Guvernatori Ismaili: Inteligjenca artificiale po ndikon thellësisht në transformimin e sistemit financiar
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në konferencën me temë “Epoka e Inteligjencës Artificiale: Teknologjia si mjet, vlerat si mision”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).
Në fjalën e tij, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, vlerësoi konferencën si një iniciativë të rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që sjell teknologjia në sektorin financiar.
Përkrah mundësive që sjell inteligjenca artificiale, ajo kërkon edhe kujdes të shtuar në aspektet e etikës, mbrojtjes së të dhënave dhe integritetit profesionale. Përdorimi i IA-së, pa kontrolle dhe mbikëqyrje adekuate, mund të krijojë rreziqe për stabilitetin e sistemit financiar. Këto rreziqe lidhen me integrimin e IA-së në funksionet bazë të institucioneve, zhvillimet teknologjike në modelet gjenerative, varësinë nga një numër i kufizuar ofruesish të infrastrukturës dhe pajisjeve.
Për të adresuar këto sfida, guvernatori Ismaili potencoi se BQK-ja ka avancuar kornizën rregullative përmes Rregullores për Sistemet e Informacionit dhe Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik, krahas forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse për të siguruar një përdorim të qëndrueshëm dhe të sigurt të teknologjive të avancuara, duke ruajtur stabilitetin financiar, besimin publik dhe integritetin e sistemit.
Gjithashtu, BQK-ja ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025-2028, e cila është në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së për krijimin e një kornize rregullative dhe mbikëqyrëse që adreson rreziqet kibernetike dhe forcon kapacitetet operacionale të institucionit.
Në aspektin global, guvernatori Ismaili theksoi se, sipas studimeve të Bankës Qendrore Evropiane, Komitetit të Bazelit dhe Bordit të Stabilitetit Financiar, inteligjenca artificiale po ndikon thellësisht në transformimin e sistemit financiar. Gjetjet e përbashkëta tregojnë se IA përmirëson analizat dhe vendimmarrjen, rrit efikasitetin në shërbimet bankare dhe mbështet monitorimin e rrezikut, por njëkohësisht kërkon forcimin e kuadrit rregullator, të mbikëqyrjes dhe të menaxhimit të të dhënave, për të siguruar përdorim të qëndrueshëm dhe të sigurt të saj në sektorin financiar.
Guvernatori i BQK-së theksoi se përdorimi i IA-së duhet të shoqërohet me qeverisje të fortë, kontrolle të përshtatshme dhe etikë profesionale, ndërsa roli i kontabilistëve dhe auditorëve mbetet vendimtar për ruajtjen e pavarësisë dhe standardeve etike.
Ai nënvizoi se gjykimi njerëzor nuk mund të zëvendësohet, por duhet të ndërthuret me potencialin transformues të teknologjisë për të ndërtuar një sistem financiar më të qëndrueshëm, inovativ dhe të besueshëm.
Konferenca ku morën pjesë drejtuesit e Administratës Tatimore, Zyrës Kombëtare e Auditimit, dhe Njësisë për Inteligjencë Financiare dhe institucioneve tjera publike, përfaqësues të universiteteve, kontabilistë, auditorë, përfaqësues të institucioneve financiare, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, ofroi një platformë për dialog të hapur, duke mundësuar shkëmbim përvojash dhe diskutim mbi praktikat më të mira për përdorimin e inteligjencës artificiale.
BQK-ja vazhdon të jetë e përkushtuar në modernizimin e kornizës ligjore dhe kapaciteteve infrastrukturore, duke avancuar inovacionin dhe teknologjinë në sektorin financiar, në përputhje me Planin Strategjik dhe në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.



