GLPS: Kriza institucionale i kushtoi vendit me mosanëtarësim në Këshillin e Evropës

14 maj 2025 | 11:10

Më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një reagim për media thekson se fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar.

“Kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti.

Javët e kaluara do të duhej të ishin të mbushura me lobim intensiv dhe strategjik nga të gjithë akterët politikë për një votim të suksesshëm. Fatkeqësisht, në fakt ato u mbushën me debate shterpë mbi emrat dhe procedurat e mundshme për konstituim të Kuvendit”, thuhet në reagim.

GLPS tutje thekson se fakti që nuk ka kuvend funksional edhe pas 15 tentimeve për zgjedhjen e një kryetari është pasqyra më e keqe e mundshme për vendin tonë.

Sipas tyre, një situatë e tillë po i kushton rënd Kosovës në aspiratat e saj integruese, si në aspektin e humbjes së mundësive të rëndësishme sikurse anëtarësimi në KiE, e po ashtu edhe ne përfitimin nga Plani i Rritjes së BE-së, për të cilin GLPS reagoi publikisht para disa ditësh.

“GLPS dëshiron të rikujtojë se me mos trajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm. Duke marrë parasysh kontekstin e luftës në përfundim e sipër në Ukrainë, nuk është larg mendsh që deri në maj të vitit të ardhshëm Rusia të riinstalohet si anëtar i KiE, gjë që praktikisht do ta pamundësonte anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë.

Prandaj GLPS shfrytëzon rastin që edhe njëherë të bëjë thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë fundjavës së kaluar, dr. Adem Kllokoqi mori pjesë në…