Gjykata Supreme vendos: S’ka rivotim në Mitrovicë
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që kërkonte të ketë përsëritje të votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 14 nëntor ka vendosur që të mos ketë rivotim pas ankesës së PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe problemeve me shfaqjen e numrit serik në fletëvotime. PZAP-ja e kishte cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar parregullsitë.
Pas kësaj, PDK-ja është ankuar në instancën më të lartë. Të enjten, Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e PDK-së duke e pranuar si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin e PZAP-it.
“Me numër lënde AA.nr.122/2025, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.439/2025, të datës 14.11.2025. Pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e PDK-së, kjo e fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, duke kërkuar të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda afatit të caktuar ligjor të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse. Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it. Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, ka njoftuar Gjykata Supreme.



