Grossi: Irani mund të rinisë pasurimin e uraniumit brenda muajsh

29 qershor 2025 | 18:03

Irani mund të rinisë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda muajsh, pavarësisht dëmit të konsiderueshëm që u është shkaktuar objekteve bërthamore nga sulmet amerikane dhe izraelite, sipas shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) Rafael Grossi.

“Kapacitetet që i kanë janë aty. Do të thosha që brenda muajsh ata mund t’i kenë disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar, apo edhe më pak sesa ajo periudhë”, ka thënë Grossi në një intervistë për CBS News.

Grossi, i cili udhëheq organizatën me seli në Vjenë, e ka pranuar se sulmet në qendrat bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan e kanë dëmtuar kapacitetin e Iranit për të pasuruar uranium.

Megjithatë ai ka thënë se “sinqerisht, askush nuk mund të pretendojë se gjithçka është zhdukur dhe që nuk ka asgjë më aty”.

“Irani është shtet shumë i sofistikuar sa i përket teknologjisë bërthamore”, ka thënë Grossi.

“Prandaj, ajo nuk mund të zhduket. Nuk mund të zhbëhet njohuria apo kapacitetet që i ka dikush”.

Izraeli ka nisur bombardime kundër qendrave bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor, me qëllim që t’ia pamundësojë Teheranit zhvillimin e armëve bërthamore – objektiv që Irani e mohon, duke insistuar se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.

Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar ndërkohë sulmeve, duke goditur tri qendra të lidhura me programin bërthamor të Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar më 26 qershor se programi bërthamor i Iranit është kthyer mbrapa “me dekada” dhe që do të shqyrtojë mundësinë e sulmeve tjera, nëse Irani i rikthehet pasurimit të uraniumit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka konfirmuar se dëmi në qendrat bërthamore është “serioz”, ndonëse hollësitë nuk dihen.

Një çështje e madhe e panjohur ka të bëjë me fatin e një sasie të konsiderueshme të uraniumit të pasuruar në 60 për qind – mbi nivelin e nevojshëm për qëllime civile dhe nën nivelin e duhur për armë bërthamore.

Irani besohet se i ka rreth 400 kilogramë të uraniumit të pasuruar në atë nivel.

“Nuk e dimë se ku mund të jetë ky material”, ka thënë Grossi.

“Një pjesë mund të jetë shkatërruar në sulme, një pjesë mund të jetë zhvendosur. Duhet të ketë sqarime në këtë pjesë”.

Në një intervistë për Fox News, Trump ka thënë se nuk beson që Irani e ka zhvendosur këtë sasi uraniumi.

“Është diçka shumë e vështirë dhe ne nuk u kemi dhënë shumë afat. Ata nuk kanë lëvizur asgjë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ligjvënësit iranianë kanë votuar për pezullim të bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike dhe Teherani e ka refuzuar kërkesën e Grossit për t’i vizituar qendrat e dëmtuara, përfshirë Fordon, qendrën kryesore të Iranit për pasurim të uraniumit.

“Ne duhet të konfirmojmë dhe vlerësojmë se çfarë ka aty dhe çfarë ka ndodhur”, ka thënë mes tjerash Grossi./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pas një…