Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e Vetëvendosjes për Aida Dërgutin

24 dhjetor 2018 | 17:05

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e ushtrimit të funksionit të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga Aida Dërguti, pasi kjo e fundit ishte larguar nga kjo lëvizje për t’u bërë pjesë e PSD-së.

Kjo gjykatë, fillimisht ka vlerësuar se kërkesa e parashtruesve është e papranueshme, duke konstatuar se mbajtja e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti dhe nuk përfaqëson interesat e grupit parlamentar që i ka propozuar për atë pozitë në Kryesinë e Kuvendit.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 06/V-145 të Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KO 84/18

KO84/18, Parashtrues: Albin Kurti dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 06/V-145 të Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës

KO84/18, Aktgjykim i miratuar më 3 dhjetor 2018, publikuar më 24 dhjetor 2018

Kërkesa ishte paraqitur nga 12 (dymbëdhjetë) deputetë të Kuvendit, në bazë të nenit 113. 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 06/V145 të Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: Vendimi i kontestuar), miratuar nga Kuvendi më 4 qershor 2018. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kërkuan vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht kërkuan “pezullimin e ushtrimit të funksionit të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës [Aida Dërguti]”.

Parashtruesit e kërkesës pretenduan se vendimi i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me nenet 7 [Vlerat] dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës.

1. Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës. Gjykata vlerësoi se kërkesa i plotëson kërkesat e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë e të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës, si dhe ngre çështje të rëndësishme kushtetuese lidhur me zgjedhjen dhe shkarkimin e nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve është e pranueshme.

2. Në lidhje me meritat e kërkesës, Gjykata, duke shqyrtuar dhe adresuar secilin pretendim të parashtruesve të kërkesës, vlerësoi dhe konstatoi si në vijim:

Së pari, Gjykata shqyrtoi pretendimin e parashtresave të kërkesës se pozita e nënkryetarit/es të Kuvendit, sipas nenit 67, paragrafi 3 të Kushtetutës, është e rezervuar ekskluzivisht për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat dalin nga partitë politike apo nga koalicionet që kanë fituar më së shumti ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend. Në lidhje me këtë, Gjykata vlerësoi se nga interpretimi i paragrafit 3, të nenit 67 të Kushtetutës, rezulton që mbajtja e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti dhe nuk përfaqëson interesat e grupit parlamentar që i ka propozuar për atë pozitë në Kryesinë e Kuvendit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesve të kërkesës, pozita e nënkryetarit/es të Kuvendit, sipas nenit 67, paragrafi 3 të Kushtetutës, është e rezervuar ekskluzivisht për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat dalin nga votat e partive politike apo e koalicioneve që kanë fituar ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend, nuk është i bazuar.

Së dyti, në lidhje me procedurën e ndjekur për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Gjykata rikujtoi se sipas paragrafit 5, të nenit 67 të Kushtetutës, është paraparë që nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me shumicën prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Në lidhje me këtë, Gjykata po ashtu rikujtoi se më 4 qershor 2018, pas diskutimeve në Kuvend, që ishin zhvilluar në lidhje me propozimin e LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, ku në sallë ishin të pranishëm 94 (nëntëdhjetë e katër) deputetë, 16 (gjashtëmbëdhjetë) deputetë kishin votuar për propozimin e LVV-së, 26 (njëzetë e gjashtë) deputetë kishin votuar kundër dhe 47 (dyzetë e shtatë) deputetë kishin abstenuar. Rrjedhimisht, propozimi i LVV-së nuk mori votat e nevojshme sipas nenit 67, paragrafi 5, të Kushtetutës, për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit dhe, me këtë rast, nuk u plotësuan kërkesat e parapara në nenin 67, paragrafi 5, që Aida Dërguti të shkarkohet nga pozita e nënkryetares.

Së treti, parashtruesit e kërkesës kishin pretenduar se “refuzimi i shkarkimit të nënkryetares në fjalë, e cila nuk e përfaqëson më fuqinë politike dhe votën demokratike siç e parasheh Kushtetuta, është abuzim me të drejtën e votimit dhe cenon qëllimin kushtetues që qëndron prapa dispozitave që e rregullojnë përbërjen e Kryesisë së Kuvendit.” Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata duke iu referuar dispozitave kushtetuese, të Rregullores së punës dhe praktikës së saj gjyqësore, vlerësoi se deputetët kanë për obligim të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në votim përkitazi me propozimet e paraqitura në bazë të Kushtetutës dhe të rregullave tjera të ndërlidhura. Megjithatë, Gjykata ritheksoi se deputetët janë të lirë të vendosin se si do të votojnë në lidhje me propozimet që janë paraqitur para tyre dhe mund të votojnë për, kundër apo të abstenojnë duke marrë parasysh interesin më të mirë të Shtetit në pajtim me Kushtetutën dhe me rregullat tjera.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se Vendimi nr. 06/V-145 i Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në pajtueshmëri me nenet 7 dhe 67 të Kushtetutës.

Në lidhje me kërkesën e parashtruesve për vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata, pas konstatimit të saj se vendimi i kontestuar është në pajtueshmëri me nenet 7 [Vlerat] dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, përfundoi se kërkesa është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, kërkesa për masë të përkohshme u refuzua.

Parashtruesit:

Albin Kurti dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:
KO – Kërkesë nga organet shtetërore

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është rrëzuar bredhi në sheshin kryesor të Prishtinës, konkretisht në…