“Gjendja mbetet e njëjtë”: KFOR-i demanton pretendimin e Maqedoncit për “70% të ushtrisë serbe në kufi”

31 maj 2025 | 20:05

Deklarata e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për përqendrim të madh të forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, është hedhur poshtë nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Në një përgjigje për Nacionalen, misioni paqeruajtës sqaroi se:

“KFORI-i nuk ka vërejtur dhe as është informuar për ndonjë ndryshim domethënës së fundmi në praninë e Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë vijës kufitare administrative.”

Përgjigja demanton deklaratën e Maqedoncit dhënë për ‘A2CNN’, ku ai pretendoi se rreth 70 për qind e kapaciteteve ushtarake serbe janë të pozicionuara në jug të Serbisë, afër kufirit me Kosovën: “Ne në vazhdimësi e ngritim si shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën” – deklaroi ai.

Maqedonci përmendi edhe 48 bazat ushtarake të vendosura pranë kufirit: “Diku 70 për qind e gjithë kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës, jo larg kufirit, dhe kësaj normal duke i shtuar edhe 48 bazat e përparme që gjithmonë ne vlerësojmë që paraqesin kërcënim, kur fqinji vendos forca ushtarake në kufi në një formë apo tjetër kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po bëhet rastësisht” – tha ministri i Mbrojtjes.

Megjithatë, sipas KFOR-it, nuk ka asnjë indikacion për ndonjë ndryshim madhor kohët e fundit sa i përket pranisë së Forcave të Armatosura Serbe përgjatë kufirit.

“KFOR-i nuk ka vërejtur dhe as është njoftuar për ndonjë ndryshim domethënës gjatë kohëve të fundit në praninë e Forcave të Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative. Sipas procedurave ekzistuese, Forcat e Armatosura Serbe janë të obliguara të informojnë rregullisht KFOR-in për dislokimin e forcave dhe aktivitetet e tyre operative në afërsi të Vijës Kufitare Administrative. Ne presim që kjo praktikë të vazhdojë dhe mbështetemi në bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në këtë drejtim.” – thuhet ne përgjigje.

Më tej, misioni paqeruajtës bëri të ditur se që nga viti 2023 ka shtuar ndjeshëm praninë dhe ka intensifikuar patrullimet përgjatë Vijës Kufitare Administrative.

“Komandanti i KFOR-it zhvillon komunikime të rregullta me autoritetet ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të ndërsjellë për situatën në terren.

Që nga viti 2023, KFOR-i e ka rritur ndjeshëm praninë dhe numrin e patrullimeve përgjatë Vijës Kufitare Administrative. Ne mbetemi të përgatitur mirë për të reaguar ndaj çdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe të palëkundur në përmbushjen e misionit tonë me mandat të OKB-së.” – thuhet më tej në përgjigjen e KFOR-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami ka uruar…