Supremja rikthen masën e pezullimit për rastin e hidrocentralit në Brezovicë

29 nëntor 2021 | 12:02

Gjykata Supreme e Kosovës e ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e hidrocentralit në Brezovicë, duke e prishur aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ka njoftuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe organizata joqeveritare GAIA.

GLPS dhe GAIA thonë se ndalja e punës së hidrocentralit ishte kundër interesit publik. “Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i Gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare”, thuhet në njoftimin e organizatave.

Sipas Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e madhe.

GLPS dhe GAIA theksojnë se ky aktgjykim është një fitore për qytetarët e Shtërpcës sepse, sipas tyre, do të thotë që me pezullimin e lejes ujore, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i së cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali.

“GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për hidrocentralin në Brezovicë, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë leje ujore për hidrocentralet e tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça. Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta e të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale, i përbërë kryesisht nga zyrtarë të ministrisë, e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

GLPS-ja ka theksuar se lejet dhe aktet e tjera të Ministrisë së Ambientit janë dhënë në shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet për mjedisin ku jetojnë.

“Kjo është shkelje serioze e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe bazë për anulimin e të gjitha lejeve dhe akteve të tjera. Pra, e gjithë procedura, që nga fillimi, ka qenë jotransparente, gjë që po e thotë edhe vetë raporti i Ministrisë së Ambientit tani. Së dyti, duhet të theksohet se hidrocentralet e kundërligjshme kanë degraduar rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin, kanë shëmtuar peizazhin dikur shumë të bukur dhe krenar, kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendorë. Infrastruktura e hidrocentraleve është ndërtuar edhe në Parkun Kombëtar Sharri, edhe pse me ligj shprehimisht ndalohet çfarëdo ‘ndërtimi që rrezikon natyrën’ si dhe ndalohet ‘shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës aty’”, theksohet në njoftimin e GLPS-së dhe GAIA-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për disa vite ata ishin një nga çiftet më të…