Gjermania tashmë një vend tipik multikulturor

23 prill 2018 | 11:29

Nga Mimoza Kelmendi

Sipas statistikave zyrtare, numri i të huajve (jo nga vendet e BE-së) përbën rreth 4.2 % të popullsisë së Bashkimit Evropian që numëron një gjysmë miliard. Por flukset e viteve të fundit me emigrantë kanë bërë që ata të përqendrohen më së shumti në disa vende të BE-së. Atje bëhet faktori multikulturor edhe më i fuqishëm se diku tjetër.

Sipas të dhënave zyrtare, Gjermania është destinacioni kryesor për emigrantët në Evropë. Si kurrë më parë, në Gjermani jetojnë tani kaq shumë njerëz me prejardhje të huaj. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2017 ishin regjistruar 10,6 milionë persona me pasaporta të huaja. Prej vitit 2009 numri i të huajve në Gjermani ka ardhur duke u shumëfishuar. Një nga arsyet kryesore të rritjes së numrit të të huajve është edhe të ardhurit nga vendet anëtare të reja në BE si: Rumania, Polonia, Bullgaria. Shumë evropianë tashmë po i braktisin vendet e tyre të lindjes. Vendin e parë e zënë turqit, pastaj vijnë polakët, sirianët, italianët, rumunët, kroatët, grekët, bullgarët. Vetëm në vitin 2017 janë regjistruar 538 mijë të huaj (refugjatë) që kanë kërkuar mbrojtje në vendet e BE-së, 60 % e të cilëve në Gjermani.

Të gjithë jemi dëshmitarë që qytetarë nga Evropa Lindore pas viteve të ’90-ta u larguan për të jetuar në vendet e BE-së. Edhe pas viteve 2012-2017 pati një fluks të madh refugjatësh nga vendet arabe dhe Ballkani. Kështu shtetet kombëtare të Evropës Perëndimore, duan apo s’duan, janë bërë e po bëhen gjithnjë e më multikulturore, që nuk mund të integrojnë e aq më pak të asimilojnë atë çka vërshon drejt tyre. Po qe se kjo është e vërtetë, atëherë këto shtete duhet ta përballojnë në një mënyrë të ndershme dhe me dinjitet njerëzor. Duhet të kujdesen që konfliktet të sheshohen, diskriminimi të pengohet dhe që format e ndryshme të jetës ta respektojnë njëra-tjetrën. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për raportin e vendësve me të huajt, por edhe për konfliktet e të huajve mes njëri-tjetrit. Dhe brenda këtyre grupeve të popullsisë ka minoranca të vogla agresive, që e kanë në dorë nëse mbizotëron paqe apo plasin bomba.

Qëkurse ekziston një kulturë evropiane, sjellja ndaj të huajve vlen si kriter etik. Vetë “Dhiata e Vjetër” mëson se i huaji duhet respektuar, i duhet ardhur në ndihmë, duhet pranuar dhe i duhet bërë vend. Por ajo, natyrisht, nënkupton se ekzistojnë vendës dhe të huaj, pra njerëz që janë në shtëpi, në qytetin apo fshatin e tyre dhe të huaj që, ndoshta, të dëbuar ose në kërkim të një jete më të mirë dhe një atdheu të ri, trokasin në derën e vendësve. Në rast se qëndrojnë, gjejnë strehë dhe punë, atëherë fëmijët e tyre janë më pak të huaj, madje do të ndihen si vendës. Kjo ka ndodhur shpesh edhe në historinë e popullit gjerman. Para njëqind vjetësh erdhën në zonën e Ruhrit turma minatorësh polakë dhe, djemtë e tyre: Shepan, Urban, Kucora ose Tibulksi u treguan bashkëkombësve të tyre të rinj se si luhet futboll në ndeshjet e “Shalke 04”. Të huajt u kthyen në vendës.

Shoqëria multikulturore nënkupton diçka tjetër: që të huajt mbeten në vazhdimësi të kufizuar, ngulin këmbë në gjuhën, zakonet dhe vlerësimet e tyre, dhe i përdorin ato përherë e, në rast nevoje, kundër vendësve ose emigrantëve të tjerë. Shoqëria multikulturore, po t’i shkosh në thelb, nuk njeh vendës dhe të huaj, nuk njeh kulturë që vendos kritere për jetën e përbashkët. Një demokraci e pjekur siç është ajo në Gjermani mund të durojë mjaft larmi kulturore dhe gjuhësore, por jo ama kultura të veçanta, të ndara prej njëra-tjetrës, madje të pozicionuara kundër njëra-tjetrës. Politika demokratike ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm, pra edhe emigrantë, të cilët janë në gjendje të përfytyrojnë se ata dhe fëmijët e tyre do të bëhen qytetarë të tillë.

Te këta qytetarë të Gjermanisë bëjnë pjesë edhe ata njerëz që kanë lindur në Kurdistan apo Afrikën Perëndimore, në Siri apo Irak, në Kosovë apo Marok nga një kulturë tjetër, me një tjetër ngjyrë ose tjetër fe nga ajo e pjesës më të madhe të vendësve.
Dhe ata duhet ta dëshirojnë një gjë të tillë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sylejman Krasniqi - Vija e Teodosit rishfaqet, nga do t’ia…