisa nuk do të këtë zgjidhje të këtij problemi Ballkani Perëndimor, do të jetë vrimë e zezë e Evropës dhe botës. Është në interes të të gjithëve që zgjidhja të jetë e pranueshme nga të dy palët, pasi vërtetë vetëm në këtë mënyrë mund të hapët një perspektivë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se rekomandimi që vjen nga Amerika dhe vendet e fuqishme evropiane duhet të mirëpritët.

“Në fund të fundit është shumë më mirë të dialogohet sesa të luftohet, pasi e dimë çfarë barre ka lufta. Në këtë drejtim një rekomandim që vjen nga Amerika dhe vendet e fuqishme evropiane duhet të mirëpritët, pasi ata kanë e kanë dizajnuar ardhmërinë e Kosovës që nga viti 99-të. Po shihet që Evropa nuk po e dëshiron vetëm integrimin politik, por edhe atë ekonomik”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket aspektit konkurrues ekonomik të Kosovës me vendet e rajonit, Gërxhaliu ka deklaruar se vendi ynë duhet të jetë pjesë e proceseve integruese ekonomike dhe nuk duhet të ketë frikë nga vendet tjera të cilat janë më të avancuara.

“Nëse i analizojmë indikatorët ekonomik në Kosovë dhe i krahasojmë me vendet e rajonit janë shqetësuese. Në Maqedoni që ne mendojmë që ka probleme politike dhe etnike sot ka një eksport 7-8 miliardë euro. Serbia ka arritur ta ketë eksportin 16 miliardë euro. Bosnjë Hercegovina afër 8 miliardë, Shqipëria 2 miliardë, kurse Kosova ka mbet ende në 350 milionë euro sipas Doganës së Kosovës për vitin 2019-të. Janë të dhëna shqetësuese, nëse i analizojmë dhe investimet e huaja direket me vendet e rajonit Kosova është në pikën e fundit në këtë drejtim dhe duhet ta kemi parasysh që stabiliteti politik dhe sundimi i rendit dhe ligji, që të jemi pika kyçe ku mund të motivohen investitorët e huaj dhe në këtë drejtim duhet të kemi involvim jo vetëm të strukturave politike, por edhe ekspert të fushave sepse në fund të fundit zhvillimin ekonomik rajonal është një ardhmëri, pasi Evropë nuk dëshiron që zhvillimi ekonomik, të jetë problem dhe sfidë për Evropën, por pjesë e ndërtimit. Në këtë drejtim duhet të analizohen të gjitha mundësitë dhe të kemi një studim të fiziblitetit që ende se kemi parë”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se Kosova  duhet të jetë pjesë e këtyre proceseve integruese ekonomike dhe nuk duhet të ketë frikë pse vendet tjera janë më të avancuara.

“Paramendoni sikur Zvicra, Austria dhe Italia të kishin thënë se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e nismave të Bashkimit Evropian pasi kemi një Gjermani enorm të zhvilluar. Duhet të eliminohen barrierat,  të avancohet dialogu dhe partneritetit dhe bashkërisht të krijojmë një efekt zinxhirore ekonomik për involvim të gjitha ekonomike të Ballkanit Perëndimor”,  ka thënë Gërxhaliu.

Kujtojmë se i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë ka thënë se është duke u përpjekur të krijojë zonën ekonomike të llojit “Mini-Shenzen”, duke iu referuar zonës së parë të veçantë ekonomike të Kinës si model edhe për marrëveshjet ekonomike që mund të bëhen pas dialogut Kosovë-Serbi në Uashington.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen ajrore dhe atë hekurudhore që ishin nënshkruar në fillim të vitit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zona Speciale Ekonomike Shenzhen (SEZ) është një qendër e biznesit, teknologjisë dhe shërbimeve financave në Kinë. Kjo zonë është krijuar në vitin 1980 dhe aktualisht ka një sipërfaqe prej 493 kilometra katrorë. Shenzheni ka portin e tretë të kontejnerëve të mallrave më të madh në botë.

Po ashtu në këtë zonë, investitorët marrin përfitime të veçanta tatimore dhe trajtim preferencial për investimet e huaja.

Zona në vitin 2017 kishte mbi tre milionë biznese të regjistruara, ku një kompani ka mesatarisht katër persona të punësuar.

Albulena S. MAVRAJ/Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arb Manaj ka thënë për “Epokën e re” se Trepça…