
Gjykimi i liderëve të UÇK-së drejt fundit: Këto janë të gjitha afatet dhe datat e rëndësishme
Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të UÇK-së është drejt fundit.
Pas përfundimit të rastit të Prokurorisë, tashmë mbrojtja ka nisur përgatitjet e veta për ta paraqitur rastin e saj.
Megjithatë, para kësaj, duhet të vendoset për mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa prej akuzave.
Ky tekst iu sjell datat më të rëndësishme për fazat e fundit të këtij procesi.
Krerët e UÇK-së patën kohë ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave deri më 12 qershor.
Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kohë të përgjigjet në mocionin e mbrojtjes deri (sot) më 7 korrik.
Gjyqtarët pritet ta marrin vendimin për këtë mocion, në javën që fillon më 14 korrik.
Varësisht se cili do të jetë vendimi lidhur me mocionin, pritet të vazhdojë edhe procesi gjyqësor. Megjithatë, deri atëherë, janë caktuar edhe disa data të tjera me rëndësi.
Një konferencë për ecurinë e çështjes do të mbahet të martën, më 22 korrik, në orën 14:00.
Nëse mocioni rrëzohet, Avokati i Viktimave urdhërohet të përgatitet të ftojë dëshmitarët e tij më 16 korrik.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së duhet ta njoftojë Gjykatën deri më 16 korrik nëse synon të dorëzojë provat e veta.
Mbrojtja duhet të dorëzoje provat dhe listat e dëshmitarëve deri më 21 korrik.
Gjyqtarët kanë vendosur që konferencën për statusore për rastin e mbrojtjes ta shtyjnë deri më datën 19 gusht.
Rasti i mbrojtjes pritet të fillojë menjëherë pas 18 gushtit, varësisht se si përcaktohen afatet.
Konferenca përgatitore për rastin e mbrojtjes mbahet më 22 gusht.
Informacione për numrin e dëshmitarëve
20 deri në 25 dëshmitarë pritet t’i ketë mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale të Hagës.
Prej tyre, rreth 15 mund të ftohen për të dëshmuar ‘live’ në gjykatë.
Në një parashtrim të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që do të dëshmojnë në Gjykatë, por që edhe ky numër mund të reduktohet.
Kurse, mbrojtja e Jakup Krasniqit do të ketë 10 dëshmitarë, prej të cilëve maksimalisht pesë do të dëshmojë në Gjykatën Speciale.
Aktualisht, mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kanë planifikuar të ftojnë dëshmitarë.