Gjuriq: SHBA ka suspenduar dialogun me Kosovën për shkak të pozitës së serbëve në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që administrata amerikane e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, “kryesisht për shkak të pozitës së serbëve në Kosovë”.
Gjuriq, në një deklaratë për RTS nga Uashingtoni, ka pretenduar se “një nga temat kyçe të bisedimeve” të tij në SHBA është edhe pozita e serbëve në Kosovë, transmeton Paparaci.
“Një nga temat kyçe është Kosova dhe është e rëndësishme që administrata amerikane ka pezulluar dialogun strategjik me Prishtinën, pikërisht në masë të madhe për shkak të pozitës së serbëve në Kosovë. Kjo është edhe rezultat i arsyetimit të pozitës së serbëve në Kosovë gjatë një periudhe të gjatë”, ka thënë Gjuriqi.
Ai ka thënë se tema e takimeve të tij është edhe bashkëpunimi në fushën e energjetikës, respektivisht situata në lidhje me NIS-in.
“Do të kërkojmë mbështetje dhe mirëkuptim për pozicionin serb, sepse, siç thonë ata, kemi një rast shumë të fortë që të mos jemi viktimë e sanksioneve të epokës së administratës Biden”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.



