Golden State mposhti Lakersat në kohën shtesë

01 dhjetor 2017 | 11:07

Kampionët e Golden States fituan 127-123 ndaj Lakersave, një ndeshje që u vendos pas kohës shtesë.

Edhe pse Warriorsi ishte favorit, vuajti shumë për t’i ndalur Lakersat në derbin kalifornian, një përballje që dhuroi shumë emocione e rivalitet. Ingrami realizoi 32 pikë për Lakersat, por që s’mjaftuan, ndërsa treshja e Golden States, Durant-Curry-Thompson, shënuan 77 pikë, duke bërë diferencën në parket. Fiton edhe skuadra e San Antonios, që mundi 104-95 Memphisin, në një ndeshje me rivalitet, me Spursin që u shkëput gradualisht nga perioda në periodë. LaMarcus Aldridge me 41 pikë ishte lider për teksanët, njeriu që vulosi fitoren e Spursit, ndërsa Toronto mundi 126-113 Charlotten falë 66 pikëve të dyshes Lowry-DeRozan, raporton “Telesport”. Vijon të zhgënjejë skuadra e Oklahomës, nga e cila pritej më shumë këtë sezon. Thunderi u mund 121-108 nga Orlando, sfidë ku u dallua Gordoni, autor i 40 pikëve dhe 15 rebaundeve për vendësit, ndërsa për mysafirët nuk mjaftuan 37 pikët e Westbrookut për ta evituar humbjen e 12 sezonale. Në krye të renditjes në Perëndim qëndron skuadra e Houstonit, që mundi me lehtësi 118-97 Indiana, duke korrur suksesin e 17 në kampionat. Gjashtë lojtarë të Rocketsit realizuan mbi 10 pikë, me Hardenin që realizoi 29 pikë e Capela 22. Fiton edhe skuadra e New Yorkut, që mundi 115-86 Miamin, dy skuadra rivale për një vend në “play-off” në Lindje. Kanteri me 22 pikë e 14 rebaunde ishte më i miri në fushë për njujorkezët.

Rezultatet

Detroit – Phoenix                  131-107
Orlando – Oklahoma            121-108
Philadelphia – Washington 118-113
New York – Miami                 115-86
Toronto – Charlotte               126-113
Houston – Indiana                 118-97
New Orleans – Minnesota    102-120
Dallas – Brooklyn                   104-109
San Antonio – Memphis       104-95
Lakers – Golden State            123-127

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armend Xhoxhaj pritet të debutojë më 2 mars të vitit…