Haga, drejtësia e mohuar dhe heshtja e kalkuluar politike

16 korrik 2025 | 17:24

Shkruan: Hisen Berisha

Zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë – veçanërisht vendimi për rrëzimin e mocionit të Mbrojtjes që kërkonte heqjen e pjesëve të aktakuzës bazuar në mungesë të fakteve konkrete – janë një tjetër dëshmi e qartë se drejtësia po instrumentalizohet politikisht kundër UÇK-së dhe liderëve të saj historikë.
Trupi gjykues vendosi të mos pranojë mocionin me arsyetimin se “nuk ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzës”, edhe pse vetë aktakuza është e ndërtuar mbi materiale të dorëzuara nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, të mbështetura nga bashkëpunëtorë të tyre në Kosovë – përfshirë ministra aktualë të Qeverisë Kurti, këshilltarë dhe kabinetarë me lidhje të dyshimta me shërbime të huaja.
Këto emra nuk janë të izoluar. Ndërlidhja e tyre me struktura partiake në Vetëvendosje dhe heshtja institucionale përballë këtyre fakteve përbëjnë më shumë se sa shqetësim – janë paralajmërim i rrezikut të kapjes së shtetit për interesa të huaja.
Është tejësisht subjektive të pritet që persona që kanë punuar vetë në ndërtimin e kësaj aktakuze – në bashkëpunim me strukturat e shërbimeve sekrete serbe e ruse, si dhe me prokurorinë serbe e ruse dhe bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë e gjetiu – të pranojnë një mocion të mbrojtjes që kërkon mohimin e fakteve të fabrikuara dhe akuzave të stisura. Vendimi është thellësisht subjektiv.
Vendimi i trupit gjykues në Hagë, i mbështetur nga Prokurori Jack Smith – një figurë e komprometuar rëndë dhe e akuzuar publikisht nga Presidenti Amerikan Donald Trump për veprime të paligjshme dhe tendenca politike, – vetëm sa e thellon këtë krizë të besimit. Smith është po ai prokuror që më herët ka drejtuar hetime në Kosovë në mënyrë selektive e të njëanshme, duke u mbështetur në dëshmi të fabrikuara dhe korruptive, nga burime të njohura për lidhje me Beogradin.
Mos të harrojmë se Giovanni Salustro – aktualisht këshilltar prokurorial në Beograd dhe një nga emrat më të njohur për lidhje me shërbimet serbe – ka qenë një nga hetuesit kryesorë të dosjeve kundër UÇK-së.
Ka fakte, video dhe dëshmi të drejtpërdrejta që dokumentojnë metodat e tij korruptive gjatë hetimeve në Kosovë.
Në këtë kontekst, heshtja e Qeverisë së Kosovës është bashkëpërgjegjësi.
Kryeministri Kurti, i cili dikur e konsideronte këtë proces të ndikuar politikisht, sot hesht ose edhe nxit indirekt legjitimimin e tij përmes mosveprimit.
Nuk ka asnjë përpjekje të vërtetë për të mbështetur të drejtën për mbrojtje në liri të të akuzuarve, reduktime në ofrimin e ndihmës reale financiare apo mbështetjes institucionale për familjet e tyre dhe asnjë qëndrim publik që të kërkojë një proces të drejtë e të paanshëm.
Në vend të kësaj, po shohim përpjekje për të përdorur këtë proces si mjet për eliminimin politik të rivalëve që i përkasin brezit të luftës çlirimtare. Deklaratat e bëra në vazhdimësi deri te e fundit – synojnë përligjien e narrativës së prokurorisë- për ndikimin në procesin politik dhe vendimmarje.
Kjo u shpërfaq edhe me qëndrimin kritik ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për rastin “Veteranët” dhe sanksionin ndaj të akuzuarve – i cili, sipas këtyre qarqeve të lidhura me Serbinë, nuk paskësh përmbushur pritjet për dënime maksimale ndaj figurave të UÇK-së.
Kjo është linjë e qartë politike: çfarë nuk e ndëshkon mjaftueshëm luftën çlirimtare, konsiderohet dështim i drejtësisë – për argatët e Serbisë në Prishtinë.
Në këtë sfond, është jetike të theksohet se vetë perimetri kohor i ndjekjes penale – nga 1 marsi 1998 deri në 31 dhjetor 2000 – është përtej periudhës së luftës, dhe si i tillë është i paligjshëm në raport me kompetencat që i janë dhënë Gjykatës Speciale nga vet Kuvendi i Kosovës. Ky zgjerim arbitrar, që përfshin periudha pas çlirimit, është bërë me vendim të mazhorancës parlamentare LVV – Guxo – Alternativa, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe Mimoza Kusarit, por edhe me katër votat kundër të AAK-së që i bënë kuorumin dhe pa votat e PDK e LDK – që mbrojtën parimin se lufta nuk mund të barazohet me pasluftën.
Kjo është përgjegjësi ligjore dhe politike që nuk mund të fshihet më pas justifikimeve procedurale.
Kërkesa për mbrojtje në liri, për një proces të drejtë dhe për mbështetje institucionale për ata që luftuan për liri, nuk është çështje partie apo individi – është çështje e shtetësisë.
Është koha që të gjithë ata që e ndjejnë përgjegjësinë ndaj këtij shteti dhe kësaj historie të mos heshtin. Sepse ajo që po gjykohet në Hagë nuk janë vetëm individët – është vetë legjitimiteti i luftës për liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot u zhvillua një ngjarje e veçantë dhe prekëse, një…