Gjykata Supreme i kthen dinjitetin kategorive të luftës
(Kosova nuk mund të ndërtojë shtet duke përbuzur ata që e ndërtuan lirinë)
Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për të shpallur të paligjshëm dhe për të shfuqizuar nenin 14.A, paragrafi 1, nënparagrafi 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025 të Ministrisë së Financave, është një akt juridik i drejtë dhe moral i vonuar.
Ky vendim nuk është vetëm një fitore gjyqësore për disa veteranë që paraqitën kërkesëpadinë, por është një konfirmim institucional i së drejtës së fituar me gjak dhe sakrificë për të gjitha kategoritë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky vendim ka vlerë shumëdimensionale. Juridikisht, Gjykata Supreme ka vënë në vend parimin e përputhshmërisë vertikale të akteve nënligjore me ligjin dhe ka konstatuar se Ministria e Financave kishte vepruar në kundërshtim me ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe viktimave civile të luftës. Ajo kishte imponuar një kriter të paarsyeshëm dhe diskriminues siç është detyrimi për të bërë kërkesën për “vërtetim nga ATK se veterani nuk është në marrëdhënie pune” – duke cenuar rëndë sigurinë juridike dhe duke penguar në mënyrë arbitrare zbatimin e një të drejte të fituar me ligj dhe me gjak.
Në aspektin moral dhe politik, ky është një dënim i qartë ndaj politikës përçmuese që nisi pas vitit 2019, kur qeveria e ardhur atëherë ndërmori një fushatë sistematike për t’i trajtuar kategoritë e luftës si barrë buxhetore, jo si themel të lirisë dhe shtetit.
Udhëzime të tilla, të hartuara në frymën e mohimit dhe përbuzjes, nuk ishin thjesht shkelje ligjore, ato ishin shkelje të kujtesës kombëtare, të dinjitetit të dëshmorëve dhe të vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Është pikërisht kjo qeveri dhe ky kryeministër që kanë lejuar Ministrinë e Financave të prodhojë një praktikë administrative diskriminuese ndaj kategorive të luftës, me qëllim të qartë kursimi financiar në kurriz të atyre që kanë sakrifikuar më shumë për lirinë. Kjo nuk është ekonomi – kjo është padrejtësi me kalkulime politike. Sepse kursimi nuk mund të bëhet duke cenuar sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për këtë vend.
Në këtë kontekst, fjalët e ministrit të sotëm të financave, të thëna dikur në vitin 2016, rikthehen si një plagë e hapur për shoqërinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Ai kishte thënë publikisht se “më lirë do na kushtonte liria sikur t’i kishim paguar mercenarë – me vetëm 16 milionë euro”.
Kjo deklaratë, përtej arrogancës financiare, është një fyerje ndaj gjakut të dëshmorëve, ndaj familjeve të tyre, ndaj viktimave të luftës – të vrarëve e dhunuarve civilë, ndaj invalidëve e veteranëve që mbetën gjallë me plagët e luftës.
Kjo mendësi, e shndërruar sot në politikë shtetërore, ka për qëllim të rrënojë moralin e atyre që e fituan lirinë, për ta zëvendësuar atë me një narrativë përfitimi buxhetor.
Në këto rrethana, ekziston baza ligjore për të shqyrtuar përgjegjësinë penale dhe civile të zyrtarëve publikë që kanë cenuar dinjitetin dhe të drejtat e kategorive të luftës. Deklaratat përçmuese dhe aktet administrative diskriminuese, të hartuara dhe zbatuara nga Ministria e Financave nën mbikëqyrjen e Qeverisë, përbëjnë bazë për ngritje padie penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fyerje publike, si dhe për kërkesë dëmshpërblimi moral në përputhje me nenet 36 dhe 40 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 414 të Kodit Penal dhe nenin 177 të Ligjit për Detyrimet. Kjo është jo vetëm çështje ligjore, por edhe çështje nderi shtetëror dhe respekti ndaj atyre që e fituan lirinë me gjak, jo me kalkulim buxhetor.
Por drejtësia, sado vonë, flet. Gjykata Supreme foli qartë: e drejta e fituar me ligj nuk mund të shfuqizohet me një udhëzim administrativ, as të interpretohet sipas dëshirës së ndonjë ministri që i sheh veteranët si statistikë financiare.
Në shtetet e konsoliduara, aktet nënligjore janë mjet teknik për zbatim të ligjit, e jo instrument politik për ta kufizuar.
Në Kosovë, për fat të keq, pas vitit 2019 ato u shndërruan në vegla selektive për të shkatërruar themelet morale të shtetit, e kjo është më e rrezikshme se çdo shkelje burokratike.
Prandaj, vendimi i Gjykatës Supreme duhet të shihet si fitore ligjore dhe morale e kategorive të luftës, por edhe si dështim politik i atyre që i kanë keqpërdorur institucionet për të dëmtuar veteranët dhe familjet e dëshmorëve.
Kjo është një thirrje e qartë për qeverinë aktuale, që të ndalë çdo tentativë për t’i zbehur të drejtat e kategorive të luftës, të zbatojë pa vonesë vendimin e Gjykatës dhe të harmonizojë udhëzimet administrative me ligjin, jo sipas ideologjisë, por sipas drejtësisë.
Kosova nuk mund të ndërtojë shtet duke përbuzur ata që e ndërtuan lirinë.
Veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe viktimat e luftës nuk janë as “kosto” e as “skemë sociale”.
Ata janë vlera themelore e kombit. Dhe askush, sado pushtet të ketë, nuk mund të vërë kufizime mbi sakrificën që është më e madhe se çdo buxhet vjetor i qeverisë.
Hisen Berisha
Ish zë përfaqësues i kategorive të dala nga lufta në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jurist dhe oficer i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneral në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës.



