Greva në arsim vazhdon, Nagavci thotë se SBASHK-u po bën shantazh

10 shtator 2022 | 17:47

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë sot se ka vetëm një palë barrikaduese sa i përket grevës në arsim, duke iu referuar SBASHK-ut.

“Ka vetëm një palë të barrikaduar. Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ajo ka theksuar se pozicioni i drejtuesve të SBASHK-ut është ky: Nuk fillon mësimi para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh.

“Sikur çdoherë deri më tani, edhe sot dhe çdo çast jam e gatshme për bashkëpunim. E hapur për rekomandime e kritika konstruktive. E vullnetshme për të punuar në avancimin të pozitës së mësimdhënësve ashtu si dhe në vlerësim e ridizajnim të politikave që shpiejnë në përmirësim të rezultateve”.

“Arsimi në radhë të parë është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë. Çdo orë më shumë e humbur është me pasoja për fëmijët që shkojnë në çerdhet e shkollat publike, për të gjithë ne. Andaj, të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se çdo ditë jashtë klasave, “ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë”.

Ministrja e Arsimit ka thënë se mësimi është mbi të gjitha.

“Greva ka kuptim kur nuk dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, ka theksuar Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe Ipeshkvi…