Gjykata Speciale reagon pasi Avokati i Popullit i dërgoi letër për pranimin e dokumenteve që vijnë nga Serbia

13 janar 2026 | 18:13

Gjykata Speciale ka bërë një reagim pasi ka pranuar letrën e Avokatit të Popullit, Naim Qelajt, ku ka thënë se ka vërejtur se në rastin e ish-krerëve të UÇK’së janë pranuar dokumente që vijnë nga autoritetet serbe. Në reagimin e Gjykatës Speciale thuhet se vendimi për të pranuar prova nuk është tregues sa peshë apo besueshmëri do t’u jepet atyre.

“Gjatë kuvendimeve për lëshimin e aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë duke mbajtur parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim”, thuhet në reagim.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, vijon reagimi.

“Një vendim i gjykatësve për të pranuar prova, nuk do të thotë se gjykatësit duhet të mbështeten në to për aktgjykim. Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara, dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre”.

Ky reagim vjen pas letrës së Avokatit të Popullit, ku u shkrua se ka vërejtur “pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999”.

“Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet pos tjerash në letrën e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imer Sefë Mleqani, i njohur gjerësisht si Baca Imer, është…