
Gjykata refuzon padinë ndaj ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, paralajmërohet ankesë në Apel
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar padinë e dorëzuar nga grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind.
Lajmin e ka bërë me dije avokati, Ardian Bajraktari përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” duke paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit kundër këtij aktvendimi, teksa ka thënë se ankesën e kanë gati.
“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e Padisë tonë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Tashmë, gati është Ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij Aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon”, ka shkruar Bajraktari.