Gjykimi i çlirimit: Kur dekolonizimi kthehet në akuzë

18 tetor 2025 | 19:56

Adri Nurellari

Në një qytet të ftohtë e të lagësht holandez, mijëra kilometra larg Prishtinës, gjendet një godinë e zymtë betoni që ka vendosur të përcaktojë fatin politik e historik të Kosovës. Nuk është ndonjë seli diplomatike, as ndonjë organ ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara por Gjykata Speciale për Kosovën, një strukturë e ngritur nën presion ndërkombëtar, e financuar dhe e kontrolluar nga Bashkimi Evropian, e vendosur në Hagë dhe mbi të gjitha, larg sovranitetit të Kosovës. Gjykata Speciale është bërë simbol i izolimit, seanca të mbyllura, redaktime të tepërta, komunikime burokratike që askush nuk i kupton. Kjo nuk është mbrojtje e dëshmitarëve — është fshehje e procesit nga publiku. Në Kosovë, qytetarët e thjeshtë nuk kanë asnjë ide reale se çfarë ndodh në Hagë. Transparenca është zëvendësuar me sekret institucional. E gjitha kjo zhvillohet në një strukturë që nuk i përgjigjet askujt. Gjykata Speciale nuk ka llogaridhënie as ndaj Kuvendit të Kosovës, që e ka miratuar formalisht, as ndaj ndonjë organi të Bashkimit Europian që ta mbikëqyrë politikisht. Ajo është një ishull institucional që funksionon në Hagë jashtë çdo kontrolli demokratik, pa asnjë mekanizëm real që ta detyrojë të ecë me ritme të arsyeshme, të jetë transparente dhe e paanshme.. Kjo strukturë me këtë mënyrë të funksionimit, është unike jo për inovacionin pozitiv, por për mungesën totale të llogaridhënies.
​Gjykata me këtë funksionim është një deja vu tragjik i Konferencës së Londrës. Përsëri, fatet e Kosovës po vendosen larg, në sallonet e një kryeqyteti evropian, ndërsa transparenca dhe sovraniteti i vendasve veniten. Historia e Kosovës është historia e një populli që pothuajse kurrë s’e ka pasur në dorë fatin e vet — por që kurrë s’e ka pranuar në heshtje këtë fat të imponuar. Para se Fuqitë e Mëdha të mblidheshin në sallonet e Londrës në vitin 1913, Kosova kishte shpërthyer disa herë në kryengritje të armatosura, duke ngritur flamurin e lirisë kundër sundimit osman dhe më pas kundër çdo projekti që synonte ta copëtonte atë. Kryengritja e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), kryengritja e vitit 1893, e Lidhjes së Pejës (1899), rebelimi kundër XhonTurqve në 1910 për të kulminuar me Kryengritjen e Përgjithshme në 1912, nuk ishin episode të izoluara por ishin shenja të një populli që kërkonte të merrte në dorë fatin e vet, përpara se ky fat të vulosej nga të tjerët. Në malet e Kaçanikut, në Drenicë, në Shalë, në Karadak, në malësitë e Rugovës dhe Gjakovës, shqiptarët e Kosovës i dolën përballë një perandorie despotike dhe më pas intrigave të fqinjëve të ushqyera nga fuqitë e mëdha, me pushkë në dorë dhe me një ide të qartë në zemër: të jenë zot të vendit të tyre.
​Por ndërsa kryengritësit shqiptarë luftonin në terren, në Evropën perandorake luhej një tjetër lojë. Larg zhurmës së pushkëve dhe pa asnjë përfaqësues shqiptar në tavolinë, një grusht ambasadorësh vizatuan kufijtë e rinj të Ballkanit me një indiferencë të ftohtë ashtu siç Franca e Britania ndanë Lindjen e Mesme me marrëveshjen Sykes–Picot. Pa referendum, pa konsultim, pa të drejtë fjale. një laps mbi hartë vendosi fatin e Kosovës. Një vendim i marrë mbi tavolina të huaja i mohoi frymës kryengritëse të popullit shqiptar çdo të drejtë që ajo kishte fituar me sakrificë.
​Pas kësaj, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene ngriti një aparat të plotë kolonizimi të koordinuara nga Drejtoria e Kolonizimit në Shkup me komisione lokale, kredi për kolonë serbë e malazezë, dëbim sistematik të dhunshëm drejt Turqisë dhe Shqipërisë. Pra një politikë klasike koloniale që synonte ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë ku shqiptarët autoktonë u trajtuan jo si qytetarë, por si popullatë për t’u “rregulluar”. Në këtë kuptim, Kosova nuk ishte thjesht një provincë — ishte një territor i kolonizuar.
​Por ndryshe nga viti 1913, sot nuk jemi në një vakum juridik ndërkombëtar ku fuqitë e mëdha mund të vizatojnë kufijtë e një populli në tavolina të mbyllura. Pas Luftës së Dytë Botërore u vendos një arkitekturë e re globale, që e njeh të drejtën e popujve për vetëvendosje si parim themelor të rendit ndërkombëtar. Karta e Kombeve të Bashkuara (1945) e përfshiu këtë të drejtë në nenin 1(2) dhe nenet 73–74, duke i kthyer territoret e kolonizuara në subjekt të së drejtës ndërkombëtare. Në vitin 1960, Rezoluta 1514 shpalli se çdo popull ka të drejtën e pavarësisë dhe ky parim u përforcua nga Rezoluta 2625 (1970), e cila e ngriti vetëvendosjen në nivel të jus cogens (obligativ). Po ashtu u konsolidua nga dy Paktet Ndërkombëtare të vitit 1966, që e vendosën në nenin e parë të tyre.
​Këto dokumente krijuan një rend të ri botëror ku popujt nuk shihen më si plaçkë për t’u ndarë nga fuqitë e huaja, por si aktorë me të drejtë të plotë për të vendosur vetë për fatin e tyre. Nga “objekte” të vendimeve të jashtme, ata u kthyen në subjekte të së drejtës ndërkombëtare, me zë dhe status juridik të njohur. Ky parim u konfirmua në mënyrë të qartë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me verdiktin e vitit 2010, i cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
​Në këtë dritë, ngritja e një gjykate të jashtme mono-etnike që po vepron jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës, që po gjykon në mënyrë të mbyllur dhe të pavarur nga çdo mekanizëm demokratik, dhe që do të vendosë për çështje thelbësore të historisë dhe politikës së Kosovës jashtë territorit të saj. përbën një kthim prapa ndaj frymës së dekolonizimit. Ajo zhvendos sovranitetin juridik nga Prishtina në Hagë, duke rikrijuar, në mënyrë moderne dhe burokratike, atë që dokumentet ndërkombëtare të dekolonizimit synuan ta zhduknin përgjithmonë.
​Mirëpo përveç funksionimit si koorporate autonome,, Gjykata Speciale ka ndërtuar një akuzë që e trajton luftën çlirimtare të Kosovës si një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” (Joint Criminal Enterprise) — një kornizë juridike e huaj, që zhvendos fokusin nga veprimet individuale në vetë karakterin e lëvizjes çlirimtare. Ironikisht, ky koncept nuk ekziston as në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, të cilit kjo gjykatë gjoja i shërben, as në legjislacionin penal të ish-Jugosllavisë, nën juridiksionin formal të së cilës ndodhej Kosova gjatë luftës. Me këtë veprim, gjykata nuk është më vetëm një trup gjykues: ajo ka marrë edhe rol legjislativ, duke futur norma të reja që s’janë miratuar kurrë nga Kuvendi i Kosovës dhe duke ndërtuar jurisprudencë të vetën, të shkëputur nga çdo burim vendor ligjor. Në praktikë, kjo e kthen Gjykatën Speciale në një autoritet që jo vetëm gjykon, por edhe krijon rregulla të reja juridike, jashtë çdo kontrolli demokratik e institucional të shtetit të Kosovës.
​Kur flasim për akuzën, ia vlen të ndalemi në një element thelbësor të Rezolutës 1514 të sipër përmendur, dokumentit që shënoi kthesën historike të dekolonizimit në shkallë globale. Ajo shpallte qartë se mungesa e zhvillimit institucional apo ekonomik “nuk mund të përdoret si arsye për të vonuar pavarësinë”. Pra njeh qartë të drejtën e popujve për vetëvendosje, përfshirë edhe të drejtën për t’u çliruar nga sundimi kolonial me mjetet rrethanore modeste që kanë në dispozicion. Pikërisht ky është parimi mbi të cilin është ndërtuar legjitimiteti i shumicës së lëvizjeve çlirimtare të shekullit XX — nga Amerika Jugore a Afrika në Azi, nga Belizeja, Timori Lindor te Algjeria. Në të gjitha këto raste, bashkësia ndërkombëtare, përmes OKB-së dhe sistemit të së drejtës ndërkombëtare, e konsideroi rezistencën e armatosur të popujve të kolonizuar si pjesë të drejtës së tyre legjitime për çlirim, edhe kur këto lëvizje nuk kishin struktura shtetërore klasike, ushtri të rregullta apo kontroll të plotë territorial. Kosova bën pjesë saktësisht në të njëjtën kategori historike të popujve që kanë luftuar për t’u çliruar nga sundimi i huaj, ashtu si dhjetëra kombe që sot janë shtete të pavarura, duke u bërë pjesë organike e procesit global të dekolonizimit që ka prodhuar 2/3 e shteteve që janë në OKB sot.
​Por logjika e akuzës së Gjykatës Speciale shkon drejtpërdrejt kundër këtij parimi. Ajo niset nga premisa artificiale se UÇK-ja duhet trajtuar sikur të kishte qenë një ushtri shtetërore klasike — me hierarki komanduese të qartë, kontroll efektiv në çdo cep të territorit, disiplinë të standardizuar ushtarake dhe zinxhir të përkryer komandimi. Me fjalë të tjera, sikur të ishte një shtet funksional në kohën e luftës ngjashëm me Kroacinë. Por ky është një absurditet juridik dhe historik. UÇK-ja lindi si lëvizje popullore e armatosur në kushte të okupimit të egër, pa institucione shtetërore, pa struktura klasike ushtarake dhe nën rrezikun ekzistencial të një gjenocidi në rrugë e sipër. Ajo ishte shprehje e së drejtës së një populli të shtypur për të ngritur krye dhe për të përdorur çdo mjet të mundshëm për mbijetesë dhe për çlirim kombëtar — saktësisht ajo që Rezoluta 1514 e njeh si legjitime.
​Nëse e ndjekim deri në fund logjikën e Prokurorisë Speciale, atëherë del se popujt e shtypur apo të kolonizuar nuk kanë të drejtë të rezistojnë, përveç nëse kanë një ushtri të rregullt dhe perfekte sipas standardeve të NATO-s. Një qasje e tillë do t’i përjashtonte pothuajse të gjitha luftërat çlirimtare të shekullit XX, sepse shumica e tyre janë zhvilluar në kushte të varfëra, me mjete të improvizuara dhe pa struktura shtetërore të konsoliduara. Në vend që të mbrojë parimin universal të vetëvendosjes, kjo logjikë e përdor të drejtën ndërkombëtare për të kriminalizuar procesin e çlirimit. Ajo nuk e kupton natyrën e një rezistence të një populli të shtypur, por i vendos asaj në mënyrë artificiale modelin e një ushtrie shtetërore konvencionale, duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm: që popujt e robëruar pa shtet, sado të shtypur apo të kërcënuar nga shfarosja, nuk do të kishin të drejtë të luftojnë për mbijetesë dhe çlirim.
​Si përfundim, në Hagë sot nuk po zhvillohet një proces i zakonshëm penal por po zhvillohet një përpjekje e heshtur për të rishkruar historinë, për ta vënë në bankën e të akuzuarve vetë aktin e çlirimit. Nëse ky precedent pranohet, nuk e pëson vetëm Kosova, por në thelb kjo i dërgon një sinjal shumë të qartë çdo populli apo lëvizjeje çlirimtare: edhe nëse arrini të çlironi vendin tuaj, ish-fuqitë kolonizatore nuk do t’ju falin kurrë për këtë guxim. Ju do të përndiqeni, akuzoheni dhe delegjitimizoheni për dekada të tëra pas luftës (siç po ndodh sot me ish-pjesëtarët e UÇK-së) një çerek shekulli pas përfundimit të konfliktit. Ky është një mesazh i heshtur, por brutal: mund të fitosh luftën me pushkë në dorë, por në sallat e ftohta të gjykatave të tyre do të vazhdosh ta paguash çmimin e guximit sepse fuqitë e vjetra evropiane nuk e harrojnë kurrë atë që i sfidoi vendimet e tyre të dikurshme. Prandaj Haga nuk është fundi i një procesi, por fillimi i testimit të një parimi universal të fituar me gjak, atij të dekolonizimit. Dhe Kosova nuk ka asnjë arsye ta pranojë heshtur këtë deformim historik e këtë shkelje parimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kudusi Lama - “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia“ Imer Xhemail…