Gjermania “në ofensivë”, Merz “farkëton” aleanca me vendet e Gjirit Persik
Brenda 72 orësh, kancelari gjerman Friedrich Merz do të vizitojë tri shtete në rajonin e Gjirit Persik, në njëjtën kohë që kërkon “partneritete të reja strategjike” me Indinë.
Mes luhatjeve që po pëson miqësia me ShBA-në, Gjermania po farkëton aleanca të tjera. Lidhjet e qeverisë gjermane me shtetet kyçe të rajonit: Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë gjithmonë e më të dukshme.
Ndërkohë që në Arabinë Saudite ndodhej ministri i Mjedisit, socialdemokrati Carsten Schneider, zbriti në tokë edhe avioni me ministren e Ekonomisë, kristiandemokraten Katherina Reiche, në bord, e cila vuri në dukje se: “Nëse partneritetet, tek të cilat ke pasur besim dekada të tëra, fillojnë të pësojnë krisje, duhet të kërkojmë partnerë të rinj”.
Fokusi i kërkimit të partnerëve është në fushën e energjisë dhe projektet e armatimit. Nga 4 deri më 6 shkurt, kancelari Merz, udhëton fillimisht për në Arabinë Saudite për të vazhduar në Katar e në fundjavë në Emirate.
Të gjitha këto brenda 72 orësh. Synimi është të intensifikohen kontaktet ekonomike dhe për marrëveshje të qëndrueshme, në një kohë kur është gjithnjë e më pak është e qartë, se sa Evropa dhe Gjermania mund të vazhdojnë të mbështeten tek partnerë deri tani të rëndësishëm si ShBA-ja.



