
Gjenerali amerikan për sulmin në Iran: Të gjitha armët goditën objektivat në Fordo
Kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, Gjeneral Dan Caine, teksa ka dhënë detaje për sulmin amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit, e ka përshkruar sulmin si “kulmi” i 15 viteve përgatitje nga ushtria amerikane.
Sipas tij, armët e përdorura në këtë operacion ishin “projektuar, planifikuar dhe shpërndarë” me qëllim të qartë: të arrinin suksesin në shkatërrimin e objektivit më të ndjeshëm bërthamor të Iranit – objektit nëntokësor në Fordo, raporton BBC.
Caine ka shtuar se operacioni ishte përqendruar në dy boshtet e ventilimit të objektit, të cilat Irani ishte përpjekur t’i mbronte me kapakë betoni për të shmangur goditjen nga ajri.
“Kapakët prej betoni u shkatërruan me goditjen e parë, duke lejuar që pesë bomba të tjera të futeshin në secilin bosht dhe të depërtonin në kompleksin kryesor, ku shpërthyen në hapësirën e misionit”, ka thënë Caine.
Ai poashtu ka shtuar se “të gjitha armët e përdorura nga SHBA në sulmin ndaj objektit bërthamor iranian në Fordo arritën dhe shpërthyen në targetet e paracaktuara”, ndërsa e ka përshkruar shpërthimin bazuar nga fjalët e pilotëve që kanë ndjekur misionin si “shpërthimin më të ndritshëm që kanë parë ndonjëherë, aq i fuqishëm sa dukej si drita e ditës”.
Caine poashtu ka shfaqur një video të njërës prej armëve në veprim, si provë e efikasitetit të sulmit.