Gruaja që u bë vetvetja

19 mars 10:26

Retrospektivë e një historie

Feride Papleka

Razë Syla është një nga gratë e shquara shqiptare, flamurtare e emancipimit në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ajo e ndërtoi imazhin e vet si heroinë në një mënyrë të re marrëdhëniesh me botën, duke e vendosur ekzistencën e saj në një horizont që kërkoi sakrifica të mëdha. Ajo fitoi lirinë e vet, duke vënë në vend një padrejtësi shekullore dhe hapi rrugën për qindra gra e vajza të tjera në Malësitë e Shqipërisë, ku ligji për gruan ka qenë i rreptë. Sigurisht shoqëria jonë e hutuar nga politikat demagogjike, merret fare pak me njerëzit, të cilët në rrjedhat e përpjekjeve për të ecur përpara, kanë ndikuar fuqimisht për të shkruar historinë shpirtërore dhe morale të kombit. Këtë mospërfillje Raza e mbulon me vështrimin e saj melankolik që ruan përherë mirësi. Lufta për të qenë vetvetja i ka dhënë asaj siguri dhe mister. Gjithçka te ajo: pamja, fjala, zëri kanë një harmoni që nuk është e rastësishme. Përherë e qeshur, me sy plot dritë që flasin për një të vërtetë që shndërrohet në një lëvizje dhe frymëzim për breza të tërë, ajo pohon me thjeshtësi se nuk ka bërë asgjë të veçantë.

***
Por si ndodhi që një vajzë, e cila i përkiste një shoqërie patriarkale, të shfaqte zjarrin shekullor të gruas shqiptare për dritë dhe përparim? Si eci Raza në rrugën e mundimshme mes një opinioni që ia mohonte gruas lirinë? Si ia doli ajo të afirmohej e të bëhej vetvetja? Përgjigjja e këtyre pyetjeve nuk është aq e lehtë. Duhet të bësh një kërkim të gjatë e të nxjerrësh referencat e një paralelizmi historik, duke filluar nga Teuta, mbretëresha ilire që u shqua si një personalitet i fortë dhe i paepur ndaj qëllimeve pushtuese të fqinjëve e deri te Mamica Kastrioti që luftoi me guxim në ushtrinë mbrojtëse kundër hordhive pushtuese osmane, në një kohë kur gratë nuk ishin parë në formacionet luftarake, për të vazhduar me trimëreshën Shotë Galica që u fut në çetë si luftëtare me Azem Galicën dhe pas plagëve të rënda që ia afruan vdekjen Azemit, mori në duar drejtimin e çetës; apo me vajzat partizane që u rreshtuan në Brigadat tona Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ato që dhanë jetën për triumfin e idealit të lirisë si heroinat Margarita Tutulani, Zonja Çurre, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima e të tjera, apo Marta dhe Prenda Tarazhi që u martirizuan si luftëtare të vendosura për përhapjen e ideve të reja kundër elementëve konsevatorë dhe kanunit e shumë të tjera që kanë mbetur heroina të heshtura.

***
Raza u lind më 1949, në Micoj, një fshat malor në rrethin e Pukës. Ajo ishte e katërta ndër pesë vajzat e Sylë Hysenit. Duke folur për fëmijërinë, Raza tregon se mban mbi supe vite të mbushura me druajtje në një familje të madhe patriarkale që si të gjitha vatrat shqiptare, drejtohej në mënyrë autoritare nga burrat. Për kureshtje, para se të ndahej ajo familje e madhe, kur Raza ishte ende fëmijë, kishte rreth dyzet vetë. Përfytyrimi i njeriut jugor për atë vend është bora dhe pyjet, por duhet të kujtojmë se në ato vise të thella e të madhërishme për t’u vizituar, mbaheshin gjallë edhe ligjet e mbrapshta që e konsideronin vajzën si plaçkë të shtëpisë. Ajo shkonte në shkollë me fëmijët e tjerë të familjes, kishte gëzime të pakta, të cilat përmblidheshin në ëndrra të thjeshta: të vazhdonte shkollën, të vishej si mësuesja e fshatit që ishte qytetare dhe të mos i mbulonte flokët me shami. Por ëndrrat iu prenë në mes pa mëshirë; sa mbaroi filloren, asaj i lidhën shaminë e zezë dhe nuk e lanë të vazhdonte shkollën më tej. I thanë se kishte ardhur koha të mbyllej brenda e të përgatiste pajën. “Fillimisht nuk ndjeva mëri, por m’u duk një gjë fare pa kuptim”, thotë ajo.

***
Kanë kaluar vite që atëherë. Ajo ishte e mitur për të kundërshtuar, por megjithatë në zemër iu shfaq një mospajtim i heshtur dhe një ditë prej ditësh mori guximin dhe e pyeti të atin se përse nuk e vazhdonte shkollën si djemtë e familjes. Madje dy nga ata i patën çuar në konvikt. Por i ati iu shmang përgjigjes, sepse ai e kishte fejuar atë që në djep si shumë vajza të tjera në malësi. Ajo e mori vesh këtë gjë nga një moshatare e lagjes, e cila nuk kishte pasur fatin e zi të fejohej si ajo.
Fije të shumta mund ta mbanin Razën të mbërthyer pas traditës së trashëguar. Mendjen e saj mund ta paralizonte edhe ndonjë ide fetare, e hedhur nga ata që përpjekjen për të qenë vetvetja, e mallkonin si fyerje ndaj Zotit. Por vajza e re me sa dukej ishte gatuar për një tjetër kohë. Ajo nuk dëgjoi zëra të mbinatyrshëm si Zhanë d’Arka, por pikërisht duke qenë bareshë si Zhana, vendosi heshturazi të mos nënshtrohej. Dhe kështu në shpirtin e saj nisi të mugullonte një mosbindje. Ajo, sidoqoftë, përgatiste sendet e pajës që ishin më shumë dhurata për të tjerët dhe njëkohësisht shkonte bareshë me dhi, duke menduar e vrarë në shpirt, si do të shpëtonte nga ajo “burgosje”. Ndonjëherë edhe punonte në arë, ngaqë familja nuk kishte krahë pune. Shamia e ulur mbi ballë, ia mbulonte flokët, por edhe bukurinë e vashërisë. Kur i thua kështu, ajo e mohon me një buzëqeshje të përmbajtur dhe shpjegon se ideja për bukurinë nuk ekzistonte atëherë, ngaqë edhe pasqyrë ku ta shihte fytyrën nuk kishte. Por e kuptonte se shamia e zezë nuk ishte gjë e mirë, sidomos kur ishte e detyruar ta mbante edhe në mes të vapës. Pra, në moshën e lojërave, atë e thërriste puna. Ishte si një ritual: puna jashtë, dhitë që ruante dhe puna brenda me shpinë të kërrusur. Netëve ajo derdhte lot nga lodhja e dëshpërimi.

***
Kur mbaron së treguari për fëmijërinë dhe fillimet e adoleshencës, që natyrisht për të dhe brezin e saj të Malësive të thella janë vetëm terma, ajo pushon një çast e menduar dhe ndalet te ngjarja që një ditë ia kthjelloi rrjedhën e jetës. Ajo ndeu sahatin e brendshëm që t’i trokiste fort e ta mësonte se nuk duhej t’i nënshtrohej fatit të paracaktuar nga të tjerët. Po si? E fshehta që i rritej në zemër, ishte si një mal i lartë për ta kapërcyer. Sa guxim, sa vendosmëri, sa vullnet i është dashur për të hapur rrugën e saj të re! Ajo fitoi një qetësi të jashtme të atillë, sa dukej e shqetësuar vetëm për pajën që përgatiste dhe për punët e shtëpisë. Një vajzë që ëndërronte fshehtas si të shpëtonte shpirtin, doemos që do të harrohej në punë. Jeta kalonte pa u ndier. Ajo nuk kish kohë të ekzaltohej nga bukuria e moshës rinore, nuk kishte kohë ta kalonte ditën duke ëndërruar.

***
Atë ditë që pati marrë guximin dhe e pati pyetur të atin përse nuk e vazhdonte shkollën, në një çast në zemrën e saj kishte ndier të çelte edhe një dëshirë e beftë për t’u bërë mjeke. Ajo nuk e kujton nga i kishte ardhur kjo ide, janë shumë vite në mes. Mbase një vizitë mjekësore, mbase një imazh i regjistruar në tru i bluzave të bardha në spitalin e qytetit. Ku i dihet? Sot njëra prej vajzave të saj, Alketa, është mjeke. Raza e sheh të realizuar te vajza dëshirën e saj që u venit dikur. I ati nuk iu përgjigj atëherë pyetjes së saj dhe ajo nuk mund të ngulte këmbë. Autoriteti i gjinisë mashkullore ishte i fortë. Raza për një gjë është e sigurt në atë që thotë. Ajo s’arriti t’i kërkonte dot të atit as arsyen përse e kishin fejuar, por as që të prishte fejesën. E donte të atin dhe zemra e saj e re trembej se mos futej në gjak. Nuk donte që ta shihte atë të vdekur. E vendosi, do ta braktiste burrin pas martese. Donte që ta mbante mbi vete tërë peshën e përgjegjësisë. Tani kishte arritur moshën kur në gjykim merrte pjesë arsyeja. Megjithatë ajo nuk i dinte pasojat që mund të sjellë një martesë. Nuk kishte informacion. Për burrin me të cilin e kishin fejuar, ajo vetëm kishte dëgjuar të flitej, nuk e njihte. Mëria e saj ishte kundër atij qëndrimi poshtërues që po i rrëmbente lirinë.

***
Pra, ajo u martua, shkoi nuse me duvak të kuq. Me fytyrë të mbuluar që mos ta shihte as rrugën nga shkonte dhe as njerëzit. Sa kishte mbushur gjashtëmbëdhjetë pranvera. Ishte bërë një vajzë e zgjuar dhe e bukur, shtathedhur, me fytyrë si hëna, me sy të mëdhenj e plot shkëlqim, me flokë të gjatë. Mban mend qarjet dhe ulërimat. Me hidhërimin e saj për çudi, ishte bashkuar gjithçka rreth e qark. Dhitë blegërinin, qentë lehnin. Ishte dhjetor i vitit 1967. Atë e shoqëronin disa burra sipas zakonit. Dhe hyri në shtëpinë e burrit, si të mbyllej në një kafaz pa dritë. Nusja e re qysh në fillim u përball me një realitet të ashpër, por kishte një besim të fshehtë se do t’ia dilte mbanë. Në gjoks vazhdonte të gatuhej një mision shpëtimi. Sa kaluan ditët e para, ajo i tha burrit se zemra e saj ishte e ftohtë, nuk e donte. Asgjë nuk i bashkonte. “Në asgjë nuk kishte një fije harmoni në atë lidhje, baza e së cilës ishin thjesht ca para”, thotë Raza. Por ai nuk e kuptoi. E si mund ta kuptonte? Ai e kishte blerë. Me pronën të lidh vetëm interesi. Që atë çast mendja e saj punoi si të gjente mënyrën për t’u arratisur. Dëshirat e saj të dëlira qenë zbukuruar në shpirtin e saj dhe kishin marrë formën e një herezie. Ajo po e shpikte jetën e vet. Ishte gati të vdiste.

***
Vetëm kur kaluan katër muaj nga dita e martesës, Raza me mundime të pallogaritshme u arratis nga shtëpia. Ky veprim nuk qe i lehtë, sepse atë nisën ta ruanin kur e mësuan qëndrimin e saj. Ishte një mesditë maji e bukur dhe e frikshme. Nusja e re përpiqej të tregohej e qetë. U kthye në shtëpi, së bashku me njerëzit e tjerë të familjes që punonin në ca ara të koopertivës aty rrotull dhe u ndal në kasollen e bagëtive. Nisi të pastronte që të humbiste gjurmët dhe u maskua me shpejtësi. Rrobat i pati gjetur para disa ditësh në një skutë të stallës : tuta, xhaketë, bastun e kapele. Si të ishin lënë enkas për arratisjen e saj! I veshi sipër rrobave të saj dhe vari në sup një trastë me tall. Edhe fytyrën e ngjeu me blozë, se pamja mund ta tradhtonte. Dhe pas disa minutash doli në rrugë si një lypës i katundeve. Ky është vërtet një nga skenarët më të çuditshëm që mund të dëgjosh e që Razës ia mësuan rrethanat. Ata që e panë, e përshëndetën si një “të panjohur”. Ajo eci në këmbë rreth dy orë e ca. Nuk kishte frikë, por zemra i rrihte fort. Kishte një besim të vogël se të atin, megjithëse ishte ai që e kishte shitur, do ta kishte me vete. Pra dy-tri ditësh ai kishte ardhur ta merrte për një festë fetare, por “dhëndri” nuk kishte pranuar. I ati që nuk e merrte vesh arsyen, ishte zemëruar. Ajo e pati dëgjuar duke thënë: “Vajza ime është e egër, ke për ta parë” dhe i qe ngrohur zemra. E kishte përcjellë atë ditë të atin gjer në fund të shtegut. Në sytë e tij pati vëre re se ai ia kishte kuptuar mërzinë. Duke u ndarë ajo i pati thënë: “Po vdiqa mos ecni (ejani) të më varrosni, por po qeshë gjallë do të vij së shpejti”.

Raza e kujton si tani. I hoqi rrobat, i fshehu në një ferrë, lau fytyrën në një krua dhe nxitoi që të mbërrinte sa më shpejt në Pukë, në qendrën e rrethit. Atje u paraqit në Komitetin e Rinisë dhe u dorëzua si “heretike”. Kishte braktisur martesën! Ky ishte një veprim i panjohur më parë. Ajo u shndërrua në çast në një grua që guxoi ta quante të pavlefshme një kurorë, një lidhje që dinjitarët e fiseve e mendonin si të patundur. Ishte një përplasje e fortë me shekuj të tërë nënshtrimi. Pa kuptuar ajo po i jepte gruas malësore një liri të mishëruar me veprën e vet. Atë natë ajo fjeti në një hotel, e ruajtur me policë, të cilët e mbronin nga grushti i hakmarrjes. Raza u bë kështu personazh i gjallë i një mitologjie moderne.
Të nesërmen, në një nga zyrat e Rinisë, përpara burrit që e patën sjellë për ta ballafaquar dhe një dëshmitari tjetër, ajo tha me zë të vendosur shprehjen që u ishte ndaluar sa e sa grave: “Nuk e dua”. Tani ishte përpara ligjit të shkruar dhe jo para ligjit të pashkruar që ia kishte hequr të drejtën të zgjidhte. Veprimi i saj mori përmasa publike. Një grua që nuk pranonte të nënshtrohej. Pra, një grua heroike që filluan ta shihnin me nderim.

***
Raza nuk bëri traktate filozofike si Simone De Beauvoir, por me veprën e saj tregoi se edhe në Shqipëri gruaja ishte e aftë të kryente vepra që mund të shndërroheshin menjëherë në traktate filozofike. Me veprimin e saj ajo shfaqi pothuajse të njëjtin shqetësim filozofik, por të kryer në një formë konkrete. Ajo ëndërroi të bënte me botën një hapësirë barazie, ku drejtësia dhe respekti të shkonin edhe te gruaja.
Gjithsesi beteja sa kishte filluar. Në shtëpinë e prindërve për të nuk qe e lehtë edhe pse i ati nuk ia kundërshtoi hapur vendimin. Nuk ishte vetëm familja, ishin edhe të afërmit, miqtë, opinioni i jashtëm, fshati e krahina që e dënonin. Fanatizmi dhe bota patriarkale në raste të tilla gjallëroheshin. Por ajo qëndroi e paepur. Veprimi i saj vërtetoi në jetë se një vajzë apo një grua, duke u bërë zëri i së vërtetës, mund të tronditë një opinion të tërë.
Mes kësaj atmosfere, në fshatin e saj ndodhën ndryshime që sollën një klimë më të butë për jetën. Kooperativa bujqësore i siguroi një kurs për sanitare. U ngrit shkolla tetëvjeçare që do të ndikonte pak a shumë në përmirësimin e psikologjisë shoqërore. Ajo ishte shtatzënë, por askush nuk e dinte në atë kohë. Ajo punoi si vullnetare me Ndihmën e Shpejtë dhe pas shtatë muajsh i lindi fëmija, djalë. Në fillim, në shtëpi, kuptohet, i bënë shumë presion që mos ta mbante, por ajo iu bind zemrës së saj që i tha se fëmija është një krijesë e pafajshme. Raza mbase sakrifikoi së jashtmi, sepse familja do ta kapërdinte më lehtë “turpin” po të ishte pa fëmijë, por ajo ruajti integritetin e saj, duke fituar kështu ndjenjën e mëmësisë, që është më e larta në hierarkinë e ndjenjave. Lindja e fëmijës, ndryshe nga ç’e pati menduar ajo, ia forcoi pozitën. Skënderi, kështu ia vuri emrin të birit, u bë fëmija më i dashur në shtëpi dhe në fshat. Ai i kishte dhënë mamasë së re një pasaportë dinjiteti, por edhe të drejtën që ta vazhdonte më me guxim veprën e nisur. Nga ana tjetër, duke luftuar për identitetin e saj, Raza, pa e kuptuar, u kishte siguruar njëkohësisht vajzave dhe grave të drejtën e lirisë dhe të vlerësimit. Më së fundi edhe gratë do të dëgjoheshin.
Pasi mbaroi punën vullnetare, ajo shkoi në qendrën e rrethit dhe kërkoi punë. Vetëm në N. Sh. N.-në e Fushë-Arrëzit, një ndërmarrje ndërtimi ku punonin vetëm burra, i afruan një vend pune. Ajo nuk ngurroi dhe nën vështrimet e habitura dhe disi ironike të punëdhënësve, shënoi emrin. Të pranoje të punoje me burra, në një kohë kur për gruan në malësi kjo gjë ishte e ndaluar, ishte një herezi tjetër. Por zëri i brendshëm gjithnjë e këshillonte Razën të mos dorëzohej. Shembulli i saj nuk vonoi e dha frytet e para. Pas saj në N. Sh. N. erdhën edhe shumë gra të tjera. Me punë të palodhur ajo u zgjodh brigadiere dhe për një kohë të shkurtër brigada e saj u dallua. Në një aksion një javor që u zhvillua në kooperativën e Gjegjanit, brigada e saj doli e para. Raza shkoi të merrte flamurin, por në kokë mbante ende shami. Me flamur në dorë, ajo e kuptoi se i duhej ende edhe shumë përpjekje për t’u bërë vetvetja. Ajo kishte ca kohë që ushqente një ëndërr të guximshme që fitoi përmasat e një jete: Do të bëhej shofere.

***
Kështu një ditë të vitit 1970 Raza hoqi shaminë, shkurtoi flokët dhe vendosi të regjistrohej në kursin e shoferëve. Këtu fillon një tjetër betejë e saj. Në fillim nuk donin ta regjistronin, madje nuk pranonin as t’i kthenin përgjigje. “Ku është parë që një grua të guxojë kaq shumë?! Gruaja nuk ka të drejtë të zgjedhë si burrat”. Opinioni ishte i rëndë. U desh një ndërhyrje nga mekanizmat partiake të kohës që emri i saj të figuronte në listë. Instruktori mezi u bind. Askush nuk i ktheu përgjigje kur ajo përshëndeti. Askush nuk ia drejtoi fjalën. Kursantët nuk donin të rrinin me të në një klasë. Ditën e parë kthenin kokën mënjanë apo ulnin kryet kur ndodheshin përballë saj. Përse ishte mbjellë kaq armiqësi për gruan? Pavarësisht se zemra e saj e re u lëndua aq sa u përgjak, ajo nuk u përkul. Sepse nuk po i bënte keq askujt. Thjesht donte të mësonte. Të mësuarit është akti më sublim në botë.

***
Ajo e kryente kursin me shumë pengesa të dukshme e të padukshme, por e lehtësuar në shpirt, sepse ajo që mësonte, ishte e ardhmja e saj e sendërtuar! Kur mendonte se do të merrte timonin në dorë dhe do t’u binte anë e mbanë pyjeve me pisha, maleve, fshatrave e qyteteve të vendit, i lulëzonte shpirti. Në shtëpi tregoi vetëm kur kishte katër apo pesë muaj që ndiqte kursin. E dinte, se po t’i kishte pyetur, mundet që ëndrrës së saj t’i priteshin krahët. Ajo thotë se ditën që i tregoi të atit, fliste dhe qante. Familjes, megjithatë i ra si bombë. Të bëhej shofere!? Të merrte rrugët!? Kjo s’ishte parë dhe dëgjuar ndonjëherë!? Por Raza nuk u përkul. Drita e shpresës së saj buronte drejt e nga zemra. Përgjigjja qe e thjeshtë: Jeta ishte e saj dhe i takonte asaj vetë që të merrej me të.

***
Përherë është një histori romaneske me tone tragjike kur e dëgjon Razën të tregojë për jetën e saj. Kur mori timonin e makinës në dorë, ajo e ndjeu se kishte realizuar një ëndërr. Ishte ëndërr heroike! Dhe mbi të gjitha një triumf mbi egoizmin patriarkal. Ideali e ushqente me forcë dhe dashuri. Tani ajo nuk ishte më e përbuzur, por një grua me identitet të shquar. Në aq pak vite kishte ndërtuar një histori guximi. Kuptohet nuk e kishte menduar se një ditë koha do të kërkonte ta kishte një prej shëmbëlltyrave të saj. Në atë kohë Raza u njoh me një djalë të vendit të atyre anëve, që e deshi. Pra, ajo e ndjeu edhe bukurinë e dashurisë. Duke mos e braktisur punën, lindi dhe rriti edhe pesë fëmijë të tjerë, pa kërkuar lehtësime apo fronte të zgjedhura. Për atë u xhirua edhe dokumentari me metrazh të gjatë: “Vajza pukjane” me regjizurë të Marianthi Xhakos dhe skenar të Kiço Blushit. E kësaj kohe është dhe një këngë që u këndua me çifteli, që edhe pse e gatuar në kuzhinat e skematizmit ideologjik të kohës, në vargjet “Çikë e mirë që shndrit kabinën” apo: “Udha e mbarë shoferja e malit / Diellin paç në sytë e ballit”, dëshmonte për një status të ri e madhështor, që u jepej vetëm heronjve. Edhe Raza ishte një heroinë.
Sot heroizmi i Razës duket i pabesueshëm. Është një mister që nuk mund të shpjegohet, por shoqëron përherë këta njerëz që dalin në pararojë, që shndërrohen, si të thuash në prijës. Me forcën dhe guximin e moshës rinore, ajo vërtetoi në praktikë, se ka mënyra të pafund për të mbërritur te e vërteta jote dhe te liria. Prandaj Raza është si një libër i hapur. Kjo grua e fortë dhe energjike, e përkundur nga ëndrra më e natyrshme, por më e vështirë për t’u bërë vetvetja, i bën nder gruas shqiptare me veprën e saj. Jo vetëm që ajo ëndërroi, por e përjetoi ëndërrimin e vet, si lumturi që vjen pas vuajtjesh dhe sakrificash të panumërta. Gjesti i saj është një nga stolitë e rralla të karakterit njerëzor, i cili ndikon drejtpërdrejt në procesin historik të formimit identitar. Vepra e saj do të frymëzojë gratë dhe brezat shqiptarë në kohë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e koalicionit qeverisës kanë shprehur optimizëm se të martën…