Gjini: Abstenenca në zgjedhje ishte mesazh politik kundër stagnimit në Kosovë
Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka thënë se numri i madh i qytetarëve që nuk morën pjesë në votime duhet të lexohet si mesazh i qartë politik nga të gjitha subjektet.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gjini tha se abstenenca nuk duhet parë vetëm si mospjesëmarrje në procesin zgjedhor, por edhe si reagim ndaj situatës politike në vend.
“Duhet me e përmend edhe numrin e madh të qytetarëve që nuk kanë votuar. Unë mendoj që ata e kanë dërguar një mesazh dhe mesazhin duhet ta lexojë drejt çdokush, ne po provojmë ta lexojmë sa më drejtë që të jetë e mundshme”, tha ai.
Sipas Gjinit, një pjesë e qytetarëve kanë zgjedhur të mos votojnë si formë proteste ndaj ngërçit politik dhe mungesës së zhvillimit në Kosovë.
“Unë mendoj që edhe abstenenca ka qenë një lloj vote kundër ngërçit që po e përcjell Kosovën për më shumë se një vit e gjysmë. Unë po besoj që është protestë e një pjese të qytetarëve që janë mërzitur me stagnimin në Kosovë”, u shpreh Gjini.



