Gjashtë vjet pa drejtorin, mikun dhe kolegun Roland Kaçani

03 nëntor 2025 | 12:21

Nga: Bali Mahmuti

Jeta shpesh ndjek rrugët e saj pa pyetur për dëshirat e njerëzve që do të donin ta kishin pranë Roland Kaçanin edhe për shumë vite të tjera. Ne, miqtë, kolegët, shokët e familjarët, s’mund të bëjmë tjetër veçse të shfletojmë kujtimet dhe të shprehim respektin e thellë për mikun dhe bashkëpunëtorin tonë të çmuar, që u largua para kohe, papritur, në një moshë ende të re, kur kishte aq shumë për t’i dhënë shoqërisë, vendit dhe familjes së tij.

Roland Kaçani ishte një pionier i vërtetë në fushën e sigurimeve në hapësirat shqiptare dhe më gjerë. Ai vuri themelet e këtij sektori në Kosovë dhe Shqipëri, duke e avancuar atë në stadin e sigurimeve evropiane. Me përkushtim e pasion, punoi ditë e natë për ta modernizuar këtë fushë dhe për ta bërë atë të denjë për standardet më të larta profesionale. Ishte prej atyre njerëzve që çdo ditë e fillonte me ide të reja, me përpjekje të reja, sepse kurrë nuk kënaqej me arritjet e djeshme.

Vdekja tragjike e Roland Kaçanit, drejtorit të Kompanisë së Sigurimeve “SIGMA Interalbanian VIG sh.a.” – dega në Kosovë, ishte një humbje e madhe për komunitetin e biznesit dhe, veçanërisht, për fushën e sigurimeve në Kosovë dhe Shqipëri. Kontributi i tij në zhvillimin e këtij sektori është i pashlyeshëm. Ai ishte njeri me dije të thellë, kulturë, vizion e komunikim të rrallë – një profesionist që fliste me gjuhën dhe logjikën evropiane.

Në botën e sigurimeve, Roland Kaçani u imponua me aftësi të pashoqe, me përkushtim dhe me korrektësi shembullore. Ai studionte vazhdimisht, përvetësonte përvoja dhe standarde evropiane, dhe i aplikonte me sukses në tregun shqiptar. Synimi i tij kryesor ishte që sektori i sigurimeve të fitonte besueshmëri përmes profesionalizmit dhe ndershmërisë ndaj klientëve. Ai kërkonte me ngulm që gjithmonë të respektohej klienti, i dëmtuari, qytetari.

Falë punës së tij, kompania “SIGMA Interalbanian VIG sh.a.” arriti të jetë një ndër lideret e tregut jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në rajon. Në vitet pasluftës, Roland Kaçani kontribuoi fuqishëm në përpjekjet për unifikimin e legjislacionit të sigurimeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke u bërë një urë e fortë lidhëse mes dy tregjeve shqiptare.

Të gjithë ata që e njohën – në Shqipëri, Kosovë e më gjerë – e deshën dhe e respektuan. Mungesa e tij ndihet thellë, sidomos nga familja, shokët dhe bashkëpunëtorët që patën fatin të punonin pranë tij. Nën drejtimin e tij, “SIGMA Interalbanian” në Kosovë u bë një emër me reputacion të madh, falë vizionit, vendosmërisë dhe karakterit të tij.

Por përveç profesionistit të përkryer, duhet të kujtojmë edhe Rolandin njeri. Ai ishte i dashur, i ndjeshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Si bir i përkushtuar, si vëlla, xhaxha e dajë i dashur, ai mbetej shembull për kujdesin dhe dashurinë ndaj familjes. Ishte njeri që rrezatonte mirësi, që nuk fliste kurrë keq për askënd, që përhapte pozitivitet dhe energji të mirë kudo që shkonte. Një shembull tolerance, qytetarie e virtyti.

Roland Kaçani do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një burrë fisnik, një mik bujar, një profesionist i madh dhe një shqiptar me shpirt të ndritur. Ai u largua fizikisht, por kujtimi, puna dhe trashëgimia e tij do të mbeten përjetësisht mes nesh.

Landi, po bëhen gjashtë vjet që ike, duke na lënë një zbrazëti të pambyllshme. Do të na mungojë prania jote, fjala jote, buzëqeshja jote, këshilla jote e mençur. U largove papritur, duke na lënë të tronditur, por ne do të vazhdojmë rrugën dhe projektet e mëdha që na i le.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Shipoli…