Gjatë inspektimit të pozicioneve të UÇK-së, vritet komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku

19 janar 2026 | 21:12

Pjesë nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në mëngjesin e hershëm, më 19 janar 1999, rreth orës 3:30, zëvendëskomandanti i Brigadës 161, Nebih Musliu “Abazi” ka dhënë urdhër ushtarëve që të përgatiten dhe të dalin te “Udha e Gërkovës”, me qëllim që të jenë në gjendje gatishmërie.

UÇK-ja kishte informacione se forcat serbe do të tentojnë të sulmojnë pozicinet e tyre. Kështu që, dikund afërsisht 20 ushtarë janë nisur nga shtëpia e mësuesit Shaban Mehmeti nga Petrova. Gjatë rrugës, komandanti “Abazi”, e ka porositur Shaban Rexhajn që të vazhdon për te mëhalla Luzhaku dhe kur të filloi të agoi dita së bashku me Beqë Beqirin të radhisin ushtarët në pozicione lufte, ndërsa ai vet ka marrë 5-6 ushtarë për të vëzhguar terrenin në drejtim kah “Zabeli i Agushit”.

Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku së bashku me Hyrë Eminin “Mira”, Nazmi Baliun “Amerikani” dhe Njazi Mujotën nga Mollopolci kanë udhëtuar së bashku deri në Luzhak. Në hyrje të Shtabit bënte roje Salih Hysenaj. Rreth orës 6:30, pasi ka zbardhur dita, komandant Kaçiku ka përshëndetur ushtarët dhe iu është drejtuar me një dashamirësi duke thënë: “Ushtarë të nderuar, po u them se sot do të bëhen luftime në Budakovë dhe ne duhet të ju shkojmë në ndihmë, prandaj ai që e ndien veten të lodhur apo diçka të ngjashëm, të lë armën dhe unë po u betohem se askush nuk goxon të ju thotë dezertorë apo diçka të ngjashëm”. Ushtarët iu janë përgjigjur njëzëri: “Ne, armët i kemi marrë për të luftuar deri në çlirimin e plotë të vendit e jo për t’u dorëzuar, prandaj na prijë komandant se ne jemi të gatshëm”. Me këtë rast, komandant Kaçiku i ngazllyer me moralin e fortë ushtarak që kanë luftëtarët e lirisë, tregoi se do të shkojmë te “Udha e Gërkovës” në Reçak, ndërsa Nazmi Baliun dhe Hyrë Eminin i udhëzoi që ta dërgojnë Njazi Mujotën në Llanishtë për trajtim të plagës që kishte marrë në këmbë, më 15 janar.

Ndërkaq, atje në “Udhën e Gërkovës”, ushtarët me përvojë ushtarake, Shabani dhe Beqa i vendosin ushtarët tjerë nëpër pika. Mandej, Ahmet Kaçiku kërkon një ushtar për ta shoqëruar deri te “Udha e Kuqe” për të parë nga afër Policinë Ushtarake të UÇK-së a janë në ato pika. Shabani e njihte këtë vend në çdo pëllëmbë sepse si fëmijë kishte ruajtur bagëtinë në këtë pjesë dhe paraqitet vullnetarisht për ta shoqëruar komandantin. Në ora 7:30 janë nisur, ku kanë mbërri deri te “Qafa e Madhe” dhe nuk kishin parë asnjë ushtarë. Janë kthyer mbrapa te “Rrafshi i Zabelit”, ku Shabani dhe Ismet Elezi “Krryli” nga Sllatina e Kaçanikut, caktohen të ruajnë dhe vëzhgojnë me kujdes rrugën (Dhiarën) në mes të Zabelit të Haxhi Sefës dhe malit të shtetit. Ndërsa, komandant Kaçiku së bashku me truprojën e tij Zenun Krasniqin “Kasapi” nga Maçiteva (Suharekë) vazhdojnë inspektimin e pikave të UÇK-së.

Gjatë vëzhgimit, Ismeti së bashku me Shabanin, në kodrinën tjetër shohin 3-4 policë serbë. Ismeti tenton të shtijë në ta, mirëpo pamja nuk ishte e mirë dhe Shabani aludonte se janë vëzhguesit e UÇK-së me zëvendëskomandantin Nebihun. Për të vërtetuar këtë, kthehen deri te “Udha e Gërkovës” dhe rastësisht takojnë Ahmet Kaçikun, Zenun Krasniqin, Rizvan Rexhajn, Avdullah Musliun, i njohur me nofkën “Sali Bajrami”, Nusret Salihajn “Zeneli”, Skender Ademajn, Rexhë Muhaxherin nga Dremjaku (Ferizaj) e të tjerë. Këtu u siguruan se Nebihu i ka vëzhguesit përgjatë rrugës së Gërkovës. Ndërsa, komandanti i Brigadës, Kaçiku me të dëgjuar për rastin në fjalë pyeti: “A ka vullnetar që shkon në këtë aksion?”. Vullnetari i parë paraqitet Avdullahu, mirëpo ky kërkon t’i merrë me vete Shabanin dhe Rexhën. Mandej, Kaçiku ju tregoi se po niset për në Mollopolc ngase e kërkonte komandanti i Zonës, Shukri Buja dhe brenda dy ore do të kthehet përsëri në vija të frontit. Avdullahu me shokë nisen menjëherë dhe shkojnë tek vendi nga shiheshin pozicionet serbe. Me këtë rast, Avdullahu fillimisht maskohet mirë me gjethe dushku të bungut dhe vendoset në pozicion te vendi “Qafa e Kërshinës”. Fillon vëzhgimin, por në fillim nuk sheh asgjë, mirëpo papritmas arrin t’i vëren pesë policë serbë. Ai në shpinë të tyre e sheh mbishkrimin “Policija” në cirilik. Menjëherë kërkon nga Rexha pushkën M48 dhe merrë në shënjestër në drejtim të pozicioneve serbe, ku gjuan pesë herë me radhë. Ndërsa, me rafale të automatikut ky aksion është mbështetur edhe nga Shaban Rexhaj.

Forcat armike kanë tentuar të marrin nën kontrollë majën e “Kërshinës” për të kontrolluar këtë zonë, njëherit për të ndërprerë komunikimin që shfrytëzonte UÇK-ja nga Malet e Jezercit me Shtabin e UÇK-së në Pashtrik. Ky sulm ndaj forcave armike është realizuar rreth orës 11:00 dhe ka zgjatë 5-10 minuta. Mandej, tërheqja e tre ushtarëve të UÇK-së ka filluar barkas, të cilët kanë arritur të largohen me mjaftë vëshirësi nja 100-200 metra deri te “Udha e Gërkovës”. Forcat policore serbe, fillojnë t’i kundërpërgjigjen me tromblonë në vendin e sulmit për rreth 15 minuta. Ndërkohë, rreth orës 12:00 ka ardhë komandant Kaçiku së bashku me Ejup Runjevën “Erën” dhe e pyetë Shabanin: “Pollozhë ç’janë këto të shtëna?”. Ai iu përgjigj duke i treguar për zhvillimin e ngjarjes, e cila tha Shabani ishte e suksesshme. Komandanti Kaçiku, i kënaqur me lajmin që mori ju thotë; “Ju lumtë pushka”. Pas pak çasteve, Komandant Kaçiku e këshillon Shabanin, Avdullahun, Rexhën, Bajram Mehmetin dhe disa ushtarë tjerë që të jenë në gjendje gatishmërie. Ndërkohë, vjen Muhamet Zeqiri “Petriti”, Izjadin Rexhaj “Dini” dhe Fatmir Rexhaj “Mili”, me të cilët pati një bashkëbisedim komandant Kaçiku. Me këtë rast, Muhamti i tregon komandantit në fjalë që ka ardhur për t’u informuar, ku janë të vendosur shokët tjerë ngase kishin humbur kontaktet me ta. Pas zhvillimit të kësaj bisede të shkurtër, Ahmeti ka vazhduar inspektimin e pozicioneve me “Erën” dhe truprojën e tij në drejtim të “Udhës së Gërkovës” që të çon deri ku hynë “Uji nën dhe”. Atje në pozicion të luftës ishte Rizvan Rexhaj “Xani” dhe Nusret Salihaj, zëvendëskomandant i Batalonit të Policisë Ushtarake, kurse në vendin e quajtur “Gurët e Likejve” ishte Hasan Metushi, Heset Salihaj “Flamuri”, Basri Rashiti, Hyrë Emini, Rifat Ramadani e të tjerë. Nusreti dhe Rizvani gjatë kësaj kohe dëgjojnë bisedat e policëve serbë dhe shushurimat nëpër mal, të cilët tentonin të dalin në rrugë për të sulmuar pjesëtarët e UÇK-së. Këta fare nuk e dinin që komandant Kaçiku, truproja e tij dhe “Era” vinin në atë drejtim dhe pas një kthese të padukshme janë shfaqë të tretë papritmas, ku Rizvani në heshtje e ngritë dorën që të paralajmëroi për rrezikun. Për fat të keq, Ahmeti nuk i ka vërejtur këta dhe policët serbë ishin shumë afër dikund 4-5 metra, të cilët i kishin hetuar më herët. Forcat armike me breshër plumbash kanë shtënë dhe komandanti trim, Ahmet Shaban Kaçiku (35) është vrarë në vend, kurse komandant “Era” e ka tërhequr pak metra dhe në pamundësi të vazhdoj më tutje, gjuanë me automatik dhe hedhë dy bomba të dorës në drejtim të forcave armike dhe tërhiqet vet. Po ashtu, nga ky vend i rrezikshëm arrin të tërhiqet edhe Zenun Krasniqi. Rizvani dhe Nusreti kanë gjuajtur deri në fishekun e fundit në drejtim të forcave armike, të mbështetur nga pozicioni i Hasan Metushit me shokë, i cili me mitrolez të vogël kanë arritur të zmbrapsin forcat kriminale, të cilat tentonin ta merrnin kufomën e tij, meqë ai ishte epror ushtarak dhe bartte çantën me dokumentacion të rëndësishëm ushtarak.

Sipas burimeve serbe, në kodrën e quajtur “Kërshina” mbeti i vrarë ndihmëskomandant i policisë serbe në Shtime, Miro Petar Mekić (1968) nga Shekoviqi i Bosnjë-Hercegovinës, i cili ishte udhëheqës i grupit operativ, më 15 janar 1999. Kur ka filluar tërheqja e kufomës së kriminelit Mekić, pjesëtarët e UÇK-së kanë gjuajtur me një minë tromblonike nga e cila u plagosën lehtë policët: Jovica Stamenković dhe Radojica Nikčević.

Rreth orës 12:00, në Çestë të Reçakut, aterron helikopteri ushtarak i forcave jugosllave, me të cilin i tëreheqin të plagosurit dhe trupin e policit të vrarë.

P.S. Në fotografi Ahmet Kaçiku, komandanti i Brigadës 161 në Zonën Operative të Nerodimes

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar ngritje në ranglistën e re…