Gjenden tre bomba, nis evakuimi më i madh në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore

03 qershor 2025 | 23:12

Në Këln po bëhet evakuimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.Arsyeja është zbulimi i tri bombave të pashpërthyera të hedhura nga forcat aleate 80 vjet më parë.

Rreth 20,000 njerëz po detyrohen të largohen nga shtëpitë dhe bizneset e tyre, teksa po evakuohen edhe hotelet, një shtëpi kujdesi për të moshuarit dhe një spital.

Tri ura mbi lumin Rajn janë mbyllur dhe trafiku hekurudhor është ndalur ose devijuar, raporton “The Guardian”.

Shumë shkolla, kopshte, muze dhe rrjeti i tramvajit, si dhe shtëpia e orkestrës filarmonike të qytetit, janë detyruar të mbyllen pasi të gjitha veprimet në qytetin e vjetër janë ndërprerë.

Transmetuesi RTL është detyruar të zhvendosë programet e tij të lajmeve në studiot në Berlin, pasi ndërtesa e tij në Këln ndodhet brenda zonës së evakuimit me një rreze prej rreth 1,000 metrash. Disa programe që duhej të transmetoheshin drejtpërdrejt u detyruan të regjistroheshin, ka njoftuar transmetuesi.

Bombat pritet të çaktivizohen të mërkurën në mëngjes. Ato janë bomba të prodhuara në SHBA, dy prej 20 tonësh dhe një prej 10 tonësh.

Ato janë zbuluar të hënën në bregun e djathtë të lumit Rajn gjatë punimeve ndërtimore pranë fabrikës së anijeve Deutz. Të treja janë të pajisura me fitil impakti që mund të shkaktojnë shpërthim në kontakt me një sipërfaqe të fortë.

Tetëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjetje të tilla ende nuk janë të pazakonta në Këln, i cili ishte ndër qytetet më të bombarduara të Gjermanisë gjatë konfliktit.

Ende nuk dihet saktësisht se kur u hodhën bombat që presin të çaktivizohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Vehbi Kajtazi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me lidhjet…