
Greqia merr ndihmë nga BE-ja për të luftuar zjarret shkatërrimtare
Greqia po lufton për të dytën ditë me radhë zjarret që kanë shkatërruar shtëpi dhe kanë shkaktuar evakuime, me ndihmën e zjarrfikësve çekë dhe avionëve italianë që pritet të mbërrijnë më vonë.
Zjarret vazhdonin të ishin aktive të dielën në mëngjes në rajonin e Peloponezit, në perëndim të kryeqytetit, si dhe në ishujt Evia dhe Kythira, ndërsa avionët dhe helikopterët rifilluan operacionet në disa pjesë të vendit që në agim.
“Pritet që sot të jetë një ditë e vështirë, me rrezik shumë të lartë për zjarr pothuajse në të gjithë territorin”, tha të dielën zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, megjithëse shtoi se situata po përmirësohet.
Parashikuesit e motit thanë se erërat e forta që kanë përhapur flakët pritet të bien të dielën në shumicën e zonave, por paralajmëruan se ishulli turistik Kythira, me 3.600 banorë, vazhdon të përballet me kushte “shqetësuese” për shkak të erërave.
Mesazhe evakuimi u dërguan për banorët e ishullit, që ndodhet në juglindje të Peloponezit, herët në mëngjes të dielën, pasi zjarri po përhapej pa u ndalur.
“Shtëpi, kosheret e bletëve, pemë ulliri janë djegur”, tha për kanalin shtetëror ERT zëvendëskryetari i Komunës së Kythiras, Giorgos Komninos.
“Një manastir është në rrezik të drejtpërdrejtë tani”, shtoi ai, duke theksuar se gjysma e ishullit është djegur, raporton Rel.
Dhjetëra zjarrfikës, të mbështetur nga tre helikopterë dhe dy avionë, po luftonin me zjarrin në Kythira, që kishte shpërthyer të shtunën në mëngjes dhe kishte detyruar evakuimin e një plazhi të njohur turistik.
Greqia kishte kërkuar më herët ndihmë nga aleatët e Bashkimit Evropian dhe dy avionë italianë pritej të mbërrinin të dielën, sipas brigadës së zjarrfikësve, ndërsa njësi nga Republika Çeke tashmë kanë filluar punën.
Njëmbëdhjetë rajone të Greqisë ende përballen me rrezik shumë të lartë për zjarre, sipas autoriteteve.