
Granit, ti nuk ke asnjë faj për humbjen e Kosovës ndaj Zvicrës
Shkruan: Sadik Zeqiri
Mbrëmë, në Basel, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, Zvicra mposhti Kosovën me rezultat jo të këndshëm. Futbollistët e Kosovës dhanë aq sa mundën përballë një përfaqësueseje që renditet mes 15 kombëtareve më të forta në botë – Zvicrës.
Për Zvicrën luajti edhe Granit Xhaka, kapiteni i saj. Gjatë 90 minutave ai nuk kreu asnjë gjuajtje drejt portës së Kosovës, as nuk bëri ndonjë ndërhyrje të ashpër ndaj lojtarëve shqiptarë. Por duhet ta kemi të qartë: Xhaka nuk mund të sillet në fushë si manekin, sepse loja e Zvicrës kalon kryesisht nga mesfusha që ai e dirigjon me mjeshtëri.
Ashtu si Zvicra, edhe Kosova kishte në fushë 11 futbollistë. Po ashtu, vlera e lojtarëve tanë është rritur dukshëm me kalimin e viteve. Prandaj nuk ka arsye të fyehet as Xhaka, as lojtarët kundërshtarë, por as futbollistët e Kosovës për rezultatin e djeshëm.
E megjithatë, duket sikur shumë dashamirë të futbollit kanë harruar disa data e momente të paharrueshme. A mos vallë harruat 22 qershorin 2018, kur Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, me dy gola të mrekullueshëm, mposhtën Serbinë (2:1) në Kaliningrad të Rusisë? Atëherë Serbia u përpoq t’i ndëshkonte shqiptarët vetëm pse bënë simbolin e shqiponjës dykrenare.
Apo harruat 2 dhjetorin 2022, kur në Katar, falë golit të Shaqirit dhe paraqitjes së jashtëzakonshme të Granit Xhakës, Zvicra e mposhti sërish Serbinë me rezultat 3:2? Në atë ndeshje, Graniti u përlesh fyt për fyt me disa lojtarë serbë, jo për Zvicrën, por për dinjitetin e tij si shqiptar i Kosovës.
A harruat edhe 14 tetorin 2014, kur vëllai i tij, Taulant Xhaka, në mes të Beogradit, i doli përballë 32 mijë tifozëve serbë dhe mbrojti flamurin kuqezi së bashku me shokët e Kombëtares Shqiptare? Në atë ndeshje Shqipëria–Serbi, që u ndërpre në minutën e 41-të, futbollistët tanë luftuan me grushta e shqelma vetëm për të mos lejuar që flamuri ynë të përbaltet.
Le të mos harrojmë gjithashtu se në vitet më të vështira për ne, gjatë luftës së viteve ’90, pikërisht Zvicra i hapi dyert për qindra mijëra shqiptarë, duke u bërë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.
Prandaj, Granit, ti nuk ke asnjë faj që Kosova humbi mbrëmë 4:0.