
Gjermania lejon vizitat në bregdet
Një gjykatë rajonale në Gjermaninë lindore ka vendosur që vendasit mund të shkojnë në bregdetin e Baltikut këtë fundjavë të Pashkëve, me gjithë bllokimin e shkaktuar nga koronavirusi. Gjykata e Lartë Greifswald ka vendosur se ndalimi i udhëtimit ishte “joproporcional” me frenimin e lirisë lokale të njerëzve. Me gjithë këtë, gjermanëve nga rajone të tjera u janë ndaluar vizitat në bregdet. Por qeveria u ka kërkuar vendasve që ta respektojnë masën e mbajtjes së distancës prej të paktën dy metrash prej njëri-tjetrit, në mënyrë që të shmanget mundësia e infektimit me koronavirus. Temperaturat në bregdetin baltik të Gjermanisë pritet të shkojnë deri në mbi 20 gradë celsius të dielën. Numri i gjermanëve të infektuar është rritur për të katërtën ditë me radhë, duke arritur në 113 mijë e 525.