Gjykata Speciale i refuzon dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë: Janë të parëndësishme për rastin e krerëve të UÇK-së

21 tetor 2025 | 10:19

Pjesa më e madhe e provave të prezantuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, nuk janë pranuar në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë. Kështu kanë vendosur gjyqtarët e rastit, duke theksuar se përgjithësisht këto dëshmi, janë komplet të parëndësishme për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, që po zhvillohet në Hagë. Në vendimin të cilin e ka parë gazeta Nacionale thuhet se nuk është vërtetuar ndonjë ndërlidhje mes aktakuzës, dhe provave të cilat dëshmojnë krimet e Serbisë në Kosovë.

Paneli së pari vëren se më parë ka vendosur që provat për krimet e dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Mbrojtja e Krasniqit gjithashtu nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këtë pikë janë të lidhura me ndonjë nga akuzat ose faktet në Aktakuzë, ose se ato lidhen me ose janë provuese të organizimit ose aktivitetit të UÇK-së në zonë në një kohë ose vend që lidhet me akuzat”, thuhet në fillim të vendimit.

Por, cilat prova u rrëzuan dhe pse?

Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte dorëzuar materiale të shumta, dëshmi të shkruara, video-incizime të cilat sipas tyre, dëshmojnë se në Kosovë ka qenë gjendje kaosi, dhe shumë krime janë kryer në shenjë hakmarrjeje nga individë pas krimeve të Serbisë në zona të ndryshme.

Pas kërkesës së Jakup Krasniqit, Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të krimeve serbe të refuzohen. Dhe kështu ndodhi. Pjesa më e madhe e tyre u refuzuan, raporton Nacionale.

Prova me numrin 11 përmbante një material të BBC, ku kishte video-incizime të ndryshme që dëshmonin për krimet e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, kjo për gjyqtarët e Speciales është e parëndësishme. Ata vendosën ta pranojnë një pjesë krejt të shkurtër të materialit, aty ku UÇK-ja iu ndihmonte hetimeve të mundshme, por jo edhe dëshmive për krimet e Serbisë.

“Duke iu kthyer Provës së Propozuar 11, Paneli vëren pretendimin e Mbrojtjes së Krasniqit se videoja lidhet, ndër të tjera, me pasojat e krimeve serbe të kryera kundër popullsisë shqiptare, natyrën mbrojtëse të organizatës së UÇK-së, pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në zhdukjen dhe vdekjen e individëve, trupat e të cilëve u gjetën në rrethana të pashpjegueshme dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia civile. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 11, Paneli vëren se pjesa e parë e videos lidhet kryesisht me krimet që dyshohet se janë kryer nga forcat serbe në Rahovec dhe përreth. Paneli kujton qëndrimin e tij se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Paneli konsideron se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se pjesa e parë e videos është relevante për këtë çështje”, thuhet në këtë vendim.

“Megjithatë, Paneli vëren se pjesët pasuese të videos që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me gatishmërinë e pretenduar të UÇK-së për të ndihmuar në hetimet e krimeve, dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia shqiptare në rast se nuk do të bëheshin arrestime, mund të jenë relevante për çështjen aktuale. Trupi gjykues konsideron se vetëm pjesa e videos që përbëhet nga 17:39-20:15 dhe 34:25-38:00 është treguar e rëndësishme. Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë rëndësinë e pjesëve të mbetura të Provës 11 të Propozuar”, thuhet më tutje.

Gjyqtarët e Hagës e refuzuan një tjetër prove të propozuar nga Jakup Krasniqi, e që lidhej me raportet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas gjyqtarëve, këto nuk janë relevante, ngjashëm siç konstatoi edhe për dëshmitë e krimeve serbe.

Lidhur me Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues vëren parashtrimin e Mbrojtjes së Krasniqit se ajo lidhet me marrëdhënien midis LDK-së dhe UÇK-së, dhe sugjerimin se ato nuk ishin opozitë dhe kishin qëllime të përbashkëta. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues nuk e konsideron përmbajtjen e saj, siç përshkruhet aty, të jetë relevante për qëllimet e përbashkëta të pretenduara të UÇK-së dhe LDK-së në asnjë mënyrë relevante për këtë çështje. Trupi Gjykues vëren se, ndërsa një pjesë e Provës së Propozuar 15 përmend denoncimin e LDK-së për krimet e kryera nga forcat serbe, kjo pikë është kryesisht relevante për krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat janë të parëndësishme përveç nëse lidhen ndryshe me akuzat kundër të Akuzuarit. Prandaj, Trupi Gjykues konstaton se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se Prova e Propozuar 15 është relevante për këtë çështje”, thuhet më tutje në këtë vendim, raporton Nacionale.

Trupi gjykues vendosi ta pranojë provën me numër 16 që tregon për krimet e ndryshme serbe në Kosovë. Por, jo me arsyetimin e përmbajtjes së tyre apo dëshmisë së krimeve në Kosovë, por me disa përfundime që paneli synon t’i nxjerrë për politikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

“Lidhur me Provën e Propozuar 16, Paneli vëren parashtrimin e Mbrojtjes së Krasniqit se ajo lidhet me krimet e kryera nga forcat serbe dhe me faktin se UÇK-ja nuk kishte nën kontroll të gjithë individët që kryenin krime pas përfundimit formal të konfliktit. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 16, Paneli vëren se një pjesë e kësaj pike i referohet krimeve që dyshohet se i janë fajësuar UÇK-së dhe akteve të dhunës që dyshohet se janë kryer në mënyrë sporadike nga popullsia shqiptare në Rahovec. Duke marrë parasysh se këto ngjarje nuk lidhen me asnjë nga krimet e akuzuara dhe lidhen vetëm në distancë me rrethanat relevante për këtë çështje, Paneli e gjen pretendimin e rëndësisë për këtë çështje të dobët. 5Paneli gjithashtu konsideron se Prova e Propozuar 16 mund të jetë paksa relevante për disa përfundime që Paneli ftohet të nxjerrë në lidhje me politikën e UÇK-së për të synuar kategori të caktuara individësh dhe atribuimin e një sjelljeje të tillë të Akuzuarve ose atyre që lidhen me ta”, thuhet në vendim.

U refuzuan edhe dëshmitë 18 dhe 19, të cilat dëshmonin për situatën e vështirë të kthimit të refugjatëve në Kosovë. Edhe këto, për gjyqtarët, janë të parëndësishme.

“Lidhur me Provat e Propozuara 18 dhe 19, Paneli vëren parashtrimin e Mbrojtjes së Krasniqit se ato lidhen, ndër të tjera, me krimet e kryera në gusht 1999, praninë e KFOR-it (“KFOR”) dhe situatën pas luftës në Rahovec. Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të shpjegojë se si lidhet një informacion i tillë me akuzat ose me rastin e saj në përgjigje të tyre. Pasi ka shqyrtuar Provën e Propozuar 19, Paneli nuk është i bindur se ajo është relevante për rastin aktual. Lidhur me Provën e Propozuar 18, Paneli vëren se ajo lidhet me praninë dhe kontrollin e KFOR-it mbi Rahovec në gusht 1999. Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të përcaktojë se si ky fakt do të ishte relevant për rastin. Kështu, Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të përcaktojë se Provat e Propozuara 18 dhe 19 janë relevante”, thuhet më tutje në vendimin e Gjykatës Speciale.

Për këto prova, ditë më parë Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi që të mos pranohen.

Në anën tjetër, muaj më parë, Gjykata Speciale kishte pranuar prova që zyrtarisht iu takonin institucioneve të Beogradit zyrtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate tha se kanë oferta nga…